Ambasadori amerikan kërkoi zbatim urgjent/ Qarri: Nuk ka gjasa për zbatim të marrëveshjes brenda 2023-tës

Politika

Ambasadori amerikan kërkoi zbatim urgjent/ Qarri: Nuk ka gjasa për zbatim të marrëveshjes brenda 2023-tës

Nga: Havë Orana Xhukolli Më: 9 dhjetor 2023 Në ora: 08:05
Jeffrey Hovenier

Liderët evropianë do t'i bëjnë thirrje Serbisë dhe Kosovës që "të respektojnë dhe zbatojnë plotësisht" Marrëveshjen e Brukselit. Kështu bërë e ditur ditë më parë në mediat serbe.  

“Këshilli Evropian do t'i kërkojë Komisionit Evropian që "të paraqesë urgjentisht një propozim për ndryshime në kriteret nga Kapitulli 35", i cili do të përfshinte Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin për zbatimin e saj në atë kapitull negociues me Serbinë”.  

Hovenier për zbatimin e marrëveshjes: Kjo është çështje me rëndësi dhe mjaft urgjente  

Ditë më parë, Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffry Hovenier ka folur për nevojën urgjente që Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen për Rrugën Drejtë Normalizimit.  

“Ka pasur një varg deklaratash nga bashkësia ndërkombëtare, nga kancelari i Gjermanisë, presidenti i Francës dhe kryeministrja e Italisë, për të dy vendet për të zbatuar në tërësi dhe shpejt të gjitha detyrimet e marra sipas Marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit. Shtetet e Bashkuara pajtohen tërësisht me këtë. Gjithashtu, mendojmë se kjo është çështje me rëndësi dhe mjaft urgjente. Sa i përket asaj se a po zbatohet plotësisht, mendoj se përgjigja është jo, jo ende, por po ashtu e di që po vazhdon puna përkitazi me përfaqësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak dhe ekipin e tij, për tu përpjekur për të ardhur deri te një mirëkuptim i përbashkët rreth mënyrës më të mirë për të zbatuar këto marrëveshje. Por, të mos ketë asnjë gabim, ajo që Shtetet e Bashkuara shpresojnë të shohin, presin të shohin është zbatim i plotë dhe i tërësishëm nga të dy palët të të gjitha detyrimeve sipas marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit”, ka thënë Hovenier.  

Mirëpo, cilat janë gjasat që brenda 2023-tës të arrihet një marrëveshje e nënshkruar nga të dyja palët?  

Qarri: Rrugëtimi i Serbisë për integrim në BE, të lidhet me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit  

Lidhur me këtë çështje ka folur për ‘Bota sot’, analisti politik, Gani Qarri.   

Ai thotë se, siç raportohet në media, Këshilli i BE-së, ka kërkuar edhe në mënyrë zyrtare, që rrugëtimi i Serbisë për integrim në BE, të lidhet me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit si dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, kështu që, duket se Serbisë, përfundimisht po i kushtëzohet mundësia e integrimit në BE dhe kërkesa e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, po kthehet në një rrugë një kahesh, që detyrimisht do të qojë në njohjen reciproke dhe marrëveshjen përfundimtare në mes të dy shteteve të pavarura.   

"Madje në negociatat për anëtarësim të Serbisë në BE, Këshilli Evropian, ka paralajmëruar se do t’i kërkojë Komisionit Evropian që të bëjë urgjentisht ndryshimin dhe plotësimin e kritereve të Kapitullit-35, për Serbinë, në mënyrë që ky kapitull, të përfshij edhe Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe aneksin për zbatimin e saj. Kurse përveç Këshillit të BE-së, liderët e të cilit, u bëjnë publikisht thirrje Serbisë dhe Kosovës që "të respektojnë dhe zbatojnë plotësisht" Marrëveshjen e dakorduar të Brukselit, ndërkohë edhe Ambasadori amerikan Hovenier ka kërkuar që, siç shprehet ai, "brenda këtij muaji" Kosova dhe Serbia të gjejnë një zgjidhje, si dy shtete, përderisa nga vet BE, pretendohet që fundi i janarit 2024, të jetë afati i përmbushjes së këtyre detyrimeve”, vlerëson Qarri.  

Image
Gani Qarri

Tutje, Qarri thotë për ‘Bota sot’ se, sipas udhëheqësve të vendeve anëtare të BE-së, dështimi i zbatimit të marrëveshjes në terren do të ketë pasoja dhe nëse shihet si e nevojshme, BE, është e gatshme të shqyrtoj edhe masat ndëshkuese ndaj Serbisë dhe Kosovës.   

Qarri: Vetëm Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmëri, për nënshkrimin dhe zbatimin e marrëveshjes si tërësi, me kushtin që ajo të nënshkruhet në pako edhe nga Serbia  

“Dhe kjo është vetëm pjesa e parë e versionit të projekt-konkluzioneve që më 12 dhjetor, pritet të miratohet në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme, nga ministrat e çështjeve evropiane të vendeve anëtare të BE-së, e më pas e njëjta duhet edhe të konfirmohet nga drejtuesit e Këshillit Evropian, në samitin e fundit të rregullt për këtë vit, i cili është paralajmëruar të mbahet me 14 dhe 15 dhjetor në Bruksel”, vlerëson ai.  

Analisti thotë se tashmë dihet se vetëm Qeveria e Kosovës është shprehur e gatshme të nënshkruaj marrëveshjen si tërësi. Ndërkaq thotë se gjasat janë të vogla që kjo të ndodhë brenda 2023-tës.   

“Siç dihet, deri më tani, vetëm Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmëri, për nënshkrimin dhe zbatimin e marrëveshjes si tërësi, me kushtin që ajo të nënshkruhet në pako edhe nga Serbia, si obligim dhe garanci për zbatimin e saj edhe nga ana e Serbisë, por Serbia ka refuzuar ta vendos, qoftë edhe vetëm nënshkrimin në marrëveshjen e dakorduar në Bruksel dhe Aneksin e Ohrit, të paktën jo deri më tani, dhe para mbajtjes së zgjedhjeve atje. Prandaj gjasat qe brenda 2023-tës, të arrihet një marrëveshje e nënshkruar nga të dyja palët, janë fare të vogla, për të mos thënë, se nuk ekzistojnë fare, kur dihet mirëfilli, se gati në fund të këtij muaji (17 dhjetor) dhe të vitit 2023, në Serbi, do të mbahen zgjedhjet, kurse pas mbajtjes së tyre, kërkohen edhe disa muaj tjerë kohë, për formimin e qeverisë dhe institucioneve të reja shtetërore, shto kësaj faktin se afati i përmbushjes së detyrimeve të marrëveshjes, edhe nga vet BE, pretendohet të jetë fundi i janarit 2024, pra as që ka gjasa, që për kohë kaq të shkurtër të realizohet një marrëveshje e nënshkruar, përderisa nënshkrimi i saj, edhe më tej, vazhdon të refuzohet me këmbëngulje nga Serbia”, vlerëson ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat