Situata serioze, Serbia nuk i ndal kërcënimet me luftë ndaj Kosovës - Zbërthehen qëllimet kriminale të saj!

Politika

Situata serioze, Serbia nuk i ndal kërcënimet me luftë ndaj Kosovës - Zbërthehen qëllimet kriminale të saj!

Nga: M.Lakna Më: 22 nëntor 2023 Në ora: 12:28
Tanket që Rusia ia dhuroi Serbisë

Ditëve të fundit qytetarët e Kosovës po përballen me lajme të shumta sa i përket mundësisë për një konflikt apo sulm të ri nga Serbia.

Këto alarame nuk kanë ardhur nga studiot e debateve televizive me analistë, por nga personalitete me pozita të larta shtetërore e ndërkombëtare.

I pari që e ngriti këtë alarm ishte presidenti i Ukrainës Volodimir Zelensky, i cili u shpreh ditë më parë se Rusia po nxit luftë në Ballkan, në mënyrë që një shtet të sulmojë një tjetër.

Ndërsa, vet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se në Rashkë të Serbisë po ngjan riorganizimi paramilitar e terrorist i Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë.

Ai u shpreh po ashtu se Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën.

Në lidhje me këto paralajmërime ka folur Osman Ferizi, kryetar i Degës së LDK-së në Gjermani, njëherit edhe njohës i çështjeve të sigurisë.

Ai ka thënë se këto paralajmërime nuk janë risi për Kosovën, duke marr për bazë edhe sulmin terrorist të 24 shtatorit nga Serbia në Banjskë.

Image
Osman Ferizi

“Mendoj që paralajmërimet për përgatitje e destabilizim në Ballkan e me theks të veçantë për agresion në Kosovë nga personalitete si Kryetari i Ukrainës z.Zelenski, kryeministri i Kosovës Kurti nuk janë risi apo diçka e papritur për Shtetin tonë.

Mendoj që Serbia në vazhdimësi ka bërë dhe do bëjë përpjekje për destabilizim, tensione deri në agresion siç ndodhi më 24 shtator 2023, kur një grup mercenarësh, grupe kriminelësh e terroristësh të armatosur e përgatitur nga Shteti despot Serbo-Sllavë vepruan në skenarin e sulmit të befasishëm duke e bërë fakt të kryer ndarjen e pjesës së Veriut”, ka thënë ai.

Ferizi ka theksuar se këto përpjekje kriminale Serbia nuk i ndalë derisa Kosova të mos forcohet si shtet me ushtri të mirëfilltë.

“Sigurisht këto përpjekje Serbia kriminale nuk do i ndal as në të ardhmen derisa ne të forcohemi dhe ngritemi si Ushtri e stërvitur dhe armatosur më armatime jo vetëm mbrojtëse por edhe sulmuese. Kjo është e ditur sepse në rrethanat e krijuara nga lufta në Ukrainë më Rusin dhe lufta në Palestinë mesë Izraelit, bota Sllave e konkretisht Rusia përmes Serbisë është e interesuar që të hap vatra tjera të luftës dhe tereni më i përshtatshëm dhe situatë e brishtë janë Kosova dhe Bosnja”, nënvizoi ai.

Megjithatë, Ferizi theksoi se Serbia nuk guxon të bëjë gabim historik duke e sulmuar Kosovën, por provokimet i bënë për ta mbajtur situatën nën kontroll.

“Dihet qartë se Serbia nuk ia lejon vetës të bëjë një gabim historik që të sulmoi Kosovën e që në fakt NATO-n e të bëjë vetëvrasje, por Serbia këto veprime e provokime i bënë për ta mbajtur në tension situatën, për ta ruajtur statuskuon për të pritur momente dhe rrethana më të favorshme për ta bërë jo funksional Shtetin e Kosovës si dhe presion procesit politik duke mbajt lartë ndjenjat nacionaliste të Serbëve që jetojnë në komunat veriore, vetë fakti që Kishat ortodokse janë pjesë e nxitjes, depo e armatimeve, mobilizimit dhe rekrutimit të Serbëve kundër Shtetit tonë, nga organet e rendit dhe sigurisë kërkohet monitorim 24-orë”, nënvizoi ai.

Sipas tij, vetë vizita e sekretarit të NATOS z. Stoltenberg tregon për seriozitetin e situatës duke marr parasysh mesazhet që dha në gjuhën politike dhe ushtarake, si paralajmërimet për shtim të përhershëm të trupave të KFOR-it.

Nga ana tjetër, ai tha që këto paralajmërime rrisin presionin psikologjik tek qytetarët dhe i largojnë investitorët e huaj.

Për Osman Ferizin problemi me Serbinë është politik dhe si i tillë duhet të zgjidhet pa vonesa.

“Mendoj që thirrjet dhe alarmi i kryeministrit Kurti në situatën e tanishme është pak sa e tepruar, kjo shton presionin psikologjik të qytetaret dhe ndikon negativisht te rrjeti i investitorëve të huaj, një kryeministër serioz në situata të tilla thërret Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe i merr masat e nuk bënë deklarata për konsum politik sepse edhe ashtu qytetarët janë të lodhur nga gjendja ekonomike dhe pasiguria. Problemi më Serbin është problem politik dhe ky problem kërkon zgjidhje, çdo vonesë është në disfavor të Kosovës, në asnjë moment ne nuk guxojmë të zihemi në befasi sepse çdo neglizhencë do jetë më pasoja kolosale për Shtetin tonë”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat