Mirëpritet përfshirja e LVV-së në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut – paralajmërohet thyerja e “monopolit” të Ali Ahmetit

Politika

Mirëpritet përfshirja e LVV-së në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut – paralajmërohet thyerja e “monopolit” të Ali Ahmetit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 26 dhjetor 2023 Në ora: 08:06
Albin Kurti në Tetovë

Lëvizja Vetëvendosje dje është përfshirë zyrtarisht në garën për pushtet në Maqedoninë e Veriut duke iu bashkuar opozitës shqiptare në një koalicion.

Derisa, për këtë ka reaguar edhe kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Ai ka thënë se nuk ka parë ndonjëherë diçka të tillë.

“Nuk është e panjohur që partitë simotra të marrin pjesë në mbështetje politike të partive në shtetet tjera. Megjithatë, deri më tani nuk kam parë parti nga vende të tjera të marrin pjesë në një proces zgjedhor në një vend tjetër.

Duhet të shihet se çfarë saktësisht nënkuptohet, sepse nëse partitë politike nga fqinjësia fillojnë të marrin pjesë në zgjedhjet në vendin tonë, mund të ndodhë që të dëshirojnë të marrin pjesë edhe nga vende të tjera, të cilat mendoj se do të paraqisnin një lloj dinamike të padëshirueshme”, tha Kovaçevski para gazetarëve në Shkup.

Mehmeti: Pjesëmarrja e LVV-së në Maqedoninë e Veriut do i trazojë shumë ujërat atje

Analisti Faton Mehmeti, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se pjesëmarrja e LVV-së, në Maqedoni nis thyerjen e monopolit të Ali Ahmetit.

Image
Analisti Faton Mehmeti

Sipas tij, LVV atje do t’i lëkundë themelet e BDI-së.

“Pjesëmarrja e LVV-së në Maqedoninë e Veriut do i trazojë shumë ujërat atje, si për palë maqedonase ashtu edhe atë shqiptare. Me pjesëmarrjen e LVV atje fillon thyerja e monopolit të Ali Ahmetit, përkthyer mund të themi se është fillimi i rënies së BDI në Maqedoni.

Shqiptarët atje do të kenë një adresë të sigurt, dhe më në fund mundësia që opozita shqiptare të triumfojë është e madhe. Edhe pala maqedonase po ndihet në siklet duke ditur mbështetjen e madhe të Kurtit atje, natyrisht se në këtë zgjedhje s’mund të ketë shumë efekete pjesëmarrja e LVV, por brenda një periudhe katër vjeçare do të ndjehet shumë ky efekt, duke lëkundur themelet e BDI dhe partive maqedonase e serbe atje”, përfundon ai.

Mehazi: Albin Kurti është personalitet shumë i lartë e brenda qytetarëve shqiptarë

Kurse, profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot” shprehet se përfshirja zyrtare e LVV-së së Kurtit për të marrë pjesë në garat zgjedhore parlamentare është e mirëseardhur.

“Nëse ndonjë prej politikanëve nga qytetarët shqiptarë në RMV është më i besueshëm padyshim është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili gjatë vizitës së disa muajve më parë u pritë me shumë dashuri në Tetovë e gjetiu. Përfshirja zyrtare e LVV-së së Kurtit për të marrë pjesë në garat zgjedhore parlamentare me opozitën Lidhja Europiane për ndryshime, LEN, në RMV është e mirëseardhur, mirëpo problemi është sesa do jetë e sukseshme LVV-ja gjatë zgjedhjeve parlamentare që do mbahen më 2024-ën, themi kështu për shkak se përveç Këshilltarit të kryeministrit të Kosovës Kurtit për Maqedoninë e Veriut, Bekim Qokun, qytetarët shqiptarë nuk dinë asgjë më shumë se kush është kryetar i LVV-së në RMV, se cilët janë kryetarë të degëve e nëndegëve nëpër komunat shqiptare të RMV dhe se LVV-së i mungojnë strukturat partiake nga lartë - poshtë, kjo na bën skeptik për t'u përballur me partinë me pushtet të thellë të BDI-së e cila ka depërtuar tmerësisht në damaret e qytetarëve shqiptarë të RMV-së”, thotë ai.

Image
Profesori Sulejman Mehazi

Në fund, ai thotë se Albin Kurti është personalitet shumë i lartë e brenda qytetarëve shqiptarë.

“Edhe pse personaliteti i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, është shumë i lartë e brenda qytetarëve shqiptarë, por pa formimin e strukturave partiake të autoritetshme, LVV-ja e RMV-së së bashku me opozitën LEN të Bilall, Kasamit, Izet Mexhitit dhe Afrim Gashit nuk do mund të përballonte partinë e BDI-së të Ali Ahmetit me një përvojë qeverisëse mbi njëzetvjeçare.

Pra, LVV-ja e RMV-së së bashku me LEN-in për të sfiduar BDI-në është e detyruar që sa më shpejtë e pa humbur kohë të formojnë strukturat e veta partiale në çdo cep të qytetarëve shqiptarë në RMV”, përfundoi ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat