Qytetarët e presin 1 janarin me “valixhe në dorë” / Liberalizimi i vizave, mes dëshirës dhe shpresës për mundësi të reja!  

Politika

Qytetarët e presin 1 janarin me “valixhe në dorë” / Liberalizimi i vizave, mes dëshirës dhe shpresës për mundësi të reja!  

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 28 dhjetor 2023 Në ora: 07:58
Foto ilustrim

E kanë pritur gjatë dhe tashmë pak ditë i kanë mbetur qytetarëve të Kosovës deri në vitin 2024, viti i cili do t’i jep fund izolimit të tyre. 

Që nga 1 janari i vitit 2024, qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta biometrike të lëshuara nga shteti i Kosovës, do të mund të udhëtojnë pa viza në atë që njihet si zona Schengen dhe përbëhet prej 27 shtetesh evropiane. 

Qeveria e Kosovës pak ditë më parë i kishte dërguar edhe mesazh qytetarëve që duan të lëvizin pa viza. 

Ajo informoi se qytetarët duhet të kenë  pasaportë, akomodim, biletë kthyese dhe dëshmi financiare. 

“Nga 1 janar 2024 #PaViza! Te keni: pasaporte, akomodim, bilete kthyese, dëshmi financiare. Vetëm vizita afatshkurta, jo punësim. 90/180 dite ”, thuhet në mesazh. 

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe analistët politikë thonë se pas liberalizimit nuk do të ketë ikje masive të qytetarëve në Kosovë, ata vetëm do ta kenë më të lehtë qoftë në tregun ekonomik, kulturor apo sfera tjera. 

Bytyçi: Moment po aq të rëndësishëm sa edhe anëtarësimi në BE 

Image
Enver Bytyçi

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, thotë se liberalizimi i vizave është moment aq i rëndësishëm sa edhe anëtarësimi në BE. 

Ai Kosovën e konsideron model në rajon për ushtrimin e demokracisë. 

“Liberalizimi i vizave për Kosovën në zonën Shengen është një lajm i jashtëzakonshëm. Unë e kam konsideruar liberalizimin e vizave si moment po aq të rëndësishëm sa edhe anëtarësimi në BE. Sepse është hallka më e dobishme për qytetarët në rrugën e integrimit. Në fund të fundit krijon mundësinë që secili qytetar të kontaktojë lehtësisht me kulturën demokratike perëndimore dhe bëhet shkas për emancipim të plotë të shoqërisë. Kam shkruar vazhdimisht për faktin se kultura demokratike në Kosovë është më e zhvilluar se sa në Shqipëri. Prandaj Kosova është madje model në rajon në ushtrimin e demokracisë. Dhe kjo ndodh veç tjerash, falë të drejtës që qytetarët e Kosovës kanë pasur për të lëviz lirshëm në Perëndim, për të emigruar dhe punuar në ato vende, për pasojë për të përvetësuar jo vetëm kulturën e punës, por edhe atë të sjelljes demokratike. Liberalizimi i vizave tani do të bëjë që qytetarët e Kosovës ta zhvillojnë më tej këtë kulturë dhe të vazhdojë të jetë model për vendet e tjera të rajonit”, deklaron Bytyçi. 

Profesori liberalizimin e vizave e konsideron edhe aksesor të rëndësishëm për t’i shtuar të ardhurat familjare, gjersa shton se bizneset tashmë mund të udhëtojnë lirshëm që të kontaktojnë me biznese të ngjashme evropiane. 

“Vendimi për liberalizimin e vizave është ngjarje e jashtëzakonshme. Rrit autoritetin, prestigjin dhe imazhin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran në Bashkimin Europian. Rrit njëkohësisht përgjegjësinë e këtyre qytetarëve për të respektuar rregullat e lëvizjes së lirë. Unë pres që shteti, qeveria, institucionet, vetë qytetarët të sillen në mënyrë korrekte dhe të zbatojnë me përpikëshmëri rregullat e BE-së për lëvizjen e lirë. Pres që të shtohen kontaktet midis pjesëtarëve të familjeve të ndara prej dekadash për shkak të emigracionit. Pres edhe që ato tre muajt e lirisë së lëvizjes të shfrytëzohen nga familjarët kosovarë në vendet e BE-së, të cilët kanë biznese për punësim sezonal të njerëzve të rrethit të tyre. Besoj se do të jetë një aksesor i rëndësishëm edhe për të shtuar disi të ardhurat familjare. Ndërkaq në Kosovë biznesi ka përparuar shumë. Janë me dhjetëra mijë biznese, të cilat më parë nuk mund të zhvilloheshin në kooperim me bizneset evropiane. Tani secili e ka mundësinë të udhëtojë lirshëm e të kontaktojë me bizneset e ngjashme evropiane. Prania e njerëzve të afërt e të familjes në ato vende, bën që ndërmjetësimi për bashkëpunim të jetë më i suksesshëm. Prandaj dhe, nëse e analizojmë seriozisht këtë sukses të Kosovës, atëherë do të thoshim se përveçse avantazheve, nuk ka asnjë disavantazh”, pohon profesori. 

“Zërat që flasin për emigracion masiv duhen injoruar” 

I pyetur sa do të jetë interesimi i qytetarëve për të ikur nga Kosova pas liberalizimit, profesori nuk pret imigrim masiv. 

Sipas tij, Kosova nuk është vend i skandaleve që e vë shoqërinë në depresion. 

“Megjithatë kam vënë re se ka zëra që flasin për emigracion masiv, për ç’ popullim të vendit e kësi fantazirash, me të cilat duan të trembin vendet evropiane. Nuk them se nuk do të ketë qytetarë të Kosovës që nuk do ta shfrytëzojnë liberalizimin e vizave për t’u punësuar p.sh në Gjermani, Austri apo vende të tjera. Por nuk pres që të ketë imigrim masiv. Në Kosovë ka njerëz që jetojnë me vështirësi. Por aty ka optimizëm, ka shpresë për më mirë akoma, ka besim për sukses më të madh. Kosova nuk është vendi i skandaleve që e venë shoqërinë në depresion. Problemi i vetëm lidhet me normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve me Serbinë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës si shtet. Por ky problem është proces dhe gjithkush e di se me mbylljen e këtij konflikti, Kosova bëhet parajsa e Ballkanit perëndimor. Kosova ka pasuri të pafund. Ka një potencial njerëzor më produktivin në rajon. Ka njerëz të kualifikuar,, të cilët japin ide mahnitëse në biznese. Sigurisht ka edhe probleme. Por sa kohë që qeveria nuk do të përfshihet në problemet negative, aq kohë qytetarët do të besojnë se çdo ditë e së nesërmes do të jetë më mirë. Megjithatë është me shumë rëndësi që kosovarët të mos imitojnë qytetarët e Shqipërisë. Sidomos në mentalitetin që të përpiqen të pasurohen brenda natës ose brenda javës”, shton Bytyçi. 

Sipas tij, Serbia mund të provojë të shfrytëzojë liberalizimin e vizave me qëllim që të nxisë në forma e me mjete të ndryshme ndonjë valë emigracioni, por për këtë duhet të veprohet me përgjegjësi dhe logjikë të shëndoshë. 

“Kulturalisht Kosova ndjek traditën evolucioniste të zhvillimit të familjes dhe kombit. Qytetarët e Kosovës janë më shumë konservatorë sesa ata të Shqipërisë. Për pasojë rrinë larg dhunës e revolucioneve që çojnë në anarki ose në trazira të dhunshme. Shqipëria e vitit 1997 nuk përsëritet në Kosovë. Së paku unë kështu besoj. Zërat që flasin për emigracion masiv duhen injoruar. Ka mundësi që Serbia ta shfrytëzojë liberalizimin e vizave, me qëllim që të nxisë në forma e me mjete të ndryshme ndonjë valë emigracioni. Duhet vepruar me përgjegjësi dhe logjikë të shëndoshë. Serbia historikisht ka punuar dhe investuar për spastrimin etnik të Kosovës dhe asgjësimin fizik të shqiptarëve. Nuk heq dorë ajo nga kjo politikë. Ndaj dhe pres që ajo të veprojë me metoda tjera në kushte të reja. Prandaj dhe përgjegjësia atdhetare është e duhet të jetë e lartë. Jam i bindur se kjo përgjegjësi ndjehet edhe te qytetari më i thjeshtë. Intuita e qytetarëve të Kosovës, kur bëhet fjalë për interesat e shtetit e të atdheut, është shumë e lartë. Nuk ka të krahasuar me intuitën e qytetarëve në Shqipëri dhe vendet e tjera fqinjë. Dallon madje edhe me intuitën e serbëve, të cilët ushqehen nga kisha, shteti dhe akademikët, por jo edhe nga parandjenja e tyre në veprimet që bëjnë. Kosova ka intuitë. Kosova ka kulturë demokratike. Kosova duhet t’i zhvillojë këta elementë për të parandaluar veprime që e njollosin emrin dhe imazhin e saj”, thekson profesori. 

Lidhur me liberalizimin e vizave faqja qeveritare Integrimi Evropian i Kosovës javët e fundit ka dhënë informata lidhur me atë se sa para duhet të kenë me vete qytetarët kur udhëtojnë në zonën Shengen, çfarë dokumentesh nevojiten, sa afat duhet të ketë pasaporta etj. Faqja qeveritare Integrimi Evropian i Kosovës ka njoftuar se si udhëtar me të arritur në pikën e parë kufitare të Shengenit, nga policia kufitare juve mund t’ju kërkohet nëse keni dëshmi të mjaftueshme financiare për udhëtimin tuaj. 

Sasia e këtyre mjeteve varet nga dy grupe faktorësh: 1) nga numri i ditëve që do të qëndroni dhe shteti të cilin e vizitoni dhe 2) nga ajo nëse do të qëndroni në akomodim me pagesë si hotel/apartament apo tek të afërmit tuaj. 

“Nëse deklaroni se do të qëndroni tek të afërmit tuaj duke ofruar adresën dhe kontaktin e tyre, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve është rreth 30 – 50 EUR në ditë për person. Nëse deklaroni se do të qëndroni në një hotel apo apartament apo çfarëdo akomodimi tjetër me pagesë, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve që duhet të ofroni si dëshmi financiare është rreth 50 – 100 EUR në ditë për person”, thuhet në njoftimin e faqes Integrimi Evropian i Kosovës. 

Tutje në njoftim thuhet se akomodimi nga miqtë apo familjarët mund të verifikohet duke kontaktuar drejtpërdrejtë mikpritësin me telefon ose duke verifikuar adresën e tyre përmes policisë. 

Faqja qeveritare Integrimi Evropian i Kosovës po ashtu ka njoftuar qytetarët për dokumentet që  nevojiten për të udhëtuar pa viza në zonën Shengen, pas 1 janarit 2024. 

Sipas njoftimit, nevojitet pasaportë biometrike (e vlefshme për të paktën tre muaj pas datës së largimit nga zona Shengen). 

Po ashtu, informata të sakta mbi vendin dhe qëllimin e udhëtimit, dëshmi mbi qëndrimin si rezervimi i hotelit/apartamentit apo kontaktet e të afërmve ku do të qëndroni. 

Për të udhëtuar në zonën Shengen pa viza ju nevojiten edhe detajet e udhëtimit, duke përfshirë rezervimin e biletës kthyese. 

Ndërkaq, nëse udhëtohet me veturë, dokumentet e nevojshme të veturës, përfshirë kartonin e gjelbër si dhe dëshmi se keni mjete të mjaftueshme financiare. 

Duhanaj: Në fillim mund të ketë konfuzion dhe keqkuptime në proces 

Image
Leon Duhanaj

Në anën tjetër, analisti politik Leon Duhanaj, thotë se me liberalizimin e vizave jemi para një situate të re, ndoshta edhe sfidë. 

Sipas tij, liria e lëvizjes është e rëndësishme sepse do ta lehtësojë pa masë zhvillimin e aktivitetit ekonomik e tregut të lirë. 

“Ndoshta edhe duke qenë se na u stërzgjatë pa meritë, me vite, çështja e liberalizimit të vizave, disi na ishte shndërruar në një sagë apo deri diku edhe një ëndërr, thuaj se të parealizueshme. Këtë e them, sepse vetë tema mbi të cilën debatojmë për të tretën dekadë si synim parësor shtetëror e kombëtar, e duke qenë se si temë, për shekullin dhe standardet ku jetojmë, është tejet elementare për të mos thënë banale. Ne shekullin XXI një komb i vogël, me moshën mesatare me të re në Evropë, iu mohua e drejta me elementare, e që është e drejta e lëvizjes së lirë. Para pesë vitesh në një aktivitet politik pikërisht ne qytetin Shengen, në një bisedë me një kandidate në atë kohe për Parlamentin Evropian ku ndër tjera me pyeti nga vij. I thashë që kam dalë nga burgu me i madh në Evropë, e ndoshta edhe në botë. Ajo e befasuar me shikoj si me habi, pastaj ja shpjegova, duke i treguar për realitetin kosovarë, duke i thënë njëkohësisht se kjo ishte edhe njëra ndër arsyet e mbështetjes sime për të. Në ketë rast, duhet pranuar, që të mos u hymë në hak, se deputetët e Parlamentit kanë punuar shumë për ta hequr ketë muri, por që ishin politikat e shteteve të veçanta, të cilat nuk lëviznin përpara. Tani që e kemi liberalizimin, jemi para një situate të re ndoshta edhe sfidë. Për mendimin tim, sfida do të sjellë kryesisht anë pozitive për Kosovën. Duke filluar nga me kryesorja, që është liria e lëvizjes, por edhe e dyta që është po aq e rëndësishme e që do ta lehtësojë pa masë, është lehtësia në zhvillimin e aktiviteteve në ekonominë e tregut të lirë”, deklaron Duhanaj. 

Tutje, sipas tij, përmes liberalizimit qytetarët do të mund të shohin horizontet e reja, qoftë në tregun ekonomik, qoftë kulturore e të dijes. 

“Kosova, shqiptarët jam i bindur se do ta shfrytëzojnë maksimalisht, që të ngrisin nivelin e bashkëpunimit ekonomik me shtetet e Evropës. Ndoshta në fillim të vitit të parë, do të na paraqitet si sfidë, pasi që shumë qytetarë do të bëjnë përpjekje për ta shfrytëzuar ketë mundësi. Ndoshta edhe do të ketë konfuzion dhe keqkuptime në proces, por me kohën do të stabilizohet. Qytetarët, duhet ta dinë se për të dalë, duhet t'i plotësojnë disa kritere, që kanë të bëjnë me potencën financiare dhe sigurinë. Por në përgjithësi, ndoshta pas sfidave fillestare, qytetarët e Kosovës, do ta shfrytëzojnë si mundësi, që ta shohin botën, t'i shohin mu dëshmitë dhe horizontet e reja , qoftë në tregun ekonomik, qoftë kulturor, qoftë në atë të dijes etj, etj, për Kosovën do të hapet një kapitull i ri dhe tejet pozitiv. Përgëzime për të gjithë qytetarët e Kosovës!”, përfundon analisti. 

Ndryshe, në muajin e fundit është rritur numri i qytetarëve të cilët kanë shprehur interesim për t’u pajisur me pasaporta. 

Numri i përgjithshëm i pasaportave të lëshuara në katër komunat veriore është 5 mijë 800. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat