Lufta, “kryefjalë” e ditëve të fundit/ Ekspertët komentojnë paralajmërimet, kush po dështon ta menaxhojë situatën?

Politika

Lufta, “kryefjalë” e ditëve të fundit/ Ekspertët komentojnë paralajmërimet, kush po dështon ta menaxhojë situatën?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 21 nëntor 2023 Në ora: 12:07
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në Rashkë të Serbisë, po ngjan riorganizimi paramilitar e terrorist i Milan Radoiçiq dhe grupit të tij, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë, grup ky i cili me 24 shtator të këtij viti kreu sulëm terrorist në veri të Kosovës. 

“Ata që janë në listë të rrogave janë kushtëzuar me to, ndërkaq për të tjerë janë ofruar vende pune në periudhë 3 dhe 6 mujore. Millan Radoiçiq, pas sulmit terrorist të kryer në veri, u lirua brenda ditës që të vazhdonte veprimtarinë e tij paramilitare e terroriste në shërbim të politikës shtetërore të Serbisë kundër Kosovës. Mungesa e sanksionimit të Serbisë, rritë nivelin e kërcënimit në Ballkanin Perëndimor. Drejtuesit e grupit terrorist, në vend që të jenë duke u përballur me drejtësinë në Kosovë, vazhdojnë përgatitjet për sulme të tjera ndaj Kosovës dhe grumbullim të votave me shantazhe ndaj serbëve të Kosovës”, shkroi Kurti në Facebook. 

Ky alarm i Kurtit vjen vetëm pak ditë pasi Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, deklaroi se ka informacione se Rusia po planifikon të nisë një luftë për ta larguar vëmendjen nga Ukraina. 

"Sot, të gjithë po diskutojnë krizën në Lindjen e Mesme. Por, siç thashë më parë, sinqerisht, nuk është problem i djeshëm. Të gjithë e dinë për këtë konflikt të vazhdueshëm dhe luftë të vazhdueshme, por askush nuk dëshiron t’i japë fund sepse është i përshtatshëm. Pas shpërthimit në Lindjen e Mesme qëndron Rusia, ne jemi të sigurt, me aleatin e saj Iranin. Kini kujdes Ballkanin. Më besoni, po marrim informacione: Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme, pastaj të paktën do të jetë Ballkani, nëse vendet e botës nuk bëjnë asgjë tani. Do të ketë një tjetër shpërthim të tillë”, ka thënë Vlodymyr Zelensky. 

Plani ruso-serb 

E sipas doktorit të marrëdhnoeve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, Serbia është e gatshme çdo herë që të hidhet në aksion ndaj Kosovës. 

Image
Gurakuq Kuçi

“Ekzistenca e kërcënimit nga Serbia është e hapur gjithnjë dhe Serbia për tu hedhur në aksion ka pritur vetëm momentet e përshtatshme rajonale dhe globale. Synimi i Rusisë është rikthimi i perandorisë sovjetike dhe ky synim njihet nga viti 2004 dhe në këto plane hynë edhe Serbia. Andaj kjo e fundit me ndihmën e Rusisë do provojë çdo lloj mundësie që të krijojë luftë në Ballkan pasi në momentin e një përplasje të tillë ballafaqimi global bëhet edhe më serioz dhe kompromisi e influenca Ruse më e madhe. Pra, në momentin që fillon një luftë në Ballkan, bazuar në forcën e zgjidhjes së luftës Rusia nëpërmjet Serbisë do shtrijë influencën e saj në Ballkan dhe do të prekë bazën gjeopolitike të Rimlandit perëndimor”, shprehet Kuçi për “Bota sot”. 

“E gjithë kjo mund të fillojë nga Kosova, për të kaluar në Bosnjë, Mal të Zi dhe Maqedoni por kjo nuk do lë pa prekur edhe tjera shtete të cilat kanë interesa në formë të ndërlidhur tek shteti fqinjë, si p.sh. Bullgaria në Maqedoni, Greqia në Shqipëri, e kështu më radhë”, shpjegon Kuçi. 

Më tej Kuçi, ashtu siç paralajmëroi edhe kryeministri Kurti, thotë se nëse nuk merren tani masa ndaj Serbisë, atëherë do të ketë edhe më tej shtrirje të ndikimit rus në Ballkan. 

“Nëse “politika e paqëtimit” e perëndimit vazhdon të dominoj në Ballkan përpara “politikës së vendosur”, atëherë e ardhmja do jetë me shtrirje më të madhe të Rusisë në Ballkan dhe Ballkani vërtet do jetë kaosi i radhës pas Lindjes së Mesme. Synimi është që perëndimi të angazhohet në sa më shumë beteja që të dobësohet vazhdimisht. Perëndimi këtë gjë mund të mos e lejoj në Ballkan menjëherë dhe ashtu duhet të bëjë që brenda një periudhe fare të shkurtë ta anëtarësoj edhe Kosovën në NATO dhe të hapë edhe një bazë ushtarake në veri të Kosovës”, deklaron Kuçi. 

“Por kjo çështje nuk duhet të shfrytëzohet nga politikanët në Kosovë e as nga kryeministri për të përhapur panik në masë dhe të krijoj rrethana politike elektorale të dëmshme për demokracinë”, përfundon për “Bota sot”, doktor Gurakuç Kuçi. 

Dështimi i bashkësisë ndërkombëtare 

Image
Drizan Shala

Kurse, eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se Serbi vazhdon të ndjekë një politikë destruktive ndaj Kosovës. 

“Agresioni që ka emër dhe adresë në Beograd, po dëshmohet që Serbia do të vazhdojë që të ndjekë një politikë destruktive në raport me Kosovën duke tentuar atë ta mbaj nën ombrellën e nacionalizmit sllav në çdo format dhe drejtim. Angazhimi ushtarak si forme e diplomacisë imponuese është që në këtë drejtim te arrihen efektet e caktuara në marrëdhëniet ndërkombëtare”, shprehet Shala. 

Shala e quan shqetësuese rigrupimin e grupit të Milan Radoiçiqit. 

“Në aspektin e sigurisë ri-grupimi është shqetësuese, të formacioneve ushtarake të Serbisë nën petkun e ashtu quajtur kontraktor privat ushtarak për  të arritur një mundësi analoge më 24 shtator 2023 në territorin e Kosovës ku me pastaj do të angazhohej ushtria e Serbisë në drejtim të suportimit të këtij grupi”, thekson Shala. 

Për fund, Shala thotë se faktori ndërkombëtar ka dështuar në mos sanksionimin e Serbisë, dhe në këtë mënyrë ka rritur apetitet e Rusisë në Ballkan. 

“Faktori ndërkombëtar ka dështuar në këtë mes duke lejuar që masat ndëshkuese të vinë në drejtim të Kosovës e jo në drejtim të Serbisë e cila me çdo kusht duhet ta zbatoj urdhrin e Putinit për një konfrontim të atillë që ai të mund të fitojë në terren një krizë të re brenda Evropës”, përfundon eksperti i sigurisë, Drizan Shala për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat