Draft-statuti i Asociacionit/ Merr vëmendje deklarata e fundit e Stanos – këto janë prapaskenat!

Politika

Draft-statuti i Asociacionit/ Merr vëmendje deklarata e fundit e Stanos – këto janë prapaskenat!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 9 dhjetor 2023 Në ora: 21:56
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano

Një draft-statut i Asociacionit po vazhdon të mbahet sekret nga qeveria e vendit, me vendim të ndërkombëtarëve.

Kjo natyrisht ka sjellur reagime të mëdha në opinonin publik.

Mirëpo gjatë ditës së djeshme (e premtë) BE-ja ka dhënë detaje shtesë në lidhje me draft-statutin e Asociacionit.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që i është paraqitur palëve në proces të dialogut në Bruksel (Kosovës dhe Serbisë), është i balancuar dhe evropian.

Stano ka bërë të ditur arsyet se përse BE-ja nuk po e bën publike përmbajtjen e draft-statutit të Asociacionit.

“Propozimi i BE-së nuk është bërë publik pasi përpjekjet diplomatike janë në vazhdim. Ne kurrë nuk i zbulojmë dokumentet zyrtare publikisht dhe as nuk marrim pjesë në shkëmbime publike për to, ndërkohë që ato diskutohen. Të njëjtën gjë presim edhe nga partnerët, pasi është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar që procesi të zhvillohet në konfidencialitet”, tha tutje Stano.

Por, ai nuk ka dhënë qëndrim të qartë nëse BE-ja ka një vlerësim se cila palë në proces të dialogut nuk po e zbaton marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit.

Kujtojmë që opozita është shprehur e shqetësuar për këtë draft-statut të paraqitur, duke thënë që do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Gashi: Serbia kurrë nuk do të nënshkruaj Asociacion ku Kosova si palë nënshkruese paraqitet si shtet sovran

Image
Avokati Tomë Gashi.

Në lidhje më këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur avokati Tomë Gashi.

Ai thotë që Kosova nuk do t’i japë asgjë Serbisë dhe se BE i ka lejuar çdo gjë Serbisë dhe se deklaratat e Stanos nuk janë për t'u çuditur mirëpo që Kurti nuk do të lejojë asgjë të dëmshme për vendin.

“Serbia kurrë nuk do ta nënshkruajë Asociacionin ku Kosova si palë nënshkruese paraqitet si shtet sovran. Kosova kurrë nuk do t’i japë diçka Serbisë që ajo e kërkon. Sa i përket deklarimeve të Stanos mendoj që ai bën këso deklarime sepse ashtu BE e sheh draftin, por çudia është që këta para Albinit i dhanë gjithçka Serbisë e që lejuan që Serbia të vendosë për çështje të brendshme të Kosovës. Plus duke lejuar Serbia të mbajë edhe zgjedhje të veta në Kosovë sikur Kosova të ishte pjesë përbërëse e saj. Tani kur kapitulluan më 14 shkurt 2021 çkado që bën Kurti në të mirë të Kosovës për ta është keq”, thotë avokati.

Sipas Gashit, qeveritë e kaluara i kanë falur çdo gjë Serbisë dhe se për këtë nuk i ka fajet tani Kurti.

“Çkado që kërkon Serbia për disa është mirë, gjëra të tmerrshme për Kosovën kanë bërë këta para Albinit, i ofruan Serbisë Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe dy herë 2013 dhe 2015, të cilat i ndaloi Gjykata Kushtetuese. Themeluan Gjykatën Speciale kundër shtetit të Kosoës dhe tani Kurti ju ka faj”, nënvizoi Gashi për “Bota sot”.

Ahmeti: Filtrimi përmes kushtetutshmërisë nuk krijon pushtet të tretë dhe fuqi ekzekutive për komunat serbe

Image
Analisti politik, Hidajet Ahmeti.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur edhe analisti politik, Hidajet Ahmeti.

Ai u shpreh se përderisa draf-statuti i nënshtrohet Gjykatës Kushtetuese atëhere nuk ka vend për të qenë të rrezikuar.

“Rreziku nuk ekziston derisa ky draft- statut do t’i nënshtrohet Gjykatës Kushtetuese për vlerësim. Çdo përpjekje për të bërë politikë është e kotë, pasi filtrimi përmes kushtetutshmërisë nuk krijon pushtet të tretë dhe fuqi ekzekutive për komunat serbe”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thekson që përgjigjja që Stano dha, ishte ajo që përmbysi teoritë e opozitës tash e një kohë që po bëjnë.

“Ditëve të fundit ka një heshtje nga partitë opozitare, por edhe nga disa përfaqësues të shoqërisë civile. Për një kohë tentuan të kamuflonin e të ndërtonin narracion fiktiv, por çdo ditë e më shumë po iu dekonstruktohet kjo teori”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat