Alarmon profesor Bytyçi për trazira në Ballkan, tregon se çfarë kanë kuptuar NATO e SHBA për Serbinë

Politika

Alarmon profesor Bytyçi për trazira në Ballkan, tregon se çfarë kanë kuptuar NATO e SHBA për Serbinë

Nga: P.R Më: 30 nëntor 2023 Në ora: 08:06
Foto ilustrim

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi thotë se ideja dhe kërkesa e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për të dërguar trupa shtesë të përhershme në Kosovë është një domosdoshmëri pas situatës së krijuar së fundi pas sulmit terrorist serb në veri të Kosovës.

“NATO dhe Evropa, por edhe SHBA-të, nuk mund të tolerojnë një konflikt të ri në Ballkan. Jam i bindur se perëndimi është përpjekur ta largojë hijen e komploteve, konflikteve dhe të luftës në rajonin tone përmes tërheqjes së Serbisë në kampin dhe aleancën euro-atlantike. Por humbën kohë kot, siç humbën kohë me iluzionin se Rusia nuk do të ishte një vend kaq kërcënues për paqen dhe lirinë e Evropës. Por më mire vonë se kurrë. Edhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien paralajmëroi se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n. Dmth se NATO, SHBA-të dhe Evropa kanë kuptuar tashmë se Serbia është rrezik po aq i madh për kontinentin e vjetër sa edhe Rusia. Është paralajmërim për Beogradin ky, jo për Kosovën, sepse Kosova as ka bërë as bën trazira në veri të vendit”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, të gjitha të dhënat shkojnë në drejtim të asaj se presidenti i Serbisë, qeveria e saj, ushtria dhe forcat speciale që komandohen nga Beogradi janë të gatshëm të shkaktojnë trazira të reja në veri të Kosovës.

Image
Enver Bytyçi

“Jo rastësisht Radojçiç u la i lirë nga gjykata e Beogradit, edhe pse pranoi se ishte drejtuesi i bandës terroriste më 24 shtator ne Banjskë. Jo rastësisht rritet prania e qendrave të spiunazhit dhe stërvitjes nga ana e Rusisë. Gjithashtu nuk duhet anashkaluar fakti që Kisha Ortodokse Serbe është shndërruar si në kohën e Milosheviçit në një depo armatimi modern, që përdoret për të destabilizuar Kosovën. Ndërkaq janë hapur kufijtë dhe bandat terroriste strehohen sa në Republikën Srpska, sa në Rashkë e Beograd edhe në veri të Kosovës”, thotë Bytyçi.

“Gjithçka ndodh në veri të Kosovës është vepër e presidentit, qeverisë, kishës, ushtrisë dhe shtabit të saj të përgjithshëm. Është vepër e gjeneralëve serbë të modelit të Mlladiçit. Kështu ka qenë edhe në qershorin e vitit 1914. Atëherë Serbia organizoi vrasjen e princit austro-hungarez, Franz Ferdinand, dhe nuk e pranoi kurrë se ajo ishte autore e atij atentati që shkaktoi Luftën e Parë Botërore. Europa sidomos nuk e ka nxjerrë mësimin e atëhershëm dhe nuk po kupton se është e njëjta taktikë edhe sot e shfajësimit të Beogradit. Qeveria serbe e Nikolla Pashiq, me dijeni të mbretit Karagjergjoviç e nën drejtimin e gjeneralëve kryesisht në pension, planifikuan, organizuan dhe realizuan planin e vrasjes së Franz Ferdinandit dhe gruas së tij, Sofisë. Pastaj ata fajësuan Gabrielin e deri te i riu, Vasa Çubrilloviç, të cilin më vonë do ta bënin ministër në qeveritë serbe dhe akademik ultranacionalist. Edhe tani po bëjnë të njëjtën gjë. Bota nuk duhet që ata ti besojë gënjeshtrave dhe mashtrimeve të Aleksandër Vuçiç, se gjoja ai gjendet jashtë ngjarjeve në veri të Kosovës”, shton Bytyçi.

Më tej, profesor Bytyçi deklaron se rruga më e suksesshme e parandalimit të veprimtarisë destabilizuese të Serbisë, është pranimi në NATO i Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës.

“Nëse pranojmë këtë paralele me ngjarjen e 28 qershorit 1914 në Sarajevë, pra se ajo ngjarje e atëhershme ka ngjashmëri me Banjskën dhe çdo skenar tjetër që mund të tentohet për destabilizim në veri të Kosovës, atëherë duhet kuptuar sa destruktive është politika e Beogradit në Ballkan. Nuk duhet ndonjë zgjuarsi e madhe për ta kuptuar këtë fakt. Pra, për të kuptuar se si Beogradi përsërit në historinë e tij qëndrimet destabilizuese në rajonin tonë. NATO i ka mundësitë që të bëjë studime të tilla dhe të parandalojë aktet e shkuara të Serbisë, të cilat i shkaktuan dhimbje dhe drama të mëdha Ballkanit, sidomos shqiptarëve. Në fakt rruga më e suksesshme e parandalimit të veprimtarisë destabilizuese të Serbisë është pranimi në NATO i Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës. Nëse ndodh kjo, atëherë nuk ka nevojë ti thuhet Serbisë dhe Beogradit se „Nëse ju kryeni akte dhune në veri të Kosovës, atëherë do të përballeni me NATO-n“! Këtë e garanton neni 5 i Kartës së NATO-s. Dhe këtë e di Aleksandër Vuçiç. Në Serbi mund të ndodhë gjithçka. Por nuk ka ndodhur që i njëjti brez të bëjë të njëjtin gabim strategjik e ta çojë vendin në të njëjtën në mënyrë luftë. Serbia e njeh ndëshkimin e NATO-s të vitit 1999. Kanë kaluar afër një çerek shekulli”.

Profesor Bytyçi thotë se në vend që në Kosovë të ketë e të kishte forca të përhershme paqeruajtëse, do të ishte më mirë anëtarësimi i Kosovës në Aleancë.

“Kjo është plotësisht e mundur. Nëse të gjitha vendet e tjera të aleancës janë dakord, atëherë nuk mund të kundërshtojnë Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia. Nuk e kuptoj pse nuk ndiqet një rrugë e tillë e garancive për stabilitet e siguri në Ballkan, edhe pse kjo mënyrë është më pak e kushtueshme”.

Për fund, Bytyçi shprehet se qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj duhet të jenë të kujdesshme.

“Nëse ndodh ndonjë akt terrorist i ngjashëm me atë të 24 shtatorit, do të duhej që me këtë akt të përballeshin forcat e sigurisë së Kosovës. Do të duhej që terrorizmi në veri të vendit të përballohej dhe asgjësohej prej këtyre forcave. Kosova duhet të dëshmojë se është e aftë të përballet me sfidat që shkakton terrorizmi serb. Përvoja e zbulimit të aktit terrorist në Banjskë është e mjaftueshme. Thjesht nuk duhet shkujdesje dhe eufori ose vetëkënaqësi! I duhet bërë me dije Beogradit se Kosova është e aftë në koordinim me NATO-n, por pa përfshirjen e saj në konflikt, të parandalojë dhe asgjësojë çdo përpjekje destabilizimi në Kosovë e veri të saj”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat