Flet për “Bota sot” deputeti suedez, mik i ngushtë i Liridonës dhe Naim Murselit

Politika

Flet për “Bota sot” deputeti suedez, mik i ngushtë i Liridonës dhe Naim Murselit

Nga: A.Zh Më: 4 dhjetor 2023 Në ora: 16:07
Përkujtimi në nder të Liridonës te vendi i saj i punës në Suedi

Deputeti në parlamentin suedez, Magnus Jakobsson, ka folur pas vrasjes së Liridona Ademajt, që ndodhi natën e 29 nëntorit në Prishtinë.

Ai ka treguar në një telefonatë për gazetën “Bota sot”, se Liridona ishte shoqe e ngushtë e familjes dhe fëmijëve të tij në Suedi. Por, për shkak të rregullave strikte në institucionet suedeze, Jakobsson ka theksuar se nuk mund të komentojë lidhur me rrethanat dhe shkaqet që kanë mundur ta shtyejnë të dyshuarin Naim Murseli, ta planifikonte vrasjen e gruas së tij, Liridonës.

“Në Suedi, jam anëtar i parlamentit dhe ne kurrë nuk komentojmë rastet, të cilat janë ende nën hetime nga ana e policisë. Ne kurrë nuk e bëjmë këtë, sepse kemi shumë rregulla strikte në Suedi. Parlamenti e bën punën e vet dhe në anën tjetër, policia e bën punën e saj.

Liridona ishte shumë shoqe e ngushtë e familjes dhe fëmijëve të mi, kështu që jam akoma shumë i shokuar për atë që po ndodhë. Ajo ishte shoqe shumë e mirë e jona. Edhe mediat tjera më kanë pyetur dhe unë ju kam përgjigjur për përkujtimin që është bërë dje në vendin ku ajo kishte punuar”, ka deklaruar deputeti suedez për “Bota sot”.

Ai ka shtuar se nuk mund të spekulojë për vrasjen, por bashkëndjen dhimbjen me familjen dhe fëmijët e Liridonës.

Image
Deputeti suedeze Magnus Jakobsson

“Me të vërtetë nuk mund të spekuloj, pse ka ndodhur kjo vrasje. Nuk do ta bëj këtë, por do të vazhdoj t’iu përgjigjem të gjitha mediave, se jemi të shokuar dhe të pikëlluar. Po ndiejmë shumë dhimbje për familjen e Liridonës dhe për fëmijët e saj.

I kam parë rregullisht lajmet në Kosovë dhe po shoh se të gjithë janë të shokuar”, ka thënë Magnus Jakobsson.

Jakobsson dje ka vizituar lokalin “Lejas Café” në Suedi, ku punonte e ndjera Liridona Ademaj, nga ku shprehi ngushëllime duke theksuar se ajo ishte person i mrekullueshëm. Aty në nderim të saj u ndezën qirinj e u vendosën lule.

Për vrasjen e Liridonës, ka reaguar edhe kafiteria ku ajo punonte, duke thënë se Liridona ishte person shumë i dashur dhe se mirëpriste mysafirët e sigurohej që ata t’i dilnin të kënaqur nga kafeneja.

“Me trishtim të madh dhe zemra të rënduara duhet të njoftojmë sot se një person kaq i mrekullueshëm duhej të largohej shumë herët nga kjo botë. Një grua që vlerësonte gjithmonë klientët e saj dhe dëshironte të sigurohej që ata të kishin gjithmonë përvojën më të mirë me ne.

Ajo gjithmonë jepte 100 përqindëshin e saj në vendin e punës dhe ishte vërtetë e hareshme me një buzëqeshje që ua ngjitke shpejt edhe kolegëve, edhe klientëve. Ajo e donte jetën familjare dhe 2 djemtë e saj të mrekullueshëm më shumë se çdo gjë në botë”, thuhej në reagimin e “Lejas Café”.

Ndërsa, ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, e ka vizituar dje familjen Ademaj në Rracaj për t’u shprehur ngushëllimet për rastin e tmerrshëm të vrasjes së anëtarit të tyre të familjes Liridonës, shtetase suedeze.

Ai e ka përshëndetur reagimin e shpejtë të Policisë dhe Prokurorisë që të sjellin të dyshuarit para drejtësisë.

“Këtë mëngjes vizitova familjen Ademaj në Rracaj për tu shprehur ngushëllimet e mia të përzemërta për rastin e tmerrshëm të vrasjes së anëtarit të tyre të familjes Liridonës, shtetase suedeze. Përshëndes reagimin e shpejtë të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë për të sjell të dyshuarit tek drejtësia”, ka shkruar Westerlund në platformën X.

Gjykata Themelore e Prishtinës, dje ua ka caktuar nga një muaj paraburgim tre të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.

Sipas Gjykatës, bazuar në arsyetimin e Prokurorisë ka prova të mjaftueshme për të cilat më pas të akuzuarit do të mund të arratiseshin ose të ndikonin në prova.

Tre të dyshuarit, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë dërguar në Burgun e Sigurise së Lartë në Dyz./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat