Fletarrestimi për Radoiçiqin, vjen mesazhi i qartë për Serbinë – ky është “testi i madh” për Vuçiqin!

Politika

Fletarrestimi për Radoiçiqin, vjen mesazhi i qartë për Serbinë – ky është “testi i madh” për Vuçiqin!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 9 dhjetor 2023 Në ora: 15:03
Milan Radoiçiq

Milan Radoiçiq i është lëshuar fletarrest nga Interpol, në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës.

Por, Serbia nuk e ka komentuar këtë çështje.

Madje, as INTERPOL-i nuk i ka konfirmuar në mënyrë specifike pretendimet për lëshimin e fletarrestimit.

Ata në një përgjigjen për REL-in, kanë thënë se pyetja duhet referuar tek "autoritetet kombëtare kompetente".

Por, këtë informacion e kishte konfirmuar ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, duke thënë se fletarrestimi është lëshuar me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK).

Shala: Radoiçiq ndoshta për t’iu shmangur arrestimit, mund të ngrisë edhe tensione në veri

Image
Drizan Shala

Ekspreti i sigurisë, Drizan Shala, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se institucionet tona kanë bërë një punë profesionale në lidhje me këtë.

Shala ngreh hipotezën se tani Radoiçiq mund të nxisë trazira në veri, por që gjithsesi se do të arrestohet.

Ai shton, se Serbia me këtë ka marrë një mesazh të qartë diplomatik.

“Institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, kanë bërë një hetim jashtëzakonisht profesional, për të dërguar kërkesën në INTERPOL, e cila tashmë ka lëshuar fletarrest për Milan Radoiçiq.

Radoiçiq ndoshta për t’iu shmangur arrestimit, mund të ngrisë edhe tensione në veri, por ai do të arrestohet, kërkesa e Republikës së Kosovës, është për ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë, për t’u përballë me drejtësinë.

Në anën tjetër Serbia ka marrë tani mesazhin diplomatik që s’mund të lejohen veprimet kontraverse në dëm të sigurisë në rajonin e Ballkanit”, deklaron ai.

Rugova: Ky veprim i Interpolit është mesazh i qartë drejtuar Serbisë dhe Vuçië se me kriminelët nuk do ketë kompromis

Image
Naser Rugova

 

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë se lëshimi i fletarrestit për kriminelin Radoiçiq është një lajm i mirë.

“Lëshimi i fletarrestit nga Interpol për kriminelin e sanksionuar nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar është lajm i mirë dhe veprim konkret i bashkësisë ndërkombëtare lidhur me ngjarjen e 24 shtatorit, ku forca paramilitare serbe me përkrahje nga Serbia bënë agresion ndaj integritetit territorial të vendit tonë”, thotë ai për “Bota sot”.

Sipas tij, para Vuçiqit është një test i cili duhet ta dorëzoj Radoiçiqin në Kosovë që të përballet me drejtësinë, kjo një mënyrë për ta bërë atë të bashkëpunojë me strukturat ndërkombëtare, dhe nëse ai nuk e bën këtë atëherë edhe atë do ta presë fati i njëjtë.

“Partnerët tanë strategjik në krye me SHBA-në, disa herë janë deklaruar se akterët që udhëhoqën dhe morën pjesë në këtë akt agresioni ndaj një shteti të pavarur dhe sovran do të dalin para drejtësisë. Ky veprim i Interpolit është mesazh i qartë drejtuar Serbisë dhe Vuçiç se me kriminelët nuk do ketë kompromis. Tani është testi i madh i Vuçiq, ta dorëzoj Radoiçiq dhe të bashkëpunoj me strukturat ndërkombëtare të sigurisë apo të refuzoj bashkëpunimin që nënkupton se ai personalisht ka urdhëruar agresionin ndaj Kosovës. Nëse Vuçiq refuzon ta dorëzoj Radoiçiq atëherë edhe atë do e presë fati i njëjtë. Nga praktikat e viteve të fundit dihet mirëfilli se kush nuk bashkëpunon me strukturat e sigurisë dhe drejtësisë ndërkombëtare do të përfundoj prapa grilave herët a vonë”, përmbylli ai.

Kujtojmë, se Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, e mbështetur nga Beogradi zyrtar, mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, në veri të Kosovës, më 24 shtator, ku është vrarë zyrtari policor i Kosovës, Afrim Bunjaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat