“Statuti i Asociacionit nuk ka pse nënshkruhet nga Kurti dhe Vuçiq”/ Bytyçi tregon se çfarë fshihet pas deklaratës së Lajçakut

Politika

“Statuti i Asociacionit nuk ka pse nënshkruhet nga Kurti dhe Vuçiq”/ Bytyçi tregon se çfarë fshihet pas deklaratës së Lajçakut

Nga: P.R Më: 23 dhjetor 2023 Në ora: 10:09
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

I deleguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kanë pranuar draft statutin për Asociacionin dhe se nuk ka nevojë për nënshkrime meqë nuk është marrëveshje ndërkombëtare.

“Sipas pikëpamjes sonë, kjo (nënshkrimi i draft-Statutit) nuk është e nevojshme. Akti ligjor, ashtu sikur është i dizajnuar tani, është paraparë të jetë dokument i brendshëm i Kosovës. Me nënshkrimin e Kosovës dhe Serbisë, Statuti do të bëhej marrëveshje ndërkombëtare, çka nuk është”, tha Miroslav Lajçak.

E sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçit, deklarata e Lajçakut për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë ka dy elemente që duhet të studiohen.

Image
Enver Bytyçi

“Nga njëra anë ai thotë se Kurti dhe Vuçiq kanë pranuar draft-statutin për Asociacionin. Dhe nga ana tjetër thotë se ky draft-statut nuk ka nevojë për nënshkrime, sepse nuk është një marrëveshje ndërkombëtare. Lajçak dhe Borrel kanë shpikur jo vetëm drafte të tilla që nuk paskan nevojë për nënshkrime. Ata shpikën edhe marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit si të panevojshme për firmë. Është rast unik e vlefshme për hulumtime shkencore kjo praktikë që rekomandon ndërmjetësuesi evropian në bisedimet Kosovë-Serbi. Se nuk ka asnjë marrëveshje në botë që nuk mban firmën e palëve të saj. Nuk ka ndodh dhe nuk ndodh. Sidomos kur bëhet fjalë për marrëveshje si ajo e shkurtit dhe marsit të këtij vit që po mbyllet rakorduar përkatësisht në Bruksel dhe në Ohër. Ajo marrëveshje duhet të depozitohet në BE, Bruksel, KE, OSBE, NATO etj, me qëllim që të marrë fuqi ekzekutuese, përveçse ratifikuar në parlamentet e të dy vendeve. Se si mund të ndodhin këto procedura pa firmat përkatëse, kjo është vërtet e çuditshme”, shprehet Bytyçi.

Po pse ndodh kjo sipas profesor Bytyçit?

“Sepse Aleksandër Vuçiç nuk dëshiron të lejë trashëgimi firma, me të cilat ai beson se do të mbahet përgjegjës për atë që ai e quan tradhti ndaj shtetit dhe popullit serb. Presidenti i Serbisë nuk është si ish-presidenti i Kosovës, i cili ishte i gatshëm të hidhte firmën e tij edhe për tjetërsimin e territorit të Kosovës. Nuk është as si shqiptari tjetër, kryeministër i Shqipërisë, i cili i mblidhte liderët e Kosovës te shtëpia e Behgjet Pacollit dhe iu kërkonte të binin dakord me “shkëmbimin e territoreve”, me qëllim “pajtimin” me Serbinë. Këta “tradhtarët” tanë nuk kanë problem se marrin përgjegjësitë e tradhtarit. Por për Vuçiq ky është një problem i madh. Kjo është arsyeja pse ai nuk do që të vendosë firmë në ndonjë marrëveshje me Kosovën”, nënvizon Bytyçi.

Më tej, ai paralajmëron se draft-statuti i këtij Asociacioni nuk duket si draft i thjeshtë i një organizate jo-qeveritare.

“Ndërkohë serbëve u thotë se “Nuk mund të firmos marrëveshje me Kosovën, sepse Kosova nuk është shtet, është pjesë e sovranitetit ët Serbisë”! Me pak fjalë ai ka frikë se akuzohet për veprime anti-kushtetuese, pas në Kushtetutën Serbe Kosova është pjesë e Serbisë. Për pasojë Vuçiq, në bend të thotë se më dhemb koka, deklarohet se “i dhemb dora e djathtë”! Në rastin e draft-statutit, është e njëjta gjë. Por draft-statuti në vetvete nuk nënshkruhet nga përfaqësuesi i Serbisë dhe i Kosovës. Ai firmoset nga themeluesit e këtij Asociacioni. Ky është rregulli i krijimit të çdo organizate jo-qeveritare. Megjithatë një lloj garancie qoftë dhe me një kontratë shoqëruese do të duhej në këtë rast. Sepse, mesa kam parë, draft-statuti i këtij Asociacioni nuk duket si draft i thjeshtë i një organizate jo-qeveritare. Është shumë më tepër se kaq. Merr pjesë dhe merr vendime për administrimin e disa fushave të qeverisjes lokale”, deklaron Bytyçi.

Por sipas Bytyçit, përndryshe nga Thaçi, Kurti nuk do ta nënshkruaj një draft të tillë.

“Mirëpo, mesa shoh, as zoti Kurti nuk ka asnjë interes ta nënshkruajë në çfarëdo forme një draft të tillë. Ndryshe nga Thaçi, që e merrte përgjegjësinë publikisht me firmë e pa firmë për ndarjen e Kosovës, Kurti duket se nuk ka dëshirë të lëshojë firma, me të cilat nesër mund ta gjykojë historia. Por atëherë pse ka rënë dakord me këtë draft-statut, kur nuk ndjehet i sigurt për dobinë që ai sjell në mënyrë të ndërsjellët për Kosovën e institucionet e saj nga njëra anë dhe për komunat me shumicë serbe nga ana tjetër?! Ndoshta presioni i madh ndërkombëtar. Ndoshta siguria që ka pasur se Vuçiq nuk do ta pranonte atë. Ndoshta beson se është i duhuri. Por në këtë variantin e fundit duhej e duhet ta firmosë, qoftë dhe një dokument shtesë angazhimi. Sa për presidentin e Serbisë, ai luan, si gjithnjë. Dëshiron të thotë se janë serbët e Kosovës ata që vendosin dhe se “nuk ndërhyn tek ata”!”, shton Bytyçi.

Më tej, Bytyçi shprehet se mungesa e firmës, sidomos e palës serbe, e bën atë marrëveshje dhe vetë Asociacionin të pavlefshëm.

“Në këtë rast nuk do të shkohet në një zgjidhje afatgjatë. Gjykata kushtetuese ka të drejtë ta sjellë këtë statut në formën e një statuti të një qendre kulturore ose studimore, duke e zhvesh nga të gjitha kompetencat vendimmarrëse në fusha të caktuara si kulturë, arsim, shëndetësi, çështjet sociale e ndoshta edhe në urbanistikë e në drejtësi dhe polici. Sepse këto janë atribute shtetërore, të cilat i kryejnë vetë komunat. Një asociacion thjesht dublon punën e komunave dhe cenon autonominë lokale. Kështu që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka të drejtë të ndalet thellësisht në këtë anë të problemit që krijon draft-statuti në fjalë”.

“Ndaj në fund nuk do të mbetet asgjë. Do të ketë një organizatë jo qeveritare, që vepron sipas ligjit për shoqërinë civile në Kosovë, brenda ligjeve të saj e nën kontrollin e institucioneve qendrore”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat