Alarmi nga Albin Kurti/ Vjen paralajmërimi për Milan Radoiçiq – ja skenari serb

Politika

Alarmi nga Albin Kurti/ Vjen paralajmërimi për Milan Radoiçiq – ja skenari serb

Nga: P.R. Më: 25 dhjetor 2023 Në ora: 22:21
Foto ilustrim

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, edhe njëherë ka paralajmëruar se krimineli dhe terroristi serb, Milan Radoiçiq po bën plane për sulme të tjera në Kosovë.

“Pas sulmit terrorist, Radoiçiq u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde, ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në Kosovë bashkë disa pjesëtarë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”. Radoiçiq po mban takime të rregullta me zyrtarë të lartë të BIA-s. Ambientet e firmës në Rashkë, si ato të Novi Pazar Put, po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiq dhe grupi i tij. Në këtë ndërtesë strehohen disa anëtarë të “Mbrojtjes Civile” që instruktor e kanë Uglesha Jaridiq. Pas sulmit terrorist, Radoiçiq u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde, ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në Kosovë bashkë disa pjesëtarë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile””, ka thënë ndër tjerash Kurti.

Image
Enver Bytyçi

Se Radoiçiq dhe Serbia po planifikojnë sulme të reja në Kosovë, e thotë edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

“Milan Radoiçiq është shumë aktiv. Ai e ka bërë me dije se pas sekuestrimit të vilës në bregun e Ujmanit do të hakmerrej kundër kujtdo në Kosovë, edhe kundër Albin Kurtit. Por në fakt ky kërcënim paralajmërues nuk ishte për vilën e sekuestruar. Ishte maskë për justifikimin e akteve terroriste që ai do të zhvillonte ose do të zhvillojë kundër Kosovës në veri të Vendit e jo vetëm në veri. Për aktet e tij terroriste ai do të përdorë alibinë e vilës, sepse me këtë alibi shfajëson presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe institucionet e shërbimet sekrete të Beogradit. D.m.th kryen terror kundër policisë dhe institucioneve të Kosovës, ose kundër shqiptarëve ose serbëve që kanë pranuar këto institucione dhe do të thotë se “e bëra në shenjë hakmarrjeje për shkak se Albin Kurti më sekuestroi vilën”!”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas Bytyçit, prapa Radoiçiqit qëndrojnë të gjitha strukturat e shtetit serb.

“Për aktet terroriste ai bashkëpunon me të gjithë, me serbët e Beogradit, institucionet e shtetit e shërbimet sekrete të shtetit e të ushtrisë serb, me rusët dhe shërbimet sekrete të Moskës, me Dodik dhe shërbimin sekret ilegal të Republikës Srpska në Bosnjë-Hercegovinë. Bashkëpunon me kishën ortodokse të Serbisë e të Malit të Zi, si dhe me eksponentë të politikës malazeze e shqiptare në Kosovë, Tiranë e gjetkë. Dëgjoni, drejtuesit e institucioneve të Kosovës nuk janë ashtu si hiqen në ekranet televizive, të qeshur, të ngrohtë, të përzemërt. Provojeni dhe kërkoni me ta një takim qoftë dhe biseda për interes të Kosovës. Nuk do të të presin. Do të thonë, nuk kemi kohë. “Uaaaaa” Nuk kam fjetë asnjë minutë gjatë gjithë javës! Aq shumë punë kam pasë”! Hiqen si punëmëdhenj”, thekson profesor Bytyçi.

Më tej, ai thotë se Milan Radoiçiqin e kanë prit me radhë e me zemër të ngrohtë një pjesë e madhe e politikanëve të Prishtinës.

“Prandaj mos besoni se ai nuk ka miq me të cilët lidhet në Kosovë e ndoshta edhe në Shqipëri. Po të gërmohet, siç gërmonte Tarja, pra personazhi i Kadri Roshit, mund të dalë se Radojeçiq të ketë biznese në Durrës, Elbasan, apo në Tiranë. Ai për dy dekada futi rrënjë të thella jo vetëm në Serbi, por edhe në Kosovë e në Shqipëri, sidomos dekadën e fundit”, nënvizon Bytyçi.

“Prandaj unë mendoj se nuk është me rëndësi të dihet se Radoiçiq bashkëpunon me Vulin dhe shërbimin sekret të BIA-s në Serbi. As se ai takohet me presidentin Vuçiq e merr prej tij udhëzime të posaçme për të ushtruar terror në veri të Kosovës. Nëse nuk do të ishte kështu, atëherë nuk do kishte logjikë”, shton Bytyçi.

Siç thotë ai, me veprimet e fundit, qeveria e Kosovës po dëshmon se ka situatën nën kontroll.

“Por mua më vjen shumë mirë që kryeministri aktual, qeveria, ministri i brendshëm, shërbimi sekret i Kosovës, policia etj e kanë situatën në dorë. Nëse institucionet e Kosovës zotërojnë informacionin dhe njoftohen me kohë se çfarë po përgatit një kriminel si Radoiçiq, atëherë ata e kanë edhe situatën nën kontroll. Nuk i thuhet hasmit mos më vra. Por duhet të përgatitesh t’i bësh ballë sulmit të tij. Njësoj siç ndodhi me 24 shtator në Banjskë të Zveqanit. Informacioni për çdo lëvizje të Radoiçiq dhe për veprimtarinë e tij anti-shqiptare është hapi më i rëndësishëm për ta paralizuar sulmin ose sulmet e tij terroriste”.

Por a ka Radoiçiq bashkëpunëtorë edhe në Kosovë?

“Po Radoiçiq ka bashkëpunëtorë. Këta bashkëpunëtorë në Serbi, Republikën Srpska, në Mal të Zi, në Kosovë dhe në Shqipëri duhen zbuluar dhe duhen demantuar. Unë besoj se ata që janë në shërbimin sekret të Kosovës e dinë se me kë ka bërë dhe bën tregti Radoiçiq. Këta janë kontingjenti i bashkëpunëtorëve të tij shqiptarë kundër Kosovës. Por është jetike të zbulohen edhe lidhjet dhe bashkëpunimi i tij me Dodik dhe strukturat ilegale që ai ka ngrit për shërbimin sekret të republikës së tij. Këto struktura drejtohen nga Rusia dhe nga Serbia. Ato për momentin drejtohen kundër Kosovës, sepse aty është peri më i hollë”, shpjegon Bytyçi.

Profesor Bytyçi thotë se pas protestave të Serbi, Vuçiq mund të hap një front konflikti në Kosovë.

“Ndërkaq situatat janë shumë të rrezikshme, sepse presidenti serb, në përpjekje për t’u shpëtuar goditjeve që ai merr nga protestat e zhurmshme në Beograd, mund të hapë përmes Radoiçiq një front konflikti në Kosovë. Liderët autokratë gjithmonë bëjnë devijanca të tilla në kohë krizash, kur atyre u rrezikohet pushteti. Nëse ndjekim rrethanat e krijuara dhe nëse kemi parasysh atë çfarë ndodhi në Banjskë, por dhe raste të tjera, atëherë duhet të jemi gati për të përballuar çdo sfidë. Lufta kundër banditëve të formatit të Radoiçiq nuk është aq e thjeshtë. Radoiçiq është thjesht kamikazi i politikës serbe. Në fakt atë luftë e ka organizuar dhe e mbështet me mjete ushtarake e njerëzore shteti i Serbisë”, deklaron Bytyçi.

“Prandaj dhe nuk duhet pranuar kurrë se është Radoiçiq ai që organizon dhe kryen terror kundër Kosovës. Terrorin e kryejnë institucionet dhe shërbimet sekrete të Serbisë në bashkëveprim me ato të Rusisë dhe me pjesëmarrjen aktive të aktorëve të tjerë, si Milorad Dodik, Kisha Ortodokse e Serbisë, ushtria e saj etj”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat