Presioni ndërkombëtar, analistët: Ja sa ka gjasa për marrëveshje finale para zgjedhjeve në Serbi

Politika

Presioni ndërkombëtar, analistët: Ja sa ka gjasa për marrëveshje finale para zgjedhjeve në Serbi

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 12 dhjetor 2023 Në ora: 09:41
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Liderët evropianë po iu bëjnë thirrje Serbisë dhe Kosovës që “të respektojnë dhe zbatojnë plotësisht” Marrëveshjen e Brukselit.

Ndërkohë, ambasadori amerikan Jeff Hovenier ditë më parë ka kërkuar që brenda këtij muaji të bëjnë një zgjidhje këto dy shtete.

Mirëpo, meqë ka kaluar gjysma e këtij muaji thuajse, cilat janë gjasat që brenda 2023-ës të arrihet një marrëveshje e nënshkruar nga të dyja palët?

Lidhur me këtë ҫështje kanë folur për ‘Bota sot’, njohësit e ҫështjeve politike.

Kështu, Skender Mulliqi thotë se, liderët evropian janë ata që bisedimet maratonike Kosovë- Serbi i kanë futur në qorrsokak.

Mulliqi: Serbia në këto dhjetë vitet e fundi që kur në krye të Serbisë është Vuҫiqi në pushtet, nuk i ka zbatuar marrëveshjet e firmosura

“Në këto bisedime shumë padrejtësisht e që shumë kohë iu bë presion Kosovës, e pala serbe në krye me Vuҫiqin u faktorizua. Kosovës iu servua shkopi dhe karrota, ndërsa Serbisë kjo ndodhi në mënyrë sporadike. BE nuk është që nuk e di mirë se ҫka po dëshiron Serbia në rajon dhe veҫmas në Kosovë.

Vuçiqi, Daçiqi, Dodiku, e radikalët e tjerë që tash po bëhen bashkë në zgjedhje, nuk po i fshehin fare apetitet për formimin e Serbisë së Madhe. Serbia në këto dhjetë vitet e fundit që kur në krye të Serbisë është Vuҫiqi në pushtet, nuk i ka zbatuar marrëveshjet e firmosura, e mos të flasim për marrëveshjet gojore të Brukselit dhe të Ohrit”, thekson ai.

Mulliqi thotë më tutje se, thirrjet verbale nga liderët evropianë për zbatim të marrëveshjeve nga Kosova dhe Serbia pati me bollëk, por jo edhe avancim të proceseve, pikërisht pse kjo strukturë evropiane u tregua e paaftë që të avancon procesin e dialogut per normalizim të marrëdhënieve.

Image
Skender Mulliqi

“Edhe pse pala e Kosovës në krye me kryeministrin, Albin Kurti u tregua e gatshme për firmosjen e marrëvshjeve dhe këtë të fundit të Ohrit, Vuҫiqi i refuzonte pa asnjë përtesë dhe pa asnjë frikë se do të ndëshkohet, madje ai gjeti në një formë edhe përkrahje. Serbia i shkaktoi gjithë ato telashe me incidente të rënda në veri të Kosovës, dhe me aktin terrorist në Banjskë, e u fajësua Kosova, duke u ndëshkuar me masa ekonomike nga BE. Ngjarja e Banjskës është menduar nga shumë kushte se do ta ndryshoj qasjen e BE-së në dialog, por sa po kalon koha po vazhdohet me praktikat e vjetra dhe degraduese politike për të dalë nga situata eskaluese jo vetëm në veri, por edhe në rajon nga Vuҫiqi dhe Putini. U plagosën dhe u vranë policë të Kosovës dhe ushtarë të KFOR-it nga terroristët e Vuҫiqit dhe Radoiҫiqit, dhe Serbia mori vetëm dënime verbale, e asgjë më shumë”, thotë ai.

Tutje, analisti Mulliqi potencon se bazat e dialogimit Kosovë-Serbi janë vënë mbi baza të gabuara dhe nëse vazhdojnë me praktikën e vjetër, larg duket që të kemi ndonjë marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“BE dhe Amerika duhet t’i bëjnë praktikisht presion Serbisë dhe mos të bashkëpunojnë me një regjim ultranacionalist e terrorist siҫ është Vuҫiqi dhe kompani. Është duke u mbajtur fushata elektorale në Serbi, dhe deklarimi i ambasadorit Hovenier, se në këtë vit duhet të ndodhë ndonjë mrekulli, më duket mua po bëhet më shumë, që mos të kemi ndonjë eskalim të ri në veri, se sa mendohet seriozisht, kur dihet se kanë mbetur edhe shumë pak ditë deri te viti vijues. Mendoj, se larg është ndonjë marrëveshje ndërmjet dy shteteve, kur dihet edhe fakti se Vuҫiqi nuk po e pranon pavarësinë dhe as planin franco-gjerman.Vuҫiqi por edhe opozita gjatë fushatës janë duke e mohuar se do të pranojnë planin në fjalë dhe për faktin për të mos pranuar Kosovën në OKB dhe në strukturat relevante të BE”, thekson Mulliqi.

Po ashtu, analisti pyet se pse po ledhatohet një nxitës lufte në rajon, qëndron edhe fakti i luftës në Ukrainë.

“Dhe mendimit se kësaj radhe Rusia do t’i dalë në krahë Serbisë në synimin për realizimin e idesë së botës serbe. Sikur mos të ishte kjo shpresë dhe aleancat e vjetra, Vuҫiq nuk do të merrte guximin që të kundërshtonte kaq hapur BE-në dhe Amerikën”, vlerëson Mulliqi.

Mehmeti: Deklarata eHovenier bie poshtë

Image
Faton Mehmeti

Edhe analisti politik, Faton Mehmeti duke folur për këtë ҫështje, ka thënë se, nuk ka asnjë gjasë që brenda këtij muaji të ndodhë ndonjë marrëveshje aq më tepër që mbahen edhe zgjedhjet në Serbi, kështu që deklarata e ambasadorit amerikan bie poshtë.

“Mirëpo, liderët evropian nuk po janë të drejtë në raport më Kosovën dhe Serbinë me këtë të fundit që po ledhatohet dhe s’po ndëshkohet. Rasti në Banjskë tregon edhe një herë favorizimin e Serbisë, derisa këto qasje vazhdojnë, nuk pres të ketë marrëveshje.

Marreveshja e Brukselit zbatohet kur vetë Brukseli të jetë më i qartë në qëndrimet e tij dhe mos të lejojë që Serbia të jetë e favorizuar, në të kundërtën marrëveshjet do të jenë veç formale”, vlerëson Mehmeti për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat