Draft-statuti i asociacionit në tavolinën e diskutimit – çka pritet të ndodhë pas ftesës së Osmanit për opozitën?

Politika

Draft-statuti i asociacionit në tavolinën e diskutimit – çka pritet të ndodhë pas ftesës së Osmanit për opozitën?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 11 dhjetor 2023 Në ora: 19:52
Vjosa Osmani

Më 21 tetor Kosovës dhe Serbisë iu prezantua një draft-statut i Asociacionit nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE), Shteteve të Bashkuara (SHBA), Francës, Gjermanisë dhe Italisë. 

Më pas, të dy palët deklaruan se dokumenti ishte “i pranueshëm”, por hollësitë rreth përmbajtjes së tij nuk janë bërë të ditura ende. 

Ky draft vazhdon të mbahet i “sekret” për opinion publik, derisa janë hedhur dyshime dhe deklarata nga më të ndryshmet. 

Kritikë ndaj këtij draft-statuti po tregohen edhe liderët e partive opozitare të Kosovës, të cilët nuk duket se kanë ngjashmëri të qëndrimeve me qeverinë sa i përket kësaj çështjeje. 

E si unifikuese e partive politike, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ditë më parë paralajmëroi një takim me partitë opozitare në lidhje me draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. 

Osmani bëri të ditur se pas dorëzimit të drafit edhe tek partitë opozitare do t’i thërrasë të njëjtat në takim ditëve më vijim për t’i marrë shqetësimet e tyre sa i përket draftit të dorëzuar nga ndërmjetësit. 

Së fundi, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri për media njoftoi se do të jetë pjesë e takimit të paralajmëruar nga Osmani, derisa tha se partia e tij ende nuk ka pranuar ftesë zyrtare për këtë takim. 

Derisa, nga PDK dhe LDK nuk kanë njoftuar asgjë sa i përket ftesës së Osmanit, ku që të dy partitë e kanë kundërshtuar ashpër draftin e Asociacionit. 

Se si duhet të veprohet dhe çka pritet nga ky takim i paralajmëruar nga presidentja e vendit folën Haki Latifi dhe Anton Berisha. 

Latifi: Ftesa e presidentes Vjosa Osmani nuk është korrekte 

Image
Haki Latifi

Së pari, analisti politik, Haki Latifi kritikoi presidenten Osmani. 

Sipas tij, ftesa e saj nuk është korrekte, pasi duhet t’iu adresohet të gjitha partive – pozitë dhe opozitë. 

“Mendoj se ftesa e presidentes Vjosa Osmani nuk është korrekte, sepse ajo në bazë të kushtetutës së Repubkës së Kosovës përfaqëson unitetin qytetar si dhe do të duhej t’i adresohet ftesa të gjitha partive (pozitë dhe opozitë). Asociacioni është një njollë për Kosovën dhe çdo qeveri, Qeveria Kurti dhe Presidentja Osmani i mbajtën të fshehta bisedimet edhe pse patën dhënë premtime për transparencë me qytetarët e Kosovës”, deklaroi analisti. 

Ai kundërshtoi Asociacionin, derisa tha se Kurti e Osmani i kanë zhgënjyer votuesit me pranimin e Asociacionit. 

Gjithashtu, tha se dialogu ka kuptim kur udhëhiqet nga dikush që nuk e injoron. 

“Tani është shumë vonë, por, çka është më keq, votuesit e tyre nuk kanë pritur se do të pajtohen kaq shpejt me një Asociacion, për të cilin ka shumë vërejtje dhe madje me të drejtë janë të shqetësuar qytetarët e Kosovës. 

Dialogu ka kuptim vetëm kur udhëhiqet nga një ndërmjetësues që nuk e injoron të vërtetën”, përfundoi Haki Latifi për “Bota sot”. 

Berisha: Opozita me veprimet e deklarimet e tyre populiste vetëm po bëjnë një imitim të zbehtë të Kurtit 

Image
Anton Berisha

Kurse, Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” kritikoi qeverinë për situatën e krijuar në vend, ku po duhet të trajtohet një draft i hartuar nga të tjerët. 

“Ajo çfarë mund të them unë është se qeveria aktuale e ka sjellë shtetin në një situatë të rëndë me qasjen në dialog, duke bërë politikë populiste por joreale dhe tash duhet ta trajtoj statutin të hartuar nga të tjerët”. 

Përveç kësaj, Berisha nuk e kurseu as opozitën me kritika, pasi sipas tij nuk po bashkëpunojnë mjaftueshëm me ndërkombëtarët dhe po bëjnë deklarata populliste. 

“Opozita, në vend që ta trajtoj këtë temë në bashkëpunim me partnerët tonë ndërkombëtar dhe të ndikojnë në përmirësimin e pozicionit të Kosovës, me veprimet e deklarimet e tyre populiste vetëm po bëjnë një imitim të zbehtë të Kurtit”, përmbylli Anton Berisha për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat