Vrasje e grabitje/ Ekspertët: Situata e sigurisë në Kosovë është shqetësuese

Politika

Vrasje e grabitje/ Ekspertët: Situata e sigurisë në Kosovë është shqetësuese

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 6 dhjetor 2023 Në ora: 10:46
Ndezje qirinjsh për Liridona Ademajn

Mbrëmjen e 29 nëntorit Kosova është tronditur nga një vrasje, që ndodhi në Prishtinë, në realitet dy vrasje.  

Por, vrasja që bëri jehonë të madhe dhe me të drejtë, ishte ajo e Liridona Ademajt, të cilës dyshohet se i është përgatitur vrasja nga burri i saj, Naim Murseli. 

Por, Murseli është arrestuar dhe i është shqiptuar masa prej një muaj paraburgim po ashtu edhe dy të dyshuarve të tjerë të cilët kanë marrë pjesë në kryerjen e krimit makabër.  

Madje, për këtë vrasje dhe të tjerat si kjo që kanë ndodhur me herët, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist kishte organizuar protestë kundër dhunës ndaj vajzave, grave dhe femicidit.  

Tërnava: Situata kriminale e krijuar në këto kohërat e viteve të fundit në vendin tonë, tani po i shqetëson banorët e këtij vendi  

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se rasti i fundit që ndodhi me vrasjen e Liridona Ademajt, është për t’u habitur si po ri-përsëriten këto vepra makabre kriminale, ku po rrezikohen jetë të tëra të popullit.  

Sipas tij, në rastin e fundit, në realitet burri duhet t’u dal në mbrojtje familjarëve të tjerë, e që në këtë rast i gjithë dyshimi bie mbi burrin e Liridonës.  

Image
Hajrullah Tërnava

“Situata kriminale e krijuar në këto kohërat e viteve të fundit po i shqetëson banorët e këtij vendi, sidomos këto vrasje aq të shpeshta, e sidomos grabitjet e armatosura në mënyra të organizuara që po ndodhin në objekte të ndryshme dhe vende të ndryshme në Kosovë, që po i përjeton popullata e jonë, e që është për t’u habitur si po ri-përsëriten këto vepra makabre kriminale. Po rrezikohen jetë të tëra të popullit, e sidomos kur bëhet fjalë për vrasje familjare të TË afërmve, sikur në këtë rastin që bashkëshorti dyshohet se e porositi vrasjen e gruas, dhe e luan rolin e pafajshmit. Pastaj zbulohet vrasësi i paguar me 30,000 euro dhe familjari i tij si anëtar i FSK që ka kontribue me angazhimin e tij për këtë vrasje, në krejt këto rrethana të kësaj vrasje, ku nëna e dy fëmijëve e cila në kohën e vrasjes mbeti në veturë, kurse bashkëshorti e luan rolin që i merr fëmijët dhe del nga vetura kinse për t’i shpëtuar ata. Në realitet burri si familjar edhe kur t’i rrezikohet jeta e njërit nga familjarët, ai ju del në mbrojtje të gjithëve duke e rrezikue jetën e tij në mbrojtje të tyre, prandaj në këtë rast krijohet dyshimi mu te ky bashkëshort që prapa kësaj skene qëndron diçka e planifikuar”, shpjegon ai.   

Më tej, ai thotë se edhe dënimet duhet të jenë më të ashpra nga institucionet përkatëse sepse edhe kriminelët do të mendoheshin para se të vepronin.  

“Këto vepra makabere që po ri-përsëriten tani e sa kohë në Kosovë, kanë të bëjnë me institucionet shtetërore të cilat duhet t’i jetësojnë ligjet dhe kushtetutën e shtetit tonë në përpikëshmëri, por tani që paslufta e deri më tani vërehet mangësia. Kjo sepse se në ato poste janë emëruar njerëz partiak të atyre “rrahagjoksave të pasluftës” që i kanë emëruar në ato vende të njohurit-afërmit e tyre. Pra ata e kishin detyrë të ju qëndrojnë besnikë atyre që i kanë emëruar në ato poste të rëndësishme, që në ato poste ku zbatohen dhe jetësohen ato ligje tani, ata njerëz kanë lëshuar rrënjë dhe më tutje i kryejnë ato detyra sipas porosive. Prandaj, tani kriminelët të cilët kryejnë krime të shpeshta dhe të renda, ose anashkalohen për krimet e kryera apo dënohen me dënime të lehta me ndonjë vërejtje apo kushtëzime e shpesh ndodhë që ato akuza vjetërsohen dhe kryesit mbeten pa u dënuar. Prandaj, tani me këto veprime të gjyqësorit dhe prokurorisë po ballafaqohemi me këto provoja të recidivistëve, dhe në realitet dënimet duhen t’ju shqiptohen kryesve të këtyre krimeve të rënda në mënyrë të pamëshirshme, dhe shume të ashpra, që këto dënime në preventivë të ndikojnë në popullatë në përgjithësi, si dënime të rënda, që krime të tilla mos të ndodhin apo ri përsëriten më, sepse çdo vepër kryes që do me e krye veprën e rëndë kriminale, ai e llogaritë se edhe mund të zbulohet për atë vepër kriminale që e kryen, prandaj llogarit çfarë dënimi e pret atë, dhe sikur të praktikohen në baza ligjore dënimet e parapara me ligjet e Kosovës në përpikëshmëri, vepër kryesit-kriminelët që përgatiten me i krye ato krime që përgatiten për to, mund të hamendeshin apo edhe të tërhiqeshin nga ato kryerje të veprave kriminale, dhe kjo do ta kishte efektin real që një numër i atyre vepër kryesve do të tërhiqeshin nga ato kryerje të atyre veprave të rënda kriminale”, deklaron ai.  

Kelmendi: Rastet si vrasja kriminale e Liridona Murselit kërkon përgjegjësi me dënim me burg të përjetshëm  

Kurse, juristi Muhamet Kelmendi për “Bota sot” ka folur për dënimin që mund të marrin autorët.  

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas tij, Kosova nuk e ka ligj dënimin e vdekje, por e ka atë me burgim të përjetshëm, andaj edhe dënimi i tillë është adekuat dhe kryesi vetëm kështu e ndjenë peshën e krimit.  

“Tash nuk e kemi dënimin me vdekje në Kosovë. Kjo është rezultat i shoqërisë humane, të cilën e ndjekë UE dhe shume shtete demokratike. Këtë e kemi edhe në Kosovë.  

Mendohet se dënimi me vdekje është jo human dhe antinjerëzor. Natyrisht se ka mendime për dhe kundër mendime të dënimit me vdekje.  

Parimisht, mendohet se dënimi me vdekje ndikon në frikësim të dorasëve. Të tjerët thonë se ky dënim vetëm e rrit dhe e bënë më të rëndë krimin dhe vrasjet.  

Sidokudo, nuk duhet të shkohet nga dënimi me vdekje. Është masë mjaft adekuate dënimi me burg të përjetshëm, sepse me këtë rritet ndëshkimi dhe njeriu më mirë e kupton veprën e tillë penale”, thotë ai.  

Kelmendi për vrasjen e Liridonës thotë se kryesit duhet të dënohen me burgim të përjetshëm, por që gjithsesi ai deklaron se ky vendim i takon gjykatës.  

“Vrasja ndikon aty për aty. Nuk ka mundësi të ndëshkimit dhe të përgjegjësisë graduale. Dënimi me burg të përjetshëm është shumë adekuat dhe i dënuari e ndjenë për çdo ditë peshën e krimit.  

Rastet si vrasja kriminale e Liridona Murselit kërkojnë përgjegjësi me dënim me burg të përjetshëm të vrasësve dhe të kujtdo që ka marrë pjesë në krim.  

Dënimi me burg të përjetshëm është masë adekuate e ndëshkimit të autorit apo autorëve të veprës kriminale. I takon gjykatës të vendos”, përfundon ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat