Alarmi për luftë - eksperti i sigurisë: Ky vendim i KFOR-it, mesazh i qartë me vërejtje serioze për Serbinë

Politika

Alarmi për luftë - eksperti i sigurisë: Ky vendim i KFOR-it, mesazh i qartë me vërejtje serioze për Serbinë

Nga: A.ZH. Më: 3 dhjetor 2023 Në ora: 16:41
KFOR-i në veri të Kosovës

Përkundër deklaratës së sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, se “akumulimi i ushtrisë serbe pranë kufirit nuk ndihmon në qetësimin e situatës”, Serbia ende ka dislokuar forca në kufirin me Kosovën.

Duke komentuar lidhur me këtë situatë, eksperti për çështje të sigurisë Hysen Gecaj, ka kërkuar që të merren seriozisht edhe paralajmërimet e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, se Rusia do të nisë një luftë të re në Ballkan.

Ai ka thënë se nëse eskalon dhuna në Kosovë, përveç NATO-s, involvon edhe Shqipërinë.

Image
Hysen Gecaj

“Deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s z.Jens Stoltenberg si dhe e presidentit ukrainas Zelensky, lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë dhe Ballkan, natyrisht që duhet të merret seriozisht dhe kërkon një koordinim të mirë në mes të politikëbërësve të Kosovës dhe KFOR-it, përfshirë këtu edhe institucionet e sigurisë të Kosovës. Në këtë aspekt, bashkrënditje duhet të ketë edhe me vendet tjera të Ballkanit e në veçanti me Shqipërinë, sepse një eskalim eventual i dhunës ,automatikisht përveç NATO-s involvon edhe Shqipërinë. Këtu nuk duhet të bëhet përjashtim edhe për sa i përket Bosnjës dhe Hercegovinës,Kroacisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut”, ka theksuar Gecaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Eksperti ka vlerësuar se Rusia dëshiron të shfrytëzojë paqëndrueshmërinë e raporteve Kosovë-Serbi, që të ndezë një luftë të re, përmes shtetit të kësaj të fundit.

“Nëse flasim hipotetikisht, por duke u bazuar në zhvillimet në rajon dhe luftën që po zhvillohet në Ukrainë dhe Izrael, atëherë duhet ta kuptojmë se këto zhvillime reflektojnë edhe në sigurinë në Ballkan e në veçanti në Kosovë për shkak të raporteve të paqëndrueshme Kosovë-Serbi. Këtë raport, Rusia është e interesuar që ta shfrytëzojë dhe të ndezë një luftë e cila më pastaj do të tërhiqte vëmendjen ose pakësonte nga lufta ruse në Ukrainë. Një gjë të tillë, Rusia llogaritë që ta realizojë përmes Serbisë, e cila poashtu ka pretendime territoriale ndaj Kosovës”, ka thënë më tej Hysen Gecaj.

Por, ai ka paralajmëruar Serbinë se në rast lufte me Kosovën, do të ketë një luftë me NATO-n.

“Sa është në gjendje Serbia që të mbështes këto synime ruse në Kosovë është qështje tjetër. Serbia nuk i ka vendosur sanksione Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë dhe shumica dërmuese e popullatës serbe është proruse, mirëpo Serbia duhet të llogarisë që një luftë eventuale me Kosovën do të thotë luftë me NATO-n. Deri të një moment i tillë mund të vijë vetëm nëse Ukraina humb luftën e bashkë me të edhe NATO, edhe pse nuk është e involvuar drejt për së drejti. Deri sa nuk jemi në një stad të tillë, lufta e Serbisë kundër Kosovës dhe NATO-s do të thotë disfatë për Serbinë dhe vënia e saj nën pretoktorat ndërkombëtarë ose edhe copëtim i saj”, është shprehur eksperti.

Ai ka shtuar se “KFOR ka gjashtëfishuar praninë e trupave të NATO-s në Kosovë dhe ka trefishuar patrullimet në kufirin me Serbinë”, gjë që sipas tij, “është mesazh i qartë se loja me zjarr paraqet vërejtje serioze për Serbinë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat