Asociacioni në këmbim të heqjes së sanksioneve? Vazhdon qasja e padrejtë e BE-së ndaj Kosovës

Politika

Asociacioni në këmbim të heqjes së sanksioneve? Vazhdon qasja e padrejtë e BE-së ndaj Kosovës

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 8 dhjetor 2023 Në ora: 08:02
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Në draftin e konkluzioneve që pritet të miratohen nga vendet anëtare të BE-së në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, më 12 dhjetor, sa i përket masave  që BE-ja i ka vendosur ndaj Kosovës, të cilat janë arsyetuar me “mungesën e hapave për të shtensionuar situatën në veri”, shprehet gatishmëria që ato masa të hiqen, në rast se do të ketë progres në përmbushjen e kërkesave. 

“Këshilli mirëpret ndërmarrjen e hapave drejt zbatimit të disa kërkesave të BE-së. Këshilli rikujton se BE-ja mbetet e gatshme që t’i heqë masat, në rast të progresit të mëtejmë në përmbushjen e kërkesave ekzistuese”, thuhet në tekstin që ka parë REL-i. 

Por analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike, thonë se Bashkimi Evropian po tregohet i padrejtë ndaj Kosovës, përderisa në anën tjetër nuk po e sanksion Serbinë për veprimet e saja, sidomos pas sulmit terrorist në veri të Kosovës. 

Sanksionet ndaj Kosovës 

Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi shprehet se BE po përdor gjuhë të butë ndaj Serbisë. 

“Raporti i Këshillit të Evropës edhe pse del nga një institucion kredibil ata megjithatë përdorin diplomacinë dhe subjektivitin në shkallë të ndryshme në varësi të raportit specifik dhe kontekstit të rrethanave. Ndërsa transparenca është një vlerë thelbësore e BE-së dhe institucioneve të saj, ka raste kur diplomacia dhe disa nivele subjektiviteti konsiderohen të nevojshme për të arritur objektiva specifike. Kjo mund të përfshijë përdorimin e gjuhës së zbutur ndaj një pale, gjuhë të ashpër kundër një pale tjetër si imponim, shmangien e kritikave të drejtpërdrejta të vendeve ose individëve të caktuar, prioritizimin e angazhimit konstruktiv mbi konfrontimin publik, etj. Subjektiviteti mund të hyjë në raportet e Këshillit nëpërmjet përzgjedhjes së të dhënave, interpretimit të gjetjeve dhe kornizës së konkluzioneve”, thotë Kuçi. 

Image
Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi

Sipas tij, përmes sanksioneve, Bashkimi Evropian po tenton që ta shtyjë Kosovën që ta zbatojë Asociacionin. 

“Konkretisht edhe në rastin e Kosovës, BE-ja është duke e mbajtur palën e Kosovës nën përgjegjësinë e zbatimit të marrëveshjeve pasi e ka zënë keq palën kosovare me sanksionet të cilat i janë vënë më herët. Nën trysninë e sanksioneve BE-ja synon që ta shtyjë palën Kosovare ta zbatojë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit e sidomos sa i përket zbatimit të asociacionit”, shpjegon Kuçi. 

“Në ato pika që është publikuar drafti nga REL vlen të theksohet se në raport do i kërkohet Kosovës dhe Serbisë që përveç zbatimit të marrëveshjeve bazë ato duhet të angazhohen edhe “për të arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese me Kosovën, për normalizimin e raporteve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me ligjet e BE-së, pa vonesa tjera”. Po ashtu sipas draftit lëmë të kuptojë që raporti ka për synim të shpërfaq interesat gjeopolitike të BE-së përtej asaj që raporti të jetë me një përmbajtje thjeshtë teknike”, shton profesor Kuçi. 

Më tej, ai thotë se raporti ka për synim të tregoj se Kosova dhe Serbia duke qenë pjesë e interesit gjeopolitik perëndimor janë të obliguar ose të zbatojnë kërkesat e BE-së ose do të izolohen. 

“Raporti tregon edhe një fakt të dështimit të Kosovës që të bëjë një diplomaci ujëvarë në interes të saj, qeveria mbetet prapë e papërgjegjshme në marrëdhëniet ndërkombëtare duke mos ditur se si të funksionoj në këto dinamika të fuqishme”, përfundon doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi. 

BE me dy standarde 

Kurse analisti Faton Mehmeti thekson se Bashkimi Evropian po luan  e dy standarde karshi Kosovës dhe Serbisë. 

“Faktikisht BE po tregohet e padrejtë ndaj Kosovës, po luan me dy standarde. Derisa për Serbinë nuk u vendosen sanksione për sulmin terrorist të 24 shtatorit, Kosova vuan sanksionet vetëm se zbatoi vendimin sovran për të dërguar në vendet e tyre të punës kryetarët e komunave në veri, e të cilat për ironi vet BE i ka mbështet dhe përshëndet zgjedhjet në veri”, deklaron Mehmeti. 

Image
Analisti Faton Mehmeti

“Kështu që, është hipokrite të mundohesh me ndrydhe Kosovën deri në fund e Serbinë me ledhatu deri edhe në sulme terroriste. Kosovës po i kërkohet Asociacioni që BE të heq masat-sanksionet, me Kurtin që nuk duhet të lëshojë pe, sanksionet sado të zgjasin janë të përkohshme, derisa dëmi që i bëhet ndaj vendit është i përhershëm”, përfundon Faton Mehmeti për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat