Bytyçi shprehet i zhgënjyer me Albin Kurtin, tregon çka po tenton të korrigjojë Vjosa Osmani

Politika

Bytyçi shprehet i zhgënjyer me Albin Kurtin, tregon çka po tenton të korrigjojë Vjosa Osmani

Nga: P.Rudi Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 07:59
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar një takim me partitë opozitare në lidhje me draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Siç ka thënë Osmani, të gjitha partitë do t’i thërras në takim ditëve më vijim për t’i marrë shqetësimet e tyre sa i përket draftit të dorëzuar nga euro-amerikanë.

E lidhur më këtë iniciativë të presidentes Osmani, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi.

“Është hera e dytë që presidentja e Republikës së Kosovës reagon lidhur me projektin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke dhënë njëlloj alarmi sa i përket disa aspekteve të marrëveshjes që pritet të firmoset. Duhet ditur se marrëveshja është pranuar në parim nga ana e kryeministrit Kurti. Sigurisht që dakordësia për ta dërguar për verifikim në Gjykatë Kushtetuese para se ajo marrëveshje të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, është diçka e rëndësishme dhe një lloj sigurese. Por për mendimin tim kjo është e pamjaftueshme”, shprehet Bytyçi.

“Kosova ka një përvojë të gjatë prej më shumë se një dekadë sa i përket përpjekjeve dhe draft-marrëveshjeve për të ngritur këtë lloj Asociacioni. Ka gjithashtu ekspertë të aftë të fushës me të cilët duhet e madje duhej konsultuar për këtë çështje. Këto filtra duhen kaluar dhe mbajtur parasysh edhe pse marrëveshja do të verifikohet në Gjykatën Kushtetuese”, thotë Bytyçi.

Më tej, ai shprehet i habitur me kryeministrin Kurti, për të cilin, Bytyçi thotë se tanimë e ka pranuar formimin e Asociacionit.

“Unë e kuptoj pozicionin shumë të vështirë të zotit Kurti në raport me disa ndërkombëtarë evropianë, sidomos ata francezë, por edhe me Borrellin dhe Lajçakun. Por sinqerisht se nuk kam pritur se do të pajtohet kaq shpejt me një Asociacion, për të cilin ka shumë vërejtje dhe madje është e shqetësuar kryetarja e shtetit. Megjithatë tani jemi para një situate të re të krijuar pas angazhimit të zotit Kurti për krijimin e këtij Asociacioni. E shoh me vend gjithashtu kritikën e zotit Ramush Haradinaj, kur pyet se pse kryeministri i Kosovës nuk hartoi një statut të qeverisë për ta paraqitur si alternativë në Bruksel. Me zotin Haradinaj nuk jam pajtuar me shumë kritika emocionale të tij kundër qeverisë. Por në këtë rast mendoj se ka të drejtë. Ne që kemi folur e shkruar për këtë çështje ia kemi rekomanduar vazhdimisht”, thekson Bytyçi për “Bota sot”.

“Sinqerisht kam pritur se zoti Kurti do ta merrte modelin kroat dhe do ta modifikonte në kushtet e Kosovës për tua dhënë si formulë evropianëve. Nuk e bëri. Nuk e di pse! Megjithatë, e përsëris, tani jemi në këtë situatë”, shpjegon Bytyçi.

Profesor Bytyçi thotë se është edhe një shpresë, që presidentja Osmani po tenton të korrigjojë ose riparojë çfarë mund të riparohet në atë marrëveshje.

“Vjosa nuk ka thënë nëse ka biseduar dhe çfarë ka biseduar me kryeministrin për këtë çështje. Nuk ka shpjeguar nëse është rakorduar me shefin e qeverisë edhe për konsultimet që dëshiron ti bëjë me partitë opozitare. Megjithatë do të ishte e dobishme, shumë e dobishme, që konsultimi të bëhet me të gjitha partitë parlamentare të Kosovës. Madje edhe me përfaqësuesit serbë në ekzekutivin e Kosovës”, thotë Bytyçi, sipas të cilit, presidentja Osmani ka një kopje të projektit të Asociacionit.

“Besoj se ky lloj konsultimi është tashmë i përgatitur. Presidentja natyrisht që e ka një kopje të projektit të dakorduar dhe ka mundësi të ketë shënuar me ekspertizë se ku janë problemet e diskutueshme që paraqesin rrezik për shtetësinë, funksionalitetin e qeverisjes e ndoshta edhe për integritetin territorial të Kosovës. Kjo duhet të jetë fryma me të cilën duhet të angazhohen të gjithë aktorët politikë parlamentarë, por edhe shoqëria civile në Kosovë. Nëse është rënë dakord që projekti të mos publikohet, çështjet e kontestuara mund të bëhen publike dhe të bëhen objekt i tërheqjes së mendimit të shoqërisë civile”.

Bytyçi deklaron se iniciativa e Osmanit i afron partitë opozitare në një qëndrim të unifikuar sa i përket dialogut në përgjithësi dhe krijimit të Asociacionit në veçanti.

“Një vendimmarrje gjithëpërfshirëse është shumë e domosdoshme. Opozita është në komoditet më të mirë për të qenë gardiane e shtetësisë dhe territorit të Kosovës, pavarësisht se një pjesë e saj ishte fajtore dhe e përfshirë në atë që në vitin 2017-2020 quhej korrigjim i kufijve. Secili opozitar duhet të ndjehet mirë, nëse reflekton për një qëndrim të imponuar apo të dëshiruar të para disa viteve. Ajo që druhem se mund të ndodhë lidhet me krijimin e ndonjë të çare midis institucionit të presidentit dhe qeverisë. Ne shqiptarët jemi pak ose shumë egoistë dhe nuk pranojmë kritika aq lehtë. Shpresoj se kryeministri Kurti ta ketë tejkaluar këtë tipar, për shkak të dashurisë së jashtëzakonshme që ai ka për Kosovën e atdheun. Ta duash atdheun e kombin e njëkohësisht të jesh egoist deri në mospranim të kritikës e madje të ndonjë dështimi, këto të dyja nuk shkojnë bashkë. Prandaj dhe shpresoj shumë se zoti Kurti do të gjejë mirëkuptim të plotë me zonjën Osmani dhe do të punojnë bashkë me opozitën për të gjetur një konsensus të plotë me të gjithë aktorët”.

Për fund, Bytyçi kërkon që aktorë jashtë kufijve të Kosovës, përfshirë dhe ata të Shqipërisë, duhet të mbahen larg.

“Unë i përkas Shqipërisë dhe sinqerisht nëse vërej se bëj sado pak dëm me qëndrimet e mia, jam gati të hesht. Por nëse jap ndonjë këshillë që më buron nga informacioni teorik, bindjet dhe zemra, kjo besoj vetëm se ndihmon. Bashkësia ndërkombëtare perëndimore po kërkon vazhdimisht që të zbatohet marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. Edhe unë mendoj se koha është në fundin e saj. Jo vetëm për shkak të planeve ruse e serbe për destabilizim të Kosovës e të rajonit. Por edhe për shkak të zhvillimeve të paparashikueshme gjatë vitit të ardhshëm elektoral në BE e në SHBA. Por kjo nuk do të thotë se duhet zhbërë Kosova në këmbim të shpejtimit në kohë. Koha dhe hapësira janë dy elementët kryesorë të analizave filozofike e për pasojë edhe politike e teorike. I lumtur është ai që i kombinon dhe harmonizon në ekuilibër këta dy elementë”, përfundon për “Bota sot”, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat