Deklarata e Stoltenberg/ Paralajmërimi: Ja pse NATO mund t’i vendos bazat ushtarake në veri të Kosovës

Politika

Deklarata e Stoltenberg/ Paralajmërimi: Ja pse NATO mund t’i vendos bazat ushtarake në veri të Kosovës

Nga: P.R Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 09:37
Aleksandar Vuçiq

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se NATO-ja po shqyrton shtimin e përhershëm të trupave në Kosovë, pas situatës së krijuar së fundi në rajon.

Siç ka thënë Stoltenberg, NATO do të bëjë çdo gjë që nevojitet për të ruajtur qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor.

“Tani po shqyrtojmë nëse kjo rritje duhet të jetë më afatgjate, nëse ka nevojë për kapacitete të reja, por deri më tani kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm duke shtuar numrin e trupave tona. Gjithashtu u bëjmë thirrje edhe Prishtinës edhe Beogradit që të angazhohen në mirëbesim në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe besojmë se propozimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe mund të jetë një hap i rëndësishëm përpara për ta çuar këtë dialog në një drejtim më konstruktiv”, tha sekretari Stoltenberg.

Image
Gurakuç Kuçi

E sipas doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetët një terren i dëshirueshëm për ndikimin rus, gjë e cila ka alarmuar edhe NATO-n.

“Pozicioni strategjik i ndërtuar me durim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është rezultat i një ndërtimi të kujdesshëm që ka zgjatur gjatë një shekulli. Këto pozicionime strategjike, të përbashkëta me atlantizmin, shërbejnë si kërkesa e përbashkët e interesave të shumta. Në këtë kontekst, Ballkani Perëndimor nuk është vetëm një zonë e rëndësishme për perëndimin, por gjithashtu një terren i dëshirueshëm për ndikimin rus. Dinamika e konfrontimeve gjeopolitike ndërmjet fuqive të mëdha sot po evoluon në zonat tejet kritike të planetit. Në kohën e Luftës së Ftohtë, superfuqitë e epokës shpesh nuk përballeshin drejtpërdrejt, por operonin gjithmonë në periferi të sfidave gjeopolitike, duke patronazhuar aktorë të ndryshëm në skenën globale të konflikteve”, shprehet Kuçi për “Bota sot”.

Ai thotë se NATO është e vendosur me çdo kusht qa ta mbrojë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

“Çdo sfidë në Ballkan sjell me vete ri-pozicionime dhe shfaqje të reja në rendin gjeopolitik perëndimor, me pasoja të konsiderueshme. NATO është e vendosur të mbrojë me çdo kosto stabilitetin në Ballkan, sidomos në Ballkanin Perëndimor”, thekson Kuçi.

“Deklaratat e Stoltenberg dhe qasja e fundit e Bashkimit Evropian për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor nuk janë thjesht shenjë e angazhimit të tyre strategjik, por gjithashtu veçori të përgatitjeve për një periudhë potencialisht konfliktuale. Këto përgatitje përfshijnë edhe Serbinë, e cila, duke u orientuar nga këto plane, po e shpreh vullnetin për të mos shkuar drejt një dialogu të hapur me Kosovën, duke privilegjuar interesat e saj mbi aspiratat e bashkësisë perëndimore”, shton doktor Kuçi.

Por si mund të veprojë NATO për të penguar ndonjë konflikt të mundshëm në Ballkan, sidomos në Kosovë?

“Në këtë kornizë, NATO mund të ndërhyjë për të parandaluar një shpërthim të mundshëm duke përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Kosovës dhe duke vendosur bazat e saj ushtarake në këtë rajon sidomos në veri të Kosovës. Kjo do të krijonte një situatë ku angazhimi ushtarak do të bëhej thelbësor në Ballkanin Perëndimor. Përmes kësaj, do të dërgohej një mesazh i fuqishëm në drejtim të Serbisë, duke e informuar se era e “politikave të paqëtimit” ka përfunduar, dhe se interesat e saj duhet të nënshtrohen stabilitetit që NATO synon të krijojë në Ballkan”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat