“Njoftimi i kuq nga INTERPOL”/ Vjen parashikimi jo i mirë për Radoiçiqin - kjo mund të jetë lëvizja e Vuçiqit para gjyqit!

Politika

“Njoftimi i kuq nga INTERPOL”/ Vjen parashikimi jo i mirë për Radoiçiqin - kjo mund të jetë lëvizja e Vuçiqit para gjyqit!

Nga: M.Haziri Më: 10 dhjetor 2023 Në ora: 21:34
Milan Radoiçiq

INTERPOL ka lëshuar urdhër arrest jo vetëm për Milan Radoiçiqin, por edhe për 11 persona të tjerë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Kjo padyshim ka sjellë reagime të mëdha në opinonin publik.

E për “Bota sot”, në lidhje me këtë rast ka folur analisti politik Leon Duhanaj.

Ai hodhi dyshime në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë, duke thënë se fillim e mbarim lë hapësirë të bazuar për dyshime, se në ketë rast mund të ketë operuar edhe ndonjë mekanizëm i ndërmjemë.

“Ngjarja e 24 shtatorit në Banjskë, e cilësuar si akt terrorist, për mendimin tim ishte agresion ushtarak i Serbisë ndaj Kosovës dhe mendoj që në vend të cilësimit terrorist, ku akuza drejtohet ndaj personave, apo grupit, është dashtë t'i jepet konotacion shtetëror sepse i tillë edhe ishte. Vetë mënyra e zhvillimit të kësaj ngjarjeje, fillim e mbarim lë hapësirë të bazuar për dyshime, se në ketë rast të ketë operuar edhe ndonjë mekanizëm i ndërmjemë, i cili e ka mbajtur nën kontroll situatën për ta zhvilluar ashtu, sa për t'u shfrytëzuar politikisht. Nëse ngjarja do të kishte qenë ashtu siç është cilësuar, si ka mundësi që i gjithë ai grup i armatosur deri në dhëmbë, u zu i papërgatitur nga një patrullë e thjeshtë policore, ku në shkëmbim zjarri pati të vrarë nga të dyja palët”, u shpreh ai.

Image
Leon Duhanaj

Më tej, Duhanaj thekson që dyshimet në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë nuk do të sqarohen shpejt, mirëpo sipas tij Vuçiq do të bëjë çmos që ta eliminojë Radoiçiqin para se të mund të dalë para drejtësisë.

Grupi i armatosur ishte në numër pesëfish me të madh se patrulla policore, më mirë i armatosur dhe më me përparësi, pasi që ata dinin për planin, përderisa policia jo. Pra, si ndodhi, që një patrullë policore të arrijë ta bllokojë një mekanizëm të tillë me orë të tera, deri sa u mobilizua dhe mbërriti përforcimi. Pastaj, si ndodhi që së pari dolën deklaratat se grupi është i rrethuar e që pastaj, shumica ia dolën të ikin? Tani këto dyshime nuk besoj që do të sqarohen, të paktën jo shpejt, por një gjë e di, se Radoiçiq ka qenë duke punuar për shtetin e Serbisë dhe nëse ai akuzohet si përfaqësues i shtetit, Vuçiq do të bëjë çmos që ta eliminojë para se të mund të dalë para drejtësisë. Në qoftë se ka qenë vërtetë skenar, i parapërgatitur, në shërbim të interesave politike, ai do të cilësohet si sulm i një grupi, qoftë edhe terrorist, por që pasoja për shtetin e Serbisë nuk do të ketë”, shpjegon analisti.

Në fund, ai thotë që pasojat politike i mori Kosova, përderisa Serbia, në fund, do të dalë bashkëpunëtore në drejtësi.

Si të tillë, këta të akuzuar mund të përfundojnë para ndonjë gjykate, por që efekti politik do të jetë minimal. Si dhe çfarë me të vërtetë ishte planifikuar, por një gjë tashmë u kuptua, se pasojat politike i mori Kosova, përderisa Serbia, në fund, do të dalë bashkëpunëtore në drejtësi duke i dënuar personat si shkelës të ligjeve”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat