Shkelja e marrëveshjeve me Kosovën nga Serbia/ Analistët japin një paralajmërim të fuqishëm!

Politika

Shkelja e marrëveshjeve me Kosovën nga Serbia/ Analistët japin një paralajmërim të fuqishëm!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 7 dhjetor 2023 Në ora: 19:00
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Deklaratat dhe veprimet provokuese të Serbisë ndaj Kosovës janë në rritje. 

Ditë më parë, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq tha në Shkup se Kosova nuk do të bëhet kurrë anëtare e OSBE-së. 

Kjo deklaratë sjelli reagimin e mënjëhershëm të  Edward P. Joseph, ekspert i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe profesor amerikan në Universitetin “John Hopkins” në Uashington. 

Joseph tha se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Ohrit, duke iu referuar deklaratës së Daçiq: ditë më parë në Shkupi tha se Kosova nuk do të bëhet kurrë anëtare e OSBE-së. 

Ai tha se deklarata e ministrit serb është kundër Marrëveshjes së shkurtit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se SHBA-ja dhe BE-ja duhet t'i kushtojnë vëmendje kësaj deklarate. 

“Kjo qartazi bie ndesh me nenin 4 të Marrëveshjes BE/SHBA për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar në shkurt. Deklaratat e Daçiqit në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup javën e kaluar shkojnë përtej retorikës zgjedhore. Ato janë shprehje e qartë e politikës së Kahmit për serbët Zyrtarët e SHBA/BE: mbani shënime”, tha profesori amerikan. 

Përballë kësaj situate, si mund të jetë rrjedha e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? 

Qarri: Kosova në asnjë mënyrë nuk mund të heq dorë nga arritja përfundimtare e një marrëveshje 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri. 

Image
Gani Qarri. 

Ai thotë se Serbia ka prioritet provokimet luftënxitëse dhe krijimin e pengesave të patejkalueshme për Kosovën në rrugëtimin e saj për integrime euro-atlantike. 

“Në fakt duke pasur parasysh se përveç deklaratave të Daçiqit edhe grupi prej dhjetë kandidatëve opozitar për deputetë në Kuvendin e Serbisë nga lista e ashtuquajtur “Serbia kundër dhunës” të cilët me 4 dhjetor vizituan komunat e banuara me pjesëtar të pakicës serbe në Kosovë, dhe deklaruan se janë të gatshëm ta vazhdojnë dialogun, por se “nuk do ta pranojnë kurrë pavarësinë e Kosovës apo anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara” dhe organizatat tjera ndërkombëtare, me mesazhet të njëjta si ato të Daçiqit, që edhe opozita u dërgon serbëve lokal, dëshmohet se Serbia në vend të marrëveshjes, prioritet i ka provokimet luftënxitëse si dhe krijimin e pengesave të patejkalueshme për Kosovën në rrugëtimin e saj për integrime euro-atlantike. 

Kështu që përpjekjet e Kosovës për konsolidimin e saj si shtet i pavarur, sado që pas ardhjes së Qeverisë Kurti në pushtet një numër shumë i madh i qytetarëve serbë edhe në pjesën veriore të vendit kanë marrë dokumentet e Kosovës, e së fundi janë pajisur edhe me tabelat RKS, si dhe i kanë regjistruar bizneset e tyre në institucionet komunale e shtetërore të Kosovës, pikësëpari duhet të integrohen mjediset me shumicë serbe, duke ndaluar rreptësishtë funksionimin e institucioneve të Serbisë, sepse integrimi i serbëve lokal, vazhdon të pengohet, pikërisht nga institucionet ilegale të Serbisë në Kosovë dhe vet qeveria serbe”, u shpreh ai. 

Më tej, analisti thekson që tensionet mes dy vendeve do të vazhdojnë derisa ndërkombëtarët nuk marrin masa strikte ndaj Serbisë. 

“Në fakt Këshilli Evropian ka kërkuar që rrugëtimi i Serbisë për integrim në BE, të lidhet me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit si dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Por pa një presion të sinqertë dhe të mjaftueshëm ndërkombëtar ndaj Serbisë, e cila vazhdon  t’i minojë publikisht proceset integruese të pakicës serbe në Kosovë, në mënyrë që ta ruaj ndikimin e deritanishëm, në veri të Kosovës, përfshi deklarimet e opozitës serbe kundër Kosovës dhe  ato të Daçiqit & Co që shkelin me të dy këmbët marrëveshjen e dakorduar në Bruksel dhe Ohër, shihet qartë se nuk do të ketë përmbyllje të shpejtë të këtyre problemeve, për të cilat përgjegjësinë kryesore e bart vet BE, por edhe SHBA dhe faktori ndërkombëtar. 

Kjo për vet faktin se problemet e hapura dhe konfliktet e iniciuara nga Serbia po e pengojnë edhe integrimin e pakicës serbe në jetën normale të qytetarëve dhe përfshirjen e tyre në institucionet komunale e qendrore të Kosovës, gjë që duket se Serbisë, po i ndihmon edhe mungesa e qasjes gjithëpërfshirëse e Qeverisë së Kosovës, për t’i integruar serbët lokal në institucione dhe sistemin ekzekutiv të vendit tonë”, shpjegon analisti. 

Qarri më tej, komenton deklaratën e Joseph-it, duke thënë që Serbia ka shkelur marrëveshjet më herët dhe po vazhdon përsëri. 

“Dhe ashtu siç u shpreh edhe eksperti i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, profesori amerikan i Universitetit “John Hopkins” në Washington, Edward P. Joseph, duke iu referuar deklaratës së Ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili në Shkup ditë më parë deklaroi se Kosova kurrë nuk do të bëhet anëtare e OSBE-së, Serbia ka shkelur dhe vazhdon ti shkel përsëri, me të dy këmbët Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit. 

Ndaj, kjo nuk mjafton të citohet, dënohet apo vetëm çartohet shkarazi, por edhe duhet të ndalohet, përndryshe kërkohet të sanksionohet në mënyrën më të rëndë nga SHBA, BE dhe faktori ndërkombëtar, nëse njëmend, synohet të paktën nga ata, arritja e marrëveshjes përfundimtare dhe garantimi i paqes së qëndrueshme në rajonin e trazuar, pikërisht nga Serbia hegjemoniste, në gjithë Ballkanin Perëndimor”, thotë Qarri. 

Në fund, analisti përmend kushtëzimin që Këshilli Evropian i ka bërë Serbisë për integrimin e saj në BE, e që sipas tij mund të sjellë kjo gjë një marrëveshje finale. 

“Ç` është e vërteta kohët e fundit raportet e Serbisë me Kosovën, sikur janë kthyer në temë të veçantë edhe për BE-në dhe Këshilli Evropian, i ka kërkuar Komisionit të BE-së, që urgjentisht  të bëjë plotësim-ndryshimin e kritereve të Kapitullit-35, për Serbinë, dhe përfundimisht, ky kapitull të përfshijë "Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve me Kosovën, si kusht kryesor për avancimin e Serbisë në rrugëtimin drejt BE-së. 

Kështu që kërkesa e Këshillit Evropian për kushtëzimin e integrimit të Serbisë në BE, me normalizimin e marrëdhënieve të saj me Kosovën, mendohet se mund të kthehet në një rrugë një kahesh, që do të qojë në njohjen reciproke dhe marrëveshjen përfundimtare në mes të dy vendeve si shtete të pavarura fqinje, përndryshe në rast të moszbatimit të marrëveshjes, thuhet se BE është e gatshme të shqyrtojë masat shtrënguese edhe ndaj Serbisë. 

Përndryshe sjelljet kontroverse dhe deklaratat e pareshtura të Serbisë, kundër avancimit të shtetësisë dhe pranimit të saj në OKB, përkundër obligimeve të marra nga marrëveshja e dakorduar në Bruksel dhe Aneksi i Ohrit, si dhe qëndrimet jo sa duhet serioze e të lëvizshme të BE-së. Dëshmojnë se Kosova në asnjë mënyrë nuk mund të pajtohet me zgjidhje të pjesshme të problemeve dhe të heq dorë nga arritja përfundimtare e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht të obligueshme, me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, nënvizoi Qarri për “Bota sot”. 

Mehmeti: Vet BE e ka “ledhatuar” Serbinë 

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që nuk është befasi që Serbia shkel marrëveshjet me Kosovën, pasi Daçiq ndjek politikën e Millosheviqit. 

“Nuk është befasi që Serbia ka shkelur marrëveshjet me Kosovën, këtë gjë e ka bërë shumë herë. Deklarata e Daçiqit është në vazhdën e deklaratave të tij antishqiptare dhe s’mund të pritet ndryshe nga “Millosheviqi i vogël”. Në këtë kuptim, e vlerësoj shumë me vend deklaratën e z.Joseph por nuk mgafton kaq derisa Serbia nuk ndëshkohet për shkelje të marrëveshjeve”, thotë ai. 

Në fund, analisti shton që ndërkombëtarët e kanë “ledhatuar” Serbinë, në këtë mënyrë ajo krijon forcë për të provokuar ende. 

“Vet BE e ka “ledhatuar” Serbinë, ajo vetëm kur sheh forcën e reagimit dhe sanksioneve respekton marrëveshje, ndryshe asnjëherë dhe këtë gjë duhet bashkësia ndërkombëtare ta ketë parasysh”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat