Kosova pothuajse e fundit në testin PISA/ Shqetësohen ekspertët, tregojnë si mund të përmirësohen rezultatet

Politika

Kosova pothuajse e fundit në testin PISA/ Shqetësohen ekspertët, tregojnë si mund të përmirësohen rezultatet

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 7 dhjetor 2023 Në ora: 17:37
Foto ilustrim

Të martën janë publikuar rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022 dhe Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit. 

Kosova ka zënë vendin e 78-të nga 80 shtete pjesëmarrëse, pra ka rënie nga viti 2018 për 11 pikë. 

Vendi ka zënë pozitën e 76-të për lexim, 77-të për shkencë si dhe pozitën e 74-të për matematikë. 

Këto rezultatet nuk po “pranohen” nga SBASHK, që sipas kryetarit të kësaj sindikate Rrahman Jasharaj, vendi nuk e ka arsimin aq të dobët sa është paraqitur në këtë test. 

Ai madje, i ka bërë apel ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci që t’i lejë inatet të thërrasë të gjitha palët që janë të ndërlidhura me arsimin në Kosovë, e që sipas tij, të mos drejtohet gishti vetëm kah mësimdhënësit. 

“Ishte një lajm i keq që na jep alarm që duhet bërë angazhime të përbashkëta për ta ndryshuar gjendjen. Unë jam i sigurt që arsimin nuk e kemi aq dobët sa jemi prezantuar në këtë test, por edhe dje në media të nderuara edhe sot i bëj apel ministres Nagavci që t’i lejë inatet nga greva, që t’i thërrasë të gjitha palët që janë të ndërlidhura me arsim. Në radhë të parë Akademinë e Shkencave dhe Arteve, pastaj SBASHK-un, përfaqësues të Këshillit të Prindërve, ekspertë të mirëfilltë, pastaj profesorët e nderuar nga Fakultetet, të ulemi bashkë dhe ta analizojmë një për një të gjitha çështjet në arsim”, tha Jasharaj. 

Por, këto rezultate janë shqetësuese për analistët dhe ekspertët e arsimit, që sipas tyre testi PISA është dëshmi valide e cilësisë së vërtetë të mësim nxënies në shkollat e Kosovës. 

Qehaja: Testi PISA është dëshmi valide e cilësisë së vërtetë të mësim nxënies në shkollat tona  

Eksperti i arsimit, Rinor Qehaja, thotë se përtej çfarëdo dokumenti, apo reforme, vëmendja duhet të kthehet në klasë. 

Image
Eksperti i arsimit, Rinor Qehaja

Sipas tij, rezultatet duhen të jenë në shërbim për politikat arsimore që nxisin përmirësimin e cilësisë. 

“Ishte vështirë e besueshme te pritej të ketë një performancë më të mirë në testin PISA kur mësimdhënia ne klasa vazhdon të ketë në qendër të mësuarit mekanik, pra, përtej çfarëdo reforme tjetër, çfarëdo dokumenti tjetër strategjik, vëmendja duhet të kthehet në klasë, pra, cila është cilësia e mësimdhënies në klasë. Testi PISA është dëshmi valide e cilësisë së vërtetë të mësim nxënies në shkollat tona dhe këto rezultate duhet të jene në shërbim për politika arsimore që nxisin përmirësimin e cilësisë”, deklaron Qehaja. 

Ndaj rezultateve të testit PISA, kanë reaguar partitë opozitare përmes konferencave. 

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar Ministrinë e Arsimit, duke thënë se ata kanë dështuar në organizimin e testeve kombëtare dhe arsimi nuk është prioritet i kësaj qeverie. 

“Të dhënat janë tepër shqetësuese, kur nxënësit tanë tregojnë rezultate të dobëta në matematikë e shkencë”, ka thënë Jehona Lushaku nga LDK. 

Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës  thotë se  u konfirmua “zyrtarisht se analfabetizmi qeveritar nuk arriti ta reformojë sistemin arsimor në Kosovë”. 

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha në një konferencë për media tha se me Qeverinë Kurti në tri vitet e fundit, kriza në arsim vetëm sa është thelluar edhe më shumë. 

“Nuk mund të presim përmirësim të cilësisë në Arsim, kur Qeveria Kurti me veprimet e saj ka vendosur në pikëpyetje kredibilitetin e pothuajse secilit mësimdhënës në Kosovë. Në vend se, t’u ofrojë mbështetje për zhvillim, të aftësive dhe shkathtësive të reja të kohës, siç kishte premtuar, e për të cilat fëmijët tanë kanë kaq shumë nevojë. Çfarë na dëshmohet ne sot, është që nxënësit ngarkohen me libra e informata sasiore, por jo me zhvillim dhe përgatitje cilësore. Dhe kjo, i atribuohet kësaj Qeverie e cila pushtetin e ka marrë duke u thirrur në reformë, por me logjikën si kanë funksionuar këto tri vite, kanë dështuar jo vetëm ata, por ka dështuar edhe Kosova. PISA sot është pasqyra e vërtetë e qeverisjes së Albin Kurtit”, tha ajo. 

Duhanaj: Fajin kryesor e ka Ministria e Arsimit, gjegjësisht Qeveria 

Ndërsa, rezultatet i konsideron shqetësuese edhe analisti politik Leon Duhanaj, i cili thotë se nëse do të duhet të flitet për shkallën e përgjegjësisë, atëherë nuk e merr askush. 

Image
Leon Duhanaj

Sipas tij, debati për rezultatet e PISA-s do të mbyllet, kjo për shkak se nuk ka arsim, shkencë e as shtet. 

“Sa i përket çështjes, përkatësisht raportit të PISA, natyrisht që është tejet shqetësues fakti, që Kosova del të jetë e renditur fare në margjinat e listave. Megjithatë kur flasim për shkallën e përgjegjësisë, atëherë vlen të theksohet se në fakt tek ne nuk ka, gjegjësisht, nuk merr përgjegjësi askush dhe asnjëherë. Ne jemi shoqëri, e cila çdo temë, qoftë ajo pozitive apo edhe negative, gjegjësisht skandaloze, vëmendja e opinionit, përkatësisht debati publik, nuk zgjat më shumë se tre ditë. Kjo le të kuptojmë, se në shoqërinë kosovare gjithçka bëhet veç sa për sy e faqe, sa me u dukur, e sa me u shprehur. Me së largu në të katërtën ditë nëse nuk ka ndodhë ndonjë temë me e rëndësishme me herët, mbyllet çdo debat. Edhe ky i PISA-s do të mbyllet pas tre ditësh, sepse, në fakt ne nuk e kemi as arsimin, as shkencën, as shtetin përnjëmend”, pohon Duhanaj. 

Sipas tij, prindërit e fëmijëve nuk shqetësohen për këto rezultate, por shqetësohen për imazh. 

Fajin kryesor ai ia lë Ministrisë së Arsimit, gjersa shton se Kosova duhet të themelojë laboratorë shkencorë dhe jo dhoma për nxënës, studentë e mësimdhënës që falen. 

“ Vetë Qeveria, si bartëse e çdo procesi në shtet, nuk e njeh shtetin si vazhdimësi. Madje këtyre ditëve njëri nga ministrat e përforcoj pozicionin e partisë në pushtet rreth shtetësisë së Kosovës, duke pohuar se Kosova është projekt i përkohshëm. Pra, s'kemi çfarë presim me shumë, pasi që po të ishim shoqëri normale, shtet me qeveri normale, dikush do duhej të merrte përgjegjësi për ketë. Por këtu krerët qeveritarë as qe marrin mundin të prononcohen, e lëre më të marrin ndonjë përgjegjësi. Hiç më mirë nuk qëndron situata as në segmentet tjera institucionale të cilat kanë përgjegjësi në arsim dhe shkencë. Ne jemi thjeshtë shoqëri konsumuese jetojmë veç sa për të ngrënë. Në këtë vazhdë kalojnë edhe prindërit e fëmijëve nuk shqetësohen aspak për nivelin e dijes së fëmijëve të tyre, sa shqetësohen për imazhin, dukjen sa me in. Pra me rëndësi pjesëmarrja, e jo kapitali i dijes të cilin e merr apo do të mund ta merrte. Natyrisht që fajin kryesor e ka Ministria e Arsimit, gjegjësisht Qeveria dhe duhet të marrë përgjegjësi. Por, nëse ne si shoqëri e terë, nuk fillojmë ta kërkojmë përgjegjësinë secili nga vetja e ti/ sajë, atëherë vajhalli për të ardhmen tonë! Në Kosovë, në vend që të themelojmë laboratorë shkencor, hapen dhoma ku nxënës, student e mësimdhënës mund të falen, prandaj një qeveri, një shtet, një shoqëri që fokus kryesor, ka botën pas kësaj jete, nuk i duhen as sukseset në ketë botë reale”, shton Duhanaj. 

Ndryshe, pas rezultateve të PISA-s një aksion në Ministrinë e Arsimit ka pasur Partia Socialdemokrate, ku në objekt kanë shkruar “900 ditë mungesa pa arsye” dhe kanë kritikuar ministren Arbërie Nagavci që sipas tyre përgjatë tërë këtyre ditëve ka mungesa të paarsyeshme dhe nuk është përjashtuar nga shefi i saj, Albin Kurti. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat