“Ditët e besës kanë mbaruar”/ Tomë Gashi tregon se a mori kërcënime familja e Naim Murselit nga familja e Liridonës

Politika

“Ditët e besës kanë mbaruar”/ Tomë Gashi tregon se a mori kërcënime familja e Naim Murselit nga familja e Liridonës

Nga: M.L. Më: 11 dhjetor 2023 Në ora: 17:49
E ndjera Liridona Ademaj

Kur po bëhen gati dy javë nga vrasja e Liridona Ademajt, në media po vazhdojnë “spekulimet” dhe në lidhje me motivet e mundshme të këtij rasti tragjik.

Mjaft i zëshëm në media prej ditës që ndodhi vrasja ka qenë Shaban Murseli, babai i të dyshuarit për porositjen e vrasjes së Liridonës, Naim Murselit.

Naim Murseli dyshohet se porositi vrasjen makabre të gruas së tij, Liridonës më 29 nëntor të këtij viti.

Image
Tomë Gashi

Babai i Naimit, Shabani ka deklaruar në media se familja e Liridonës i kanë dërguar njerëz për t’iu thënë se “ditët e besës kanë mbaruar”.

Nga ana tjetër, familja e Liridona Ademajt, qysh nga dita e parë kur ka ndodhur rasti kanë deklaruar se rastin e vrasjes së Liridonës ia kanë lënë drejtësisë.

Aludimet për hakmarrje e kërkim të besës i komentoi për gazetën “Bota sot” avokati Tomë Gashi.

Gashi theksoi se ky rast do të zgjidhet nga organet e drejtësisë.

“Asgjë nuk do të ndodhë, ky rast sado i rëndë që është prapë se prapë vetëm organet e drejtësisë duhet dhe do ta zgjedhin”, u shpreh ai.

Po ashtu Gashi tha se nuk ka kërcënime serioze nga familja e Liridonës për hakmarrje.

Për Gashin, këto aludime po dalin prej njerëzve që po e shfrytëzojnë rastin tragjik për publicitet.

“Nuk ka pas asnjëherë kërcënime serioze nga familja e Liridonës , kanë qene aludime të lloj lloj njërzve që duan të fitojnë në publicitet duke shfrytëzua këtë rast kaq të rëndë e tragjik”, u shpreh Gashi.

Ndryshe, sot Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar masën prej 30 ditë paraburgim të arrestuarit të katërt për vrasjen e Liridona Ademajt.

I njëjti dyshohet se ia ka shitur armën e krimit Naim Murselit, me të cilën më pas u vra Liridona Ademaj.

Njoftimi:

Prishtinë, 11 dhjetor 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurit T.D për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale Importi, eksporti, furnizimi, transportimit, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse nga neni 364 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.D ka kryer veprën penale, andaj nëse i njëjti gjendet në liri, mund të ndikoj në të dëmtuar dhe në dëshmitarë, si dhe ekziston edhe rreziku i përsëritjes së veprës penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.D me datë 29.11.2023 rreth orës 14:00 në vendin e tij të punës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë apo materie plasëse, ia ka shitur armën të dyshuarve N.M dhe G.P, për të cilën dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale Vrasje e Rëndë e të dëmtuarës- tani të ndjerës L.M.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat