Çfarë po ndodh në negociatat Kosovë-Serbi? Deklarata e Lajçakut që shkaktoi paqartësi – analistët me kritika të ashpra

Politika

Çfarë po ndodh në negociatat Kosovë-Serbi? Deklarata e Lajçakut që shkaktoi paqartësi – analistët me kritika të ashpra

Arife Morina Nga Arife Morina Më 9 dhjetor 2023 Në ora: 17:27
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha të enjten në Bruksel se ka progres në zbatimin e disa marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet të dyja palëve.

Ai e tha këtë gjatë debatit për zgjerimin të zhvilluar nga organizata “Miqtë e Evropës”.

Lajçak theksoi se e ardhmja evropiane e rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk mund të shihet as në ëndërr pa normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një çështje me rëndësi strategjike. Pa këtë normalizim nuk mundemi as të ëndërrojmë të ardhmen evropiane. Kemi progres kohëve të fundit në këtë drejtim. Së shpejti do ta mbyllim dosjen e energjisë, ka progres në çështjen e targave, në çështjen e personave të pagjetur, në çështjen e zgjedhjeve lokale në veri dhe në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve", deklaroi Lajçak, duke shtuar se ai është në kontakt të vazhdueshëm me palët për të vazhduar me zbatimin.

Ai bëri thirrje që të mos humbet kohë për implementimin e obligimeve nga dialogu dhe të mos humbet rasti për avancim në rrugëtimin drejt BE-së. Lajçak shtoi se viti i ardhshëm do të jetë një vit me kalendar të ngjeshur politik, sepse do të ketë zgjedhje në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mirëpo, është vështirë t’u besohet këtyre deklaratave të Lajçakut, pasi nuk është se ka fakte për progres në negociatat Kosovë-Serbi.

Për këtë çështje, nuk është se janë dhënë detaje as nga ndërkombëtarët.

Mehazi: Miroslav Lajçak, si gjithmonë është i paqartë e i pabesueshëm

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

Fillimisht, ai tha se Lajçak nuk është i besueshëm, ku si pasojë e veprimeve dhe deklaratave të tij, ka humbur kredibilitetin.

Sipas tij, kur Lajçak thotë se ka progres në dialogun Kosovë-Serbi, duhet të tregojë se në cilat pika më saktësisht ka përmirësime, pasi mënyra siç e ka thënë ai është shumë cinike dhe pa etikë politike.

I dërguari i posaçëm i BE-se për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, si gjithmonë është i paqartë e i pabesueshëm me deklarata sa që ka humbur besimin e autoritetit me veprimet e tij komike ndaj Kosovës. Zotëriu i Sllovakisë nga Brukseli në mënyrë cinike, ironike e pa fije etike politike e diplomatike thotë se paska një farë progresi në zbatimin e disa marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet të dyja palëve, pa mos na treguar asfarë pike të progresit të dialogut Kosovë-Serbi, ndoshta për Lajçakun ka qenë progresi i policisë ndërkombetare të INTERPOL-it për ndjekjen, kapjen dhe burgosjen e kryeterrostit serb Radoiçiqit, përveç këtij progresi asnjë marrëveshje tjetër nuk është bërë në Bruksel, deklarata e përfaqesuesit evropian është sa për të thënë diçka se paskësh një fare progresi, pa treguar se ku gjendet ky proces në cilën pikë të planit franko-gjerman, dhe se kush ishte ai që lëvizi progresin, Kosova apo Serbia”, deklaroi profesori.

Krahas kësaj, ai tha se Lajçak ka humbur seriozitetin e tij, me fraza të zbarzura dhe jo konkrete, ku edhe në rast se do kishte ndonjë marrëveshje, vështirë do ishte t’i besonin atij.

Misioni dhe detyra e Lajçakut është të na japë detaje të sakta të marrëveshjes e jo të na tregojë fraza të zbrazura të disa marrëveshjeve që deklaroi ai. Shkurt e qartë, përfaqësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak, aq e ka humbur seriozitetin dhe autoritetin e tij me rastin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë sa që edhe sikur të ketë ndonjë marreveshje nuk do i besonin qytetarët dhe qeveria e Kosovës, zotëriu i Sllovakisë, Lajçaku, është ndërmjetësues i formatit dështues të dialogut Kosovë-Serbi, i cili më shumë e ka ngatërruar e bërë nyje dialogun Kosovë-Serbi sesa ka pajtuar palët për marrëveshje përfundimtare”, u shpreh Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Zogaj: Lajçak, është duke e zhvilluar “diplomacinë e mëndafshtë”

Image
Skënder Zogaj

Kurse, publicisti Skënder Zogaj vlerësoi se në krye me Lajçakun po zhvillohet një diplomaci e “mëndafshtë”.

Brukseli nëpërmjet të të dërguarit special Miroslav Lajçak, është duke e zhvilluar "diplomacinë e mëndafshtë", e cila nënkupton arritjen spontane te suksesi i së mundshmes me, "zgjat e mos këput" që unë mendoj se është metodë e arsyeshme për mentalitetin e gjenetikës së turbullt ballkanike, me shartime drastike që e vështirësojnë procesin e zgjidhjes së krizave!”, tha ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Zogaj u shpreh se nuk beson që ka progres në dialogun Kosovë-Serbi, mirëpo Lajçak ka bërë një deklaratë të tillë për disa arsye.

Prandaj, qe dy dekada diplomacia botërore me një durim të madh po bën përpjekje për zgjidhje sa më të mirë por aspak të lehtë ndërmjet shqiptarëve etnikë dhe serbëve kolonistë. Deklarata e fundit e Lajçakut, se "ka progres në zbatimin e disa marrëveshtjeve të arritura në dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit" por pa dhënë detaje konkrete, mendoj se është diplomaci politike që vazhdon të bëhet për efekte inkurajuese të palëve dhe publikut, e jo se vërtetë ka ndodhur diçka e re!” – shpjegoi publicisti.

Megjithatë, ai vlerëson se kthesa më e madhe në negociatat Kosovë-Serbi varet nga Asociacioni.

“Por, shenja kah progresi mund të ketë, në çastet kur të ndodhë në veri asociacioni i komunave serbe, që unë mendoj se, do të jetë kthesë e re strategjike në historinë shqiptaro-serbe dhe për Ballkanin, sepse, nga Asociacioni varet, a do të vazhdojë Ballkani të jetë (Ballkan - mjaltegjak) apo Iliri (vend i njerëzve të lirë)!” – përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat