“Acarimi” i raporteve Rama-Kurti/ Betejë për protagonizëm apo hatër - mbetje momentale? Flasin analistët

Politika

“Acarimi” i raporteve Rama-Kurti/ Betejë për protagonizëm apo hatër - mbetje momentale? Flasin analistët

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 24 nëntor 2023 Në ora: 19:00
Edi Rama, Albin Kurti

Raportet ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, nuk janë në “ditët më të mira” të tyre. 

Fillimisht anulimi i mbledhjes së përbashkët të qeverive nga ana e kryeministrit Edi Rama shkak i situatës në veri, pastaj edhe “ndërhyrjet” e tij në dialogun Kosovë- Serbi, në marrëveshjen e asociacionit dhe deklaratave të ndryshme të tipit “veriu nuk është tokë e askujt”, siç duket nuk po e lejojnë kryeministrin e Kosovës të marrë pjesë aty ku është i pranishëm Rama. 

Të enjten në Tiranë ishte mbajtur dita e dytë e Samitit III të Diasporës, gjersa të pranishëm kishte përfaqësues të lartë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe mbi 2 mijë bashkatdhetarë nga diaspora, në të nuk ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pavarësisht se ishte parashikuar pjesëmarrja e tij. 

Në këtë Samit, ishte presidentja Vjosa Osmani dhe përmes saj, kryeministri Edi Rama, i çoi ‘mesazh’ Kurtit. 

Mesazhi i Ramës ishte për 22 nëntorin, Dita e Alfabetit, që duhet të jetë festë kombëtare në Shqipëri, por edhe Kosovë. 

Rama iu drejtua Presidentes Vjosa Osmani që edhe ajo t’ia përcjellë këtë porosit Kryeministrit të saj, Albin Kurti. 

“Forca e një njeriu, e Arbën Xhaferit, që nuk jeton më, por i cili pati vizionin që të kërkojë që Dita e Alfabetit, 22 nëntori, të jetë një ditë e njohur si festë kombëtare për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Dhe unë mendoj që tani është dita që Dita e Alfabetit, dita e gjuhës që na bashkon të gjithëve dhe që është thesari dhe bekimi ynë më i madh, të jetë një ditë feste kombëtare edhe në Shqipëri dhe patjetër që unë besoj që edhe Presidentja e Kosovës do t’ia japë këtë sugjerim Kryeministrit të vet. Unë e dëgjoj Presidentin për veten time”, u shpreh Rama. 

Gjersa Rama i dërgon mesazhe Kurtit, këto “hatër-mbetjet” e tyre sipas analistëve politikë, dëmtojnë raportet Kosovë- Shqipëri. Sipas tyre, Rama ka pasur gjithmonë hatër-mbetje ndaj udhëheqësve në Kosovë, por jo edhe me Vuçiqin dhe Serbinë. 

Haziri: Jo thjeshtë hatërmbetje 

Image
Nexhat Haziri

Analisti politik, Nexhat Haziri, thotë se raportet Shqipëri- Kosovë në këtë kohë do të duhej të ishin të afërta. 

Sipas tij, raportet Rama- Kurti nuk janë thjesht hatër- mbetje, por “betejë për protagonizëm”. 

“Hatër- mbetja” në mes Kurtit dhe Ramës të cilat u shfaqën edhe tani me mos pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti në Samitin e III të Diasporës në Tiranë, ku e pranishme ishte edhe presidentja Osmani dhe krerët më të lartë të shtetit shqiptar, natyrisht se dëmtojnë raportet Shqipëri-Kosovë, sidomos në këtë kohë kur do të duhej të ishin të afërta dhe koordinuese për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. Por këto siç po shihet , pra raportet Rama-Kurti nuk janë thjesht hatër- mbetja, por betejë për protagonizëm se cili po e merr "epitetin" liderit të shqiptarëve në rajon, një betejë kjo e nisur nga vet Kurti kur kërkonte pushtet në Shqipëri në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura atje. Dhe jo vetëm kaq, z. Kurti arriti t'i përçajë shqiptarët në Luginë të Preshevës dhe tani së fundi të njëjtën gjë po mundohet ta bëjë edhe me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, duke tentuar që ta shtrijë ndikimin dhe autoritetin atje”, deklaron Haziri. 

Sipas tij, betejat e tyre po i dëmtojnë jo vetëm raportet Kosovë- Shqipëri, por në përgjithësi interesat e shqiptarëve. 

“Dhe tani kur flasim edhe për z. Rama, nuk mund të heshtet disa nga iniciativat e tij të pakonsultuara me askënd në Kosovë, siç ishte propozim draft statuti për AKS-në dhe përkrahje e tij qorre ndaj këtij procesi, e po ashtu edhe zelli i tij më parë me të ashtuquajturin Ballkani i hapur, për ta quar përpara në një kohë kur Kosova e kundërshtonte me të drejtë pjesëmarrjen në këtë nismë e cila ishte e destinuar që të dështojë. Pra e gjithë beteja e Rames dhe Kurtit për liderizëm e protoganizëm në mes tyre, po i dëmton jo vetëm raportet Kosovë-Shqipëri, por në përgjithësi interesat e shqiptarëve në rajon dhe në raporte edhe më integrimet euro-atlantike”, pohon analisti. 

Qarri: Edi Rama, hatër-mbetësi më i madh shqipfolës dhe prodhuesi industrial i hatër mbetjeve ndër-shqiptare 

Image
Gani Qarri

Ndërsa, analisti Gani Qarri, numëron “veprimet” e Ramës që kanë ndikuar në mungesën e Kurtit. 

Ai madje e këshillon Ramën që të qetësohet dhe ta shikojë punën e tij 

“Se çfarë marrëveshje do të arrihet me Serbinë dhe çfarë niveli i menaxhimit do t’i ofrohet pakicës serbe, është çështje e brendshme e vendit tonë, që po diskutohet ndërmjet Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar, për arritjen e dakordimit në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe SHBA, dhe nuk është akt që mund të vendoset, ad-hoc, nga deklaratat paushalle të lansuara në distancë nga Edvin Kristaq Rama. Ai përveçse nuk është pjesë e dialogut, fatmirësisht nuk është as ndërmjetësues i bisedimeve, dhe as vendimmarrës për këtë temë, gjë që më në fund duhet ta kuptojë edhe vet dhe të heshtë, se nuk është duke e kërkuar askush nga shqiptarët, mendimin as propozimin e tij, për asociacione me status të "republikës srpska". Në fakt, Kosova ka udhëheqësit e vet legjitim, të cilët nuk i ka zgjedhur Edi Rama, por kanë marrë mandatin nga vota e popullit dhe në vijimësi, janë pjesëmarrës të kujdesshëm e aktivë në dialog, kurse Edi Rama nuk është votuar as nuk e gëzon besimin e qytetarëve të Kosovës, ndaj dhe do bënte mirë të heshtë në këto momente vendimtare, përderisa askush nuk e kërkon fjalën e tij. Për aq më tepër Edi Rama nuk është i ftuar nga asnjëra palë, për pjesëmarrje në dialog, qoftë si pjesë e ekipit negociues, këshilltar politik, e as si ndërmjetësues, ndaj dhe nuk ka asnjë arsye të marrë mbi vete me kaq shumë siklet propagandimin e propozimeve të Serbisë, të dërgojë draft-statuse ilegale, as të përpiqet për tu imponuar me forcë, në marrjen e vendimeve për statusin e pakicës serbe në Kosovë. 

“ Edi Rama do bënte mirë të qetësohej, të mos përgjigjej pa e pyetur kush dhe të shihte punën e vet, para se të shkruajë me porosi të Vuçiqit, draft-statute për "zajednicën" serbe, në vend se të kujdesej për gjendjen dhe statusin e shqiptarëve të mbetur nën Serbi. Edi Rama është ai i cili, i pari i vendosi sanksione Republikës së Kosovës, anuloi mbledhjen e planifikuar të të dy qeverive vetëm një ditë para se ajo të mbahej, mbështeti ndarjen e Kosovës, atakoi në vijimësi Kosovën për mospjesëmarrje në nismën serbo-ruse "Ballkani i hapur", shpërndante harta të të ashtuquajturit "mini shengen" me Kosovën brenda kufijve të Serbisë, në vijimësi mbron Serbinë dhe përpiqet ta poshtërojë Kosovën edhe para faktorit ndërkombëtar. Edi Rama është ai që përpiqet në vijimësi, ta vendos në pozitë sa më të vështirë Qeverinë Kurti, në të gjitha takimet me udhëheqësit e lartë evropianë e botërorë, duke keqpërdorur edhe vizitën e ish presidentit Klinton, si dhe vizitën e Manuel Makronit në Tiranë, me ç` rast edhe fjala e presidentit francez u përkthye qëllimisht nga administrata e tij, në mënyrë të pa saktë, për t'i irrituar qytetarët tanë, sikur Makroni po deklaronte se "do ta bllokojë" liberalizimin e vizave për Kosovën, gjë që nuk ka ndodhë me asnjë vend tjetër në botë. Edi Rama, madje dërgoi edhe draft-statuin për "zajednicën" serbe, pa u konsultuar fare me udhëheqjen e shtetit të Kosovës, sikur asociacionin serb, ta formonte në Himarë. Andaj janë këto dhe shumë veprime tjera, shkaku që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte arsye të mungonte edhe në ditën e dytë të Samitit të III të Diasporës në Tiranë, por që në fakt, Kosova kishte përfaqësuesen e vet adekuate, ngase ishte e pranishme presidentja e vendit zonja Dr.Vjosa Osmani”, thekson Qarri. 

Edi Rama gjithmonë ka shprehur hatër- mbetje ndaj udhëheqësve të Kosovës, thotë Qarri, gjersa shton se ai është i interesuar ta shkel me të dyja këmbët Kosovën. 

“Sa i takon hatër-mbetjes, Edi Rama me tekat e tij, gjithmonë ka shpreh hatër-mbetje, pa asnjë arsye bindëse ndaj udhëheqësve të Kosovës, e njëjta gjë ndodhi para disa vitesh edhe me Ramush Haradinaj-n, të cilit madje Rama i pati ngritur edhe padi në Gjykatë. Me një fjalë, që nga ardhja e Edi Ramës në pushtet, nuk di të ketë pasur ndonjëherë marrëdhënie të relaksuar me Kosovën, gjë që nuk ishte dëshirë e Kosovës, por ishin dhe janë sjelljet tekanjoze dhe qëndrimet megalomane të Edi Ramës, ndaj udhëheqësve të Kosovës, gjë që ka ndikuar për keq edhe në raportet ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ngase Edi Rama gjithmonë ishte i interesuar, që ta shkelte me të dy këmbët Kosovën, për tu bërë i mirë me kriminelin Aleksandër Vuçiq”, nënvizon analisti. 

Qarri e quan Ramën “hatër mbetës” më i madh shqipfolës, duke vazhduar të përmend edhe arsyet tjera pse raportet Kurti- Rama janë në këtë gjendje. 

“Po ashtu është Edi Rama ai që mungoi ose anuloi mbledhjen e përbashkët të dy qeverive dhe është po Edi Rama ai që bënë ndërhyrje të vazhdueshme edhe në dialog, si dhe involvohet drejtpërsëdrejti edhe në çështjen e asociacionit, duke dërguar kokë më vete edhe draft-statuse për asociacionin serb, sikur ai të formohej, jo në Kosovë, por në Himarë, pa asnjë konsultim paraprak me Qeverinë e Kosovës, në vend se të dërgonte një propozim për statusin politik të shqiptarëve nën Serbi, të cilët i janë nënshtruar një diskriminimi dhe presioni të paparë, deri te anulimi i adresave dhe fshirja nga regjistri civil, në shtëpitë dhe vendlindjet e veta, veprime kundër të cilave ka reaguar Euro deputetja Viola Von Cramon, por jo edhe Edi Rama, madje ai nga frika se do t’i hatër-mbetej Vuçiqi, dëshiron të na e imponojë me forcë, edhe një “republikë srpska” në Kosovë, por nuk është interesuar kurrë, as nuk interesohet asnjëherë edhe për shqiptarët nën Serbi. Pra ky është Edi Rama, hatërmbetsi më i madh shqipfolës dhe prodhuesi industrial i hatër mbetjeve ndër-shqiptare, i njohur veçanërisht si shpikës pasionantë i hatër-mbetjeve të vazhdueshme me shqiptarët e Kosovës, por asnjëherë i hatërmbetur me Serbinë dhe Aleksandër Vuçiqin, të cilit po mundohet me mish e me shpirt ti vije me çdo mjet e mundësi në ndihmë edhe me ndërhyrjet konspirative me draft-statuse ilegale te faktorët ndërkombëtar, për formimin e një “republika srpska” në Kosovë!”, përfundon Qarri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat