“Po hidhet në ‘vallen’ e Serbisë”, Stano-s i vjen reagimi i ashpër pas rekomandimit të fundit – paralajmërohet Kurti!

Politika

“Po hidhet në ‘vallen’ e Serbisë”, Stano-s i vjen reagimi i ashpër pas rekomandimit të fundit – paralajmërohet Kurti!

Nga: A.M. Më: 30 nëntor 2023 Në ora: 22:15
Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

Bashkimi Evropian po rekomandon që të rifillojë praktika për të lejuar serbët e Kosovës të votojnë brenda vendit gjatë zgjedhjeve parlamentare serbe të 17 dhjetorit.

Nga BE-ja po konsiderojnë se vendimi për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë nuk është në përputhje me frymën e dialogut, parimin e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe ndërtimin e besimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Këtë e ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

“Ne e themi me keqardhje se praktika e krijuar e lejimit të serbëve të Kosovës që të votojnë në Kosovë për zgjedhjet parlamentare serbe me lehtësimin e OSBE-së nuk u lejua përsëri nga autoritetet e Kosovës. Si rezultat, votuesit serbë do të duhet të udhëtojnë në qytetet e Serbisë jugore për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 17 dhjetorit. Ky vendim nuk është në përputhje me frymën e dialogut, parimin e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe ndërtimin e besimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. BE-ja rekomandon rifillimin e praktikës së krijuar për të lejuar serbët e Kosovës të votojnë në Kosovë gjatë zgjedhjeve parlamentare serbe të 17 dhjetorit, me lehtësimin e OSBE-së”, ka deklaruar Stano.

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi.

Së pari, ai u tregua i ashpër me Stano-n, ku e cilësoi si zëdhënës të shtetit serb.

Ai tha se në shtetin demokratik të Kosovës, nuk duhet të lejohet mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë.

“Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, i cili sikur po e luan edhe rolin e zëdhënësit të Serbisë, i cili thotë se mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë, për serbët e Kosovës, të bëhet në Kosovë, sepse sipas tij, do të ishte në frymën e dialogut dhe parimet demokratike të mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve jo shumicë dhe për ndërtimin e mirëbesimit në mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas BE-së, apo zëdhënësit të saj Peter Stano, kjo do të vazhdonte në rekomandimin e praktikës së mëhershme për lejimin e Serbisë, të mbajë zgjedhje edhe në Kosovë, që mbahen me 17 dhjetor të këtij viti, mirëpo një praktikë e tillë nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë në shtetin demokratik të Kosovës, sikur nuk ekziston askund në botë”, deklaroi opinionisti.

Image
Opinionisti Dedë Preqi.

Gjithashtu, Preqi konsideron se kërkesa për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, është tendencë për të rritur tensionet mes dy vendeve.

“Për të lejuar organizimin e zgjedhjeve të Serbisë, nga serbët e Kosovës, kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, ka kërkuar marrëveshje nga Serbia, për një gjë të tillë, por ajo nuk e ka bërë dhe vetë është lajmëruar se zgjedhjet në Kosovë, nuk do të mbahen.

Nuk është as rrugë e kërkuar që BE-ja, përmes zëdhënësit të saj të kërkojë që të mbahen zgjedhje nga serbët e Kosovës, për parlamentin e Serbisë, me fjalë të tjera kjo është vetëm një tendencë për të ngritur në një shkallë edhe më të lartë tensionin dhe konfliktin në mes këtyre dy vendeve”, theksoi ai.

Më tej, opinionisti tha se kërkesa e Stanos nuk duhet të merret parasysh, pasi po përdoren metoda që nuk zgjidhin problemin, por vetëm sa e thellojnë atë.

“Shprehjet dhe euforia e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, jo vetëm për këto zgjedhje, por edhe për shumë konstrukte të tjera, që anon dhe hidhet shpesh në vallen e Serbisë, nuk besohet se janë logjikë dhe plane të BE-së, edhe pse ato duken se mund të kryejnë ndonjë funksion, por për dallim nga realiteti këto janë largë çdo norme shoqërore dhe demokratike, prandaj është shumë i zbehtë dhe i paefektshëm rekomandimi i Stonos, në këtë mënyrë.

Peter Stano, dhe disa të tjerë, (argatë) të Serbisë, sikur kanë prirje të bëjnë varacione të tilla, të cilat nuk janë zgjidhje as për Kosovën dhe as për Serbinë, kryesisht këto lloje të shprehjeve dhe metodave i përdorin vetëm ata që nuk dëshirojnë zgjidhje të problemeve, dhe duke dashur të kërkojnë varacione për ta evituar problemin, veprojnë¨në të kundërtën, apo në këtë mënyrë, që do ta thellojnë edhe më shumë problemin përmes metodave dhe intrigave të tilla”, deklaroi Preqi.

Ndër të tjera, kërkoi që Kurti të mos ndikohet nga presioni dhe t’i evitojë shantazhet e shumta që po i bëhen Kosovës.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, që ka Kushtetutën e vendit të vet, dhe nuk mund të lejojë të bie nën nivelin e autoritetit të vet kushtetues e ligjore, ndërkaq, kur në të kundërtën nuk kryhet ky funksion në mënyrë të natyrshme dhe kur nuk përligjen funksionet si të tilla, ato duken të sforcuara, të improvizuara dhe konstrukte artificiale.

Kosova, nuk guxon të bie sot nën nivelin kushtetues dhe ligjor, edhe pse nganjëherë gjindet nën kufijt e saj të presioneve, apo të paktën me sukses mund të evitojë kundërthëniet dhe shantazhet, të cilat i bëhen në rrethana të skajshme, që ia turbullojnë edhe gjakun, mirëpo një nga parimet e shtetit të tanishëm të Kosovës, në krye me kryeministrin Albin Kurti, janë parime të një horizonti të ri dhe perspektiv, që bashkojnë fatin e këtij njerëzimi në këtë shtet sovran”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat