Deklarata e Macron-it për tensionet Kosovë-Serbi, zbërthehen prapavijat – ja kë po mbështet presidenti francez

Politika

Deklarata e Macron-it për tensionet Kosovë-Serbi, zbërthehen prapavijat – ja kë po mbështet presidenti francez

Arife Morina Nga Arife Morina Më 17 nëntor 2023 Në ora: 17:03
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë qëndrimit të tij në Lozanë, ka takuar presidentin e Konfederatës Zvicerane, Alain Berset. 

Në një takim që dyshja zhvilluan me studentë të Universitetit të Lozanës (UNIL), mes shumë temave, u fol edhe për Kosovën. 

Nga audienca, Macroni pati një pyetje për tensionet në vendin tonë. 

“Janë qetësuar paksa tani”, tha ai. 

Ai tha se shpreson që liderët e dy vendeve, Kurti dhe Vuçiqi, të pranojnë planin e hartuar. 

Megjithatë, presidenti francez frikësohet për konflikte ndëretnike që po zhvillohen nëpër pjesë të ndryshme të botës. 

“Jam i shqetësuar, por nuk jam i frikësuar për rifillimin e konfliktit në Kosovë”, deklaroi Macroni. 

Kjo deklaratë e Macron, vjen në një kohë kur jo rrallëherë u paralajmërua për sulme të reja dhe mundësi rieskalimi të situatës në komunat veriore të Kosovës. 

Po ashtu, duket sikur me këtë deklaratë të Macron, mund të supozohet se po i tërhiqet “vërejtja” Serbisë. 

Këtë paralajmërim të presidentit francez e komentuan analistët për gazetën “Bota sot”. 

Kelmendi: Asociacioni serb eshte paraplanifikim i luftes serbo-shqiptare 

Së pari, njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi u shpreh se Macron beson se nuk do ketë konflikti pas pranimit të Asociacionit. 

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” nuk beson se i është tërhequr Vuçiqit vërejtja pas takimeve të pesëshes në Bruksel. 

Image
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi

“Nuk kemi të dhëna se Macron apo Scholz, sikundër edhe kompetentët në Bruksel, se a i kanë bërë të qarta qëndrimet ndaj shtetit serb. 

Fakte nuk ka! Kemi vetëm deklarata të ndryshme, prej të cilave nuk del se po bëhet presion ndaj Serbisë. 

Deklarata e fundit e Macron është vetëm një shqetësim i shprehur mbi gjendje. 

Macron tha: “Jam i shqetësuar për Kosovën, por jo i frikësuar për një rifillim të konfliktit”. 

Me këtë, Macron mendon se Asociacioni është mjet i realizimit të interesave serbe në Kosovë dhe se me këtë organizim nuk ka frikë për një rifillim të konfliktit në Kosovë”, deklaroi ai. 

Po ashtu, Kelmendi tha se mbështetja e plotë e Macron bëhet mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe. 

“Në vizitën e sllavit Lajçak në Beograd u kërkua që të zgjerohen kompetencat e Asociacionit edhe në fusha tjera ekzekutive. 

Krimineli Vuçiq mendon se Asociacionit të pranuar nga Kurti mund t’i shtohen edhe disa kompetenca në fushën ekzekutive dhe Asociacioni të fiton statusin e autonomisë së zgjeruar politike, juridike e shoqërore- ekonomike. 

Këtu mbështetet deklarata e Macron. 

Me këtë status mendohet se nuk ka konflikte të armatosura në Kosovë me shtetin serb. Mirëpo, ky status është përfundimi i fundit i Republikës së Kosovës”, shpjegoi Kelmendi. 

Ndër të tjera, ai kritikoi themelimin e asociacionit, ku tregoi se në çfarë pozite do vendoset Kosova me nënshkrimin e tij. 

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë do ta dërgon Kosovën në dy pozita: 

1. Vazhdon konflikti dhe lufta në Kosovë e më e gjerë shqiptaro-serbe dhe 

2. Krijohen kushtet me luftë për tërheqjen e vijës së re të kufirit me shtetin serb. 

Zgjidhje tjera me Asociacion nuk priten. Asociacioni dërgon në konflikte ushtarake. 

Kjo veç dihet”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”. 

Mehmeti: Deklarata e Macron, ka të bëjë me refuzimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për të nënshkruar marrëveshjen 

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se deklarata e Macron bazohet mbi refuzimin e Vuçiqit për të nënshkruar një marrëveshje me shtetin tonë. 

Image
Analisti politik, Faton Mehmeti

“Deklarata e Macron, s’do shumë analizë për t’u zbërthyer, ka të bëjë me refuzimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për të nënshkruar marrëveshjen dhe Kosovën që po mbetet peng i nacionalizmit primitiv serb. Derisa, po theksohet përparimi i Kosovës dhe bashkëpunimi i Kurtit me pesëshen e BE”, deklaroi ai. 

Ndër të tjera, tha se ndërkombëtarët e shohin si “problem” shtetin serb, për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë. 

“Me Rusinë që i qëndron pas, Perëndimi e ka të vështirë ta shtrëngojë me sanksione Serbinë nga frika e largimit të saj nga rruga e integrimit evropian, me çka Rusia do të kishte mundësi për të nisur konflikt të ri në Ballkan. Kështu që, edhe BE është në ‘hall’ me Serbinë dhe me Rusinë që vështron duke u lutur për dështim të marrëveshjes”, përmbylli Faton Mehmeti “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat