Përpjekjet e vazhdueshme për pengimin e punës së Speciales! Kritikohet ashpër protesta e PSD-së

Politika

Përpjekjet e vazhdueshme për pengimin e punës së Speciales! Kritikohet ashpër protesta e PSD-së

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 1 dhjetor 2023 Në ora: 08:00
Pamje nga protesta

Gjatë ditës së djeshme (e mërkurë) në Kosovë ka qëndruar për vizitë Kryetarja e Dhomave të Specializuara (DhSK), Ekaterina Trendafilova, e cila ka zhvilluar një takim me përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë. 

Gjatë diskutimit të saj, ajo paralajmëroi se Gjykata Speciale mund të shqiptojë edhe dënime me burg të përjetshëm. 

“Gjykata mund të shqiptojë dënime me burgim të përjetshëm. Gjykatësit mbështeten në Kodin Penale të Kosovës”, tha kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova. 

Por vizita e Trendafilovës ka nxitur protesta në Kosovë. Ka qenë Partia Socialdemokrate ajo e cila ka protestuar dhe është përplasur me Policinë e Kosovës, ku si pasojë e kësaj janë arrestuar edhe 6 aktivistë të kësaj partie, Dardan Molliqaj, Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Korab Korça, Agron Kabashi dhe Gent Ibrahimi. 

E analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend po kritikojnë ashpër protestën e organizuar nga PSD-ja. 

PSD, të dështuar 

Madje analisti Faton Mehmeti i quan njerëz të dështuar politikisht anëtarët e PSD-së. 

“Kështu që s’ka ndonjë gjë për tu theksuar nga vizita e saj, derisa protesta e organizuar nga PSD nuk përbën ndonjë shqetësim apo rëndësi. Janë ca njerëz të dështuar që përdorin çdo figurë të rëndësishme ndërkombëtare apo vendore për tu shfaqur në media”, thotë Mehmeti. 

“Më së paku njerëzit e PSD-së (sa një ekip futbolli) mund të jenë të rëndësishëm për aksionin në fjalë, dështaku mbetet dështak edhe po u mor me njerëz të rëndësishëm”, shton Mehmeti. 

Lidhur me vizitën e Trendafilovës, Mehmeti shton se kjo është pjesë e punës së përditshme të saj. 

“Vizita e zonjës Trendafilova janë pjesë e punës së saj, ajo vjen në vendin nga është Gjykata Speciale. Puna e saj është kjo si dhe të mundohet të paraqes para opinionit gjykatën si të paanshme për të  ruajtur misionin e saj "të paanshëm"”, thekson analisti Faton Mehmeti. 

Image
Faton Mehmeti

Pengimi i punës së Gjykatës Speciale 

Kurse, analisti Gani Qarri thotë se vizita e Ekaterina Trendafilova në Kosovë vjen pas përpjekjeve për të penguar punën e Gjykatës Speciale. 

“Me paditë e konfirmuara penale, më 26 tetor të vitit 2020, Gjykata Speciale arrestoi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e anëtarë të tjerë të të ashtuquajturës "ndërmarrje e përbashkët kriminale" nën akuzën, se nga mesi i marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përdorën metodat e frikësimit, keqtrajtimit, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë. Kurse Kryetarja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka mbi 2 vite që ka shprehur shqetësimin se ekzistojnë përpjekje për të minuar punën e Gjykatës Speciale, e cila po i heton krimet e pretenduara të kryera gjatë vitit 1998-2000, nga grupi i të ashtuquajturës "ndërmarrje e përbashkët kriminale"”, nënvizon Qarri. 

Rasti më i freskët i pengimit të punës së Speciales, sipas Qarrit është edhe ai nga ish këshilltarët dhe kolegët e Hashim Thaçit, shtëpitë e te cilëve edhe u bastisën së fundi në Kosovë. 

“Në fakt sipas Trendafilovës, përpjekjet për të minuar institucionet e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pranë Gjykatës Speciale nuk kanë pushuar asnjëherë, madje në kohën sa zhvillohen procedurat gjyqësore”, ato vijojnë të rriten në forma dhe mënyra të ndryshme. Rasti më i freskët ishte kontrollimi i zyrave, shtëpive private, konfiskimi i telefonave celular, kompjuterëve, laptopëve, si dhe arrestimeve të papritura të personave në anë të ndryshme të Kosovës. Kurse me kërkesë të prokurorisë Thaçit, Veselit dhe Selimit, iu ndaluan vizitat dhe komunikimi, për shkak të dyshimeve se përmes njerëzve, që i vizitonin në Hagë, ata i zbulonin emrat e dëshmitarëve të mbrojtur, një pjesë e të cilëve, edhe kishin filluar të kërcënoheshin, frikësoheshin dhe shantazhoheshin, nga persona të lidhur me treshen e lartcekur, disa prej të cilëve tani gjenden të arrestuar në Hagë”, deklaron Qarri. 

Image
Gani Qarri

Por pse pikërisht tani Trendafilova vizitoi Kosovën? 

“Andaj, pas këtyre zhvillimeve Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, duhet të ketë arsye të forta, që ka vendosur ta vizitojë Kosovën, por habit fakti se si ajo ka zgjedhur pikërisht festën e pavarësisë kombëtare të shqiptarëve, që bashkë me eskortën e saj, të vije në Kosovë. Ç`është e vërteta, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, edhe më herët, ka ngritur shqetësimin e Gjykatës për sigurinë e dëshmitarëve që janë treguar të gatshëm të dëshmojnë në këto ndjekje penale, e cila madje, ka kërkuar edhe një marrëveshje me shtetet evropiane që t’u mundësonin atyre zhvendosjen, në ndonjë shtet evropian, si masë preventive mbrojtëse”. 

“Andaj për këto dhe akte tjera, përfshi ndalimin e përkohshëm të komunikimit dhe vizitave Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit etj, Trendafilova gjatë vizitës për informimin e zhvillimit të punës së Gjykatës Speciale do t’u përgjigjet pyetjeve të shoqatave civile në Kosovë dhe të jap arsyetimin zyrtar dhe shpjegimet e nevojshme në takimin që do ta mbajë me shoqatat civile”, përfundon analisti Gani Qarri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat