22 komuna të Kosovës me shkurtime buxhetore/ Kërkohet dekonstruktimi i “logjikës” që e ndërtuan partitë politike që nga paslufta! 

Politika

22 komuna të Kosovës me shkurtime buxhetore/ Kërkohet dekonstruktimi i “logjikës” që e ndërtuan partitë politike që nga paslufta! 

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 14 dhjetor 2023 Në ora: 13:14
Foto ilustrim

Kuvendi i Kosovës në seancën e kaluar ka miratuar në parim Projektbuxhetin për vitin e 2024 në vlerë 3 miliardë e 314 milionë euro.   

Në atë seancë partitë opozitare, kanë kritikuar Qeverinë për hartimin e këtij projektbuxheti, i cili sipas tyre është i varfërisë dhe stagnues.  

Në anën tjetër, kryeministri, Albin Kurti gjatë prezantimit të këtij projketligji në Kuvend, ka thënë para deputetëve se me buxhetin e vitit 2024 ka rritje të buxhetit për komunat ku janë paraparë 742 milionë euro.    

Por, me këtë ndarje, janë shfaqur pakënaqësitë në komuna.  

Madje, kryetarët e komunave që nuk udhëhiqen nga Vetëvendosje po akuzojnë Qeverinë Kurti duke e konsideruar të padrejtë ndarjen e buxhetit të vitit 2024, duke favorizuar ato komuna ku udhëheq Vetëvendosja.  

Gjithashtu këtë ndarje buxhetore edhe Instituti GAP ka konsideruar se Qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat në të cilat udhëheq për vitin 2024.   

Meqenëse, sipas GAP-it, nga 21.8 milionë euro për investimet kapitale të reja, mbi 13 milionë janë bërë për katër komunat që i udhëheq VV-ja.   

Ibrahimi: 22 komuna të Kosovës do të kenë shkurtime buxhetore sa i përket investimeve kapitale  

Image
Sazan Ibrahimi

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se me ndarjen buxhetore, shumica e komunave të Kosovës janë të pakënaqur.  

“Në bazë të infromatave që kemi si Asociacion i Komunave të Kosovës dhe në bazë të kontakteve që i kemi me kryetarët e komunave ditore, shumica absolute e kryetarëve të komunave të Republikës së Kosovës janë të pakënaqur me ndarje buxhetore për vitin 2024”, thotë ai.  

Sipas tij, viti i ardhshëm do të jetë shumë sfidues për komunat sepse do të kenë shkrutime të buxhetit sa i përket investimeve kapitale.  

“Gjithashtu duke marrë parasysh në periudhën në mes të leximit të parë dhe dytë të projket buxhetit për vitin e ardhshëm asnjë projekt i ri i propozuar nga komunat e Kosovës nuk do të gjejë përkrahje, për këtë arsye kryetarët e komunave kanë vlerësuar që viti i ardhshëm do të jetë vit sfidues për komunat e Republikës së Kosovës sa i përket investimeve kapitale.   

Pra, ka shkurtime nga niveli qendror pastaj gjithashtu është mendimi juridik i gjykatës Supreme e cila do të ketë ndikim drejtpërdrejtë në buxhetet komunale, pastaj 22 komuna të Kosovës do të kenë shkurtime buxhetore sa i përket investimeve kapitale dhe në përgjithësi kjo do t’i sjellë komunat në një situatë shumë ta pafavorshme”, përfundon ai për “Bota sot”.  

Ahmeti: Gjykoj se duhet dekonstruktuar një logjikë e tillë e ndarjes buxhetore  

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti Hidajet Ahmeti, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se ndarja e buxhetit duhet të ketë një qasje të veçantë, duke shtuar se që nga paslufta është përcjellë kjo logjikë e ndarjes buxhetore.  

“Ndarja e buxhetit duhet të trajtohet me një qasje të veçantë, pasi nuk duhet të ndërtohen standarde të dyfishtë në ndarjet buxhetore.   

Kjo logjikë e ndarjes së buxhetit është përcjellë në vazhdimësi, të cilën e kanë mbjellë partitë që kanë qeverisur nga paslufta.   

Mendoj se një faktor tjetër që ka ndiku në këtë ndarja është se komunat që udhëhiqen nga partitë tjera kanë hezituar të paraqesin projekte për t’u mbështetur nga Qeveria, pasi kanë dyshuar në përkrahjen e atyre projekteve. Gjykoj se duhet dekonstruktuar një logjikë e tillë e ndarjes buxhetore, pasi nuk ndihmon në proceset demokratike, por as në ngritjen e vetëdijes shoqërore”, nënvizon ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat