Publicisti serb “shpërthen” pak para zgjedhjeve: Ky është plani “i fshehur” serb për Kosovën

Politika

Publicisti serb “shpërthen” pak para zgjedhjeve: Ky është plani “i fshehur” serb për Kosovën

Nga: Naile Ejupi Më: 16 dhjetor 2023 Në ora: 09:32
Publicisti Zlatoje Martinov

Të premten në mesnatë ka filluar heshtja parazgjedhore në Serbi dhe do të zgjasë deri në mbylljen e qendrave të votimit.

Të dielën, më 17 dhjetor, do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, provinciale dhe të Beogradit në më shumë se 60 qytete dhe komuna.

Gjatë heshtjes zgjedhore, ndalohet publikimi i vlerësimit të rezultateve zgjedhore, prezantimi publik i kandidatëve dhe programeve parazgjedhore, si dhe thirrja e votuesve për të votuar ose jo për lista të caktuara, përmes mjeteve të informimit dhe në tubime publike.

Heshtja zgjedhore fillon 48 orë para ditës së zgjedhjeve dhe zgjat deri në mbylljen e qendrave të votimit.

Në qendrën e votimit dhe në një distancë prej 50 metrash nga qendra e votimit, ndalohet vendosja e simboleve të partive politike dhe materialeve të tjera propagandistike.

Ligji për Zgjedhjen e Deputetëve të Popullit parashikon gjoba për shkeljen e rregullave të heshtjes zgjedhore, si për personat juridikë ashtu edhe për personat fizikë. Kjo vlen për televizionin, radion, median e shkruar, por edhe për portalet e internetit që janë të regjistruara si media, ndërsa fushata në rrjetet sociale nuk është e rregulluar me ligj.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë me dy lista, ajo e Shaip Kamberit dhe Shqiprim Arifit.

E Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vlerëson se zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi, më 17 dhjetor 2023, është një moment i rëndësishëm që ka nevojë për vlerësim nga shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Këshilli i Ambasadorëve i bën thirrje faktorit politik shqiptar që të merr pjesë në zgjedhje, gjersa thekson se politikat diskriminuese shtetërore nga institucionet serbe janë ende të pranishme.

Partitë politike atje kanë pasur mundësi të bëjnë fushatë elektroale, fushatë kjo e cila kryesisht ishte zhvilluar rreth Kosovës.

Publicisti Zlatoje Martinov, në një intervistë për “Bota sot”, ka thënë se Vuçiq po forcon pozitën e tij me nacionalistët radikalë serbë, prej të cilëve tani kërkon mbështetje.

Sipas tij, kryeqyteti serb nuk është në favor të Vuçiqit.

“Së bashku me Sheshelin, Vuçiq po forcon pozitën e tij me nacionalistët radikalë serbë, prej të cilëve tani po kërkon mbështetje sepse nuk është i sigurt se do të fitojë zgjedhjet e Beogradit. Për parlamentarët, të gjitha parashikimet thonë se do të marrin shumë më pak vota se vitet e kaluara. Mirëpo, kryeqyteti nuk është në favor të tij dhe prandaj edhe numri i vogël i votave që Sheshel do të marrë në zgjedhjet e Beogradit do të thotë shumë për të. Por vetë fakti që ai është edhe një herë në koalicion me një kriminel të dënuar lufte flet shumë për Vuçiqin dhe politikën e tij të jashtme. Vuçiq nuk hoqi dorë kurrë nga “bota serbe”, që është një emër tjetër dhe një lloj eufemizmi për Serbinë e Madhe. Është për t'u habitur që SHBA-ja dhe BE-ja e kalojnë me qetësi”, deklaron Martinov.

Në fushatën e zgjedhjeve që do të mbahen nesër, partitë politike serbe nuk i kanë kursyer deklaratat kundër Kosovës, pavarësisë së saj dhe planit franko- gjerman.

Duke folur rreth kësaj, Martinov thotë se 80 për qind e qytetarëve janë kundër njohjes së Kosovës dhe rreth 60 për qind janë për Rusinë dhe kundër Perëndimit.

Sipas tij, çështja e marrëdhënieve Kosovë- Serbi do të mbetet një kohë e gjatë hapur dhe se Serbia po pret vitin 2024 dhe fitoren e së djathtës në BE dhe Trumpit në ShBA.

“Në Serbi gjatë këtyre 12 viteve të sundimit autokratik të Vuçiqit, opinioni publik u formësua nga mediat, kështu që mbi 80 për qind e qytetarëve janë kundër njohjes së Kosovës, dhe rreth 60 për qind janë për Rusinë dhe kundër Perëndimit. Sipas mendimit tim, edhe sikur SNS e Vuçiqit t'i humbiste zgjedhjet (që është e vështirë të besohet) dhe qeveria opozitare do të drejtonte një politikë të jashtme të ngjashme, veçanërisht në lidhje me aneksimin e Kosovës: do të ishte kundër njohjes. Në fund të fundit, Dilas, madje edhe koalicioni i Gjelbër-Majtas, përdorin termin "krahina jonë jugore" për Kosovën dhe janë kundër njohjes së Kosovës. Çështja e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mbetet e hapur për një kohë shumë të gjatë. Serbia, si zyrtare dhe opozitare, pret vitin 2024 dhe fitoren e së djathtës në BE dhe Trumpit në SHBA - të cilët kanë simpati për Rusinë e Putinit - dhe për këtë arsye presin që Rusia të jetë sërish një aktor politik botëror”, shton Martinov.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat