“Pikëlidhje me SHBA-të e ndërkombëtarët”/ A po i mungon Kosovës Ibrahim Rugova?

Politika

“Pikëlidhje me SHBA-të e ndërkombëtarët”/ A po i mungon Kosovës Ibrahim Rugova?

Nga: P.Rudi Më: 22 janar 2024 Në ora: 08:03
Dr. Ibrahim Rugova.

Janë bërë 18 vite që kur ndërroi jetë presidenti historik i Republikës së Kosovës, arkitekti i pavarësisë sonë, Dr. Ibrahim Rugova.

Kosova dhe mbarë shqiptarët kujtojnë udhëheqësin shqiptar, një shembull të shkëlqyeshëm të fisnikërisë dardane, një intelektual të ndershëm e përparimtar, e një burrë shteti që arriti shkallën e përkryer që sot të njihet në histori si “President historik“ për më shumë se dy milionë shqiptarë të Kosovës.

E analisti dhe ish kryetari i LDK-së në Zvicër, Haki Latifi, teksa kujton Rugovën, thotë se presidenti Rugova është njeriu që kontribuoi më së shumti në lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.

“Ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, hyn në mesin e figurave më të shquara të historisë së Kosovës që solli kulturën e qëndresës paqësore duke e orientuar vendin e tij kah SHBA dhe Evropa”, shprehet Latifi.

Sipas tij, Rugova ishte njeriu që unifikoi edhe skenën politike në Kosovë.

Image
Haki Latifi

“Rugova bëri shumë përpjekje për unifikimin mbarëshqiptar, për të ndërtuar një Kosovë të integruar në strukturat evropiane dhe veriatlantike. Ai ishte burrë i urtë, në plotninë që i jep Shqipja kësaj fjale. Politikan klas me vizion të qartë të cilit nuk i lëvizi asnjë grimë, as në rrethanat më të vështira për të”, deklaron Latifi për “Bota sot”.

“Rugova ishte shqiptar i madh, politikan e diplomat klasi, drejtues i mençur e visionar, njohës analitik i popullit të tij, i rrethanave e koniukturave rrajonale e ndërkombëtare. Rugova ishte strateg i një qëndrese e lëvizje të pashembullt paqësore, por më tmerruese se çdo lloj përpjekje e armatosur, për serbët e Millosheviçit. Ndërsa me politikën e tij dhe vizionin që kishte ishte intërpret i shpirtit shqiptar të lirisë. Në të cilën e kthehu Kosovën nga Perëndimi, nga aleatët e natyrshëm të popullit shqiptar, siç janë: Uashingtoni dhe Brukseli”, shton Haki Latifi.

Më tej, Latifi shprehet se sot Kosovës i mungon një njeri si Rugova, i cili ishte një pikëlidhje e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Natyrisht se i mungon Kosovës, sepse ai ishte pikëlidhje me SHBA- në dhe miqtë e Kosovës. Ai është njëri prej njerëzve më të rëndësishëm në historinë mijëravjeçare të popullit shqiptar dhe njëkohësisht një shembull se si duhet të jetë bariu i një populli. I ndritë shpirti presidentit Rugova! Lavdi veprës së tij!”, përfundon Haki Latifi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat