I përket politikës/ Veprimtari Zeqiraj tregon nëse do të dënohet Naim Murseli, për vrasjen e Liridonës

Politika

I përket politikës/ Veprimtari Zeqiraj tregon nëse do të dënohet Naim Murseli, për vrasjen e Liridonës

Nga: H.O. Më: 21 dhjetor 2023 Në ora: 07:58
Liridona Ademaj, Naim Murseli

Vrasja e Liridona Ademajt ka qenë shumë shqetësuese për këdo, e sidomos në rrethanat në të cilat ka ndodhur. E duke pasur parasysh se në këtë vrasje përfshihet bashkëshorti i saj, e që duhet të marr dënimin sipas ligjit, derisa është njeri i politikës, kjo e vë në pikëpyetje dënimin e tij.

Megjithatë i mbetet drejtësisë të jap fjalën e fundit ende.

Veprimtari dhe njohësi i ҫështjeve politike, Idriz Zeqiraj, thotë se, trajtimi kriminal i grave, deri në vrasjen e tyre, padyshim, është shqetësues, në shoqërinë shqiptare, në përgjithësi, dhe në Kosovë, në veçanti.

“Trajtimi i grave si -pronë private-, ngujimi i tyre në shtëpi dhe bredhja e shfrenuar e burrave, pa dhënë llogari askujt, madje as bashkëshorteve të tyre, ndaj të cilave, me rastin e kurorëzimit kanë marrë obligime, madje me nënshkrim, kur bëjnë atë deklaratën e përbotshme, për besnikëri dhe përkujdesje reciproke, para personit zyrtar dhe, të paktën, në prani të dy dëshmitarëve. Krimet ndaj grave, femrave, krijuese të njerëzimit, gjinisë së bukur e hyjnore, të shprehura në shifra, në Kosovën tonë, të memëzi pame të lirë, janë jo vetëm shqetësuese, por edhe tmerruese. Rasti kulmor tragjik, siç është vrasja sadiste e Liridonës, shton dozën e krimit, sepse përfshihen njerëz nga politika dhe me uniformën zyrtare, të cilët janë të thirrur për mbrojtjen e qytetarëve dhe të Atdheut-Kosovë”, vlerëson ai.

I pyetur nëse beson në veprimin dhe gjykimin e drejtë, ndaj kryersve të vrasjes të Liridonë Ademaj, pavarësisht lidhjes së tyre politike, ai thotë se duhet pritur rrjedhën e mëtejme të procesit në hetim e sipër.

“Fillimi i këtij procesi hetimor e zbulues, është premtues, falë veprimeve amatoreske në kryerjen e krimit dhe të fshehjes së tij. Për rastin në fjalë, drejtësia është vënë nën llupën e opinionit të gjerë. Por, përvoja e hidhur në bërjen e drejtësisë, të pas çlirimit të Kosovës, nuk na liron nga skepticizmi dhe zhgënjimi i mundshëm. Në Kosovë, sikur nuk mjaftuan krimet masive të pushtuesit serbo-sllavë, me vrasjet dhe masakrat numerike. Lufta për pushtet dhe para, e disa "biçim komandantëve", të instruktuar nga oficerët-mbeturina të regjimit stalinist të Enver Hoxhës, hapi një front të dytë, luftimin e egër të kundërshtarëve politikë shqiptarë. Me përkrahjen logjistike e njerëzore të Tiranës zyrtare social-komuniste, përndoqen, burgosen, dhe maltretuan, deri në vrasje, në burgjet rurale, në Shqipëri dhe Kosovë, luftë-berësit e FARK-ut dhe veprimtarët atdhetarë, kundërshtarë politikë të komandantëve vrastarë”, vlerëson Zeqiraj.

Ai thekson se, për të pamundësuar ndalimin dhe ndëshkimin e krimeve, komandantët të thirrur në luftën e pabërë, rrënuan sistemin e drejtësisë në Kosovë.

“Shumë mijëra dosje të krimeve faktike, u arkivuan pa i trajtuar fare, në pritje për t`u parashkruar dhe skaduar afati, sepse pjesë e krimeve serike, ishin edhe komandantët, të cilët, me dajak e plumb, rrëmbyen pushtetin e përgjakur në Kosovë. Andaj, pavarësisht pritjes shpresuese, për jetësimin e drejtësisë, në rastin e Liridonës tonë, tashmë, pjesë dhimbjes kombëtare, zhgënjimi është i mundshëm, siç ka ndodhur me shuarjen e dhunshme të jetëve të shumë -liridonave- tjera, simotra të saj dhe të mijëra krimeve të pandeshkuara, përgjatë 23 viteve të shkuara. Megjithatë, shpresa vdes e fundit, na ngushëllon urtësia”, vlerëson Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat