E tha Rama, por jo Blinken/ Sekretari amerikan nuk u përgjigj rreth dinarit serb, Bytyçi tregon domethënien e këtij veprimi

Politika

E tha Rama, por jo Blinken/ Sekretari amerikan nuk u përgjigj rreth dinarit serb, Bytyçi tregon domethënien e këtij veprimi

Nga: M.L. Më: 16 shkurt 2024 Në ora: 13:43
Foto nga vendi i ngjarjes

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetëson Bashkimi Evropian, është rruga e duhur dhe e vetme për dy vendet që të lëvizin përpara. “Po bëjmë gjithçka të mundur për t’i mbështetur ato”, tha ai.

Krye-diplomati amerikan i bëri komentet në një konferencë për gazetarë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të enjten në Tiranë.

Ai tha se SHBA-ja do të punojë edhe me “Shqipërinë dhe të tjerët” për t’i ndihmuar Kosovën e Serbinë që të avancojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Po ashtu shtoi se vendi i tij e di se çfarë ka ndodhur në rajon 30 vjet më parë, ndaj “nuk mund të ketë përsëritje të saj”.

Blinken nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për një vendim të autoriteteve në Kosovë, që ndaloi përdorimin e dinarit serb në vend, pas më shumë se dy dekadash.

Ndërkaq, në të njëjtën ditë ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffry Hovenier, deklaroi se Vendimi i Kosovës për dinarin ka ndikuar në marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve.

Për profesorin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dr. Enver Bytyçi, sado që duket i përgjithshëm, mesazhi i sekretarit Blinken për Kosovën duhet vlerësuar dhe marr shumë seriozisht.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Vizita e sekretarit të Shtetit të SHBA-ve në Tiranë ishte një ngjarje e rëndësishme edhe për mesazhet që ai dha për rajonin e sidomos për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Në deklarimet e tij gjatë konferencës për shtyp zoti Blinken theksoi nevojën e vazhdimit të dialogut dhe garantoi perspektivën e integrimeve euro-atlantike të të dy vendeve. Ky mesazh ishte me shumë rëndësi. Sado që duket si mesazh i përgjithshëm, sërishmi duhet vlerësuar lart.

Sekretari Blinken në mes tjerash theksoi tri mesazhe, atë të ndihmës amerikane për integrimin të Shqipërisë në BE, luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe reformën në drejtësi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Çështjet e Kosovës dhe marrëdhënieve me Serbinë ishin produkt i pyetjeve që bënë gazetarët. Por kjo nuk e zbeh mesazhin e tij për Kosovën”, ka thënë ai.

Blinken nuk e përmendi çështjen e dinarit serb për përdorim në territorin e Kosovës.

Por, pavarësisht kësaj, Bytyçi thekson se edhe sekretari Blinken është i “zemëruar” me qëndrimin e Kosovës për këtë çështje.

“Ndryshe nga ndihmës i tij që kërcënoi qeverinë e Kosovës për pasoja nëse ajo nuk lëshon pe për dinarin serb në Kosovë, shefi i Departamentit të Shtetit Amerikan nuk e përmendi fare këtë çështje. A është edhe Blinken i zemëruar për qëndrimin e qeverisë së Kosovës ndaj kësaj çështjeje? Sigurisht që po. Ndryshe nuk kishte pse zëvendësi i tij dhe ambasadori Hovenier të kërcënojë për cenimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA! Madje me pasoja të rrezikshme për Kosovën, sepse kritikat amerikane për qeverinë e Kosovës shpesh herë shërbejnë për thellimin e përçarjeve në Kosovë. Kritika e Uashingtonit edhe këto ditë ka shkaktuar reagime ekstreme të atyre që mbështetën para katër-pesë viteve kur ishin në pushtet ndarjen e Kosovës”, u shpreh ai.

Por, sipas Bytyçit, semantika është e thjeshtë dhe këta që marrin në mbrojtje qëndrimet e disa diplomatëve amerikanë nuk morën në mbrojtje territorin e vendit të tyre.

“Përkundrazi, thanë se duhet ndarë Kosova, sepse kështu po thonë amerikanët e Grenellit. Dinari, siç e tha sot kryeministri i Shqipërisë në prezencë të Blinken, është çështje sovraniteti. Zoti kryeministër i Shqipërisë kërkoi që Kosova të lëshojë një milimetër sovranitet në këtë drejtim. Por nuk e tha këtë Blinken”, u shpreh ai.

Sipas profesorit, cenimi i sovranitetit në përdorimin e monedhës euro, siç përcakton kushtetuta, i hap rrugë cenimit të sovranitetit territorial.

"Ndërkaq unë do isha shumë i lumtur që SHBA të mbështesë sovranitetin e Kosovës edhe për çështjen e përdorimit të dinarit dhe jo vetëm të territorit. Sepse cenimi i sovranitetit në përdorimin e monedhës euro, siç përcakton kushtetuta, i hap rrugë cenimit të sovranitetit territorial. Ndërkohë cenimi qoftë dhe një milimetër i sovranitetit në favor të Serbisë krijon mundësinë që ajo të motivohet për të shtuar kërkesat e saj për sovranitet territorial. Unë besoj se sovraniteti i shtetit mund të cenohet një ose disa milimetra, por në favor të ndonjë aleati, si SHBA-të, të cilat nuk përbëjnë rrezik të cenimit territorial të saj. Në raport me Serbinë nuk mund të ndodhi asnjë kompromis. Sovraniteti i Kosovës përballë Serbisë është më i rëndësishëm se çdo partneritet dhe aleancë. Aleancat dhe partneritetet ndërtohen nga të gjitha shtetet e botës në funksion të mbrojtjes së territorit dhe sovranitetit. Në momentin që një aleat kërkon cenimin e këtij sovraniteti për llogari të një vendi agresor e armik, në atë moment nuk funksionon asnjë lloj partneriteti. Ata që rekomandojnë që Kosova t’ia hapë dyert Serbisë, se këtë e kërkon SHBA-të ose Evropa, bëjnë gabim”, potencoi ai.

Bytyçi thekson se politikanët e Kosovës merren me politikë për të mbrojtur sovranitetin shtetëror të vendit të tyre.

Antony Blinken e di këtë fakt. Prandaj anashkaloi komentet e tij. Nuk mund t’i bënte presion Kosovës për të pranuar cenimin e sovranitetit të saj. Dhe kjo do të thotë se Blinken nuk shkel parimet. Parimi i respektimit të sovranitetit të Kosovës dhe të çdo vendi tjetër është themelor në të drejtën ndërkombëtare. Sekretari i Shtetit e njeh këtë parim. Kujdesi që ai tregoi në të njëjtën ditë kur diplomatë tjerë ri përsëritën kërcënimin e dëmtimit të marrëdhënieve Kosovë-SHBA ka një domethënie. Dua të shpresoj se domethënia lidhet me një lloj presioni relativ ndaj lidershipit të Kosovës.

Pse them relativ? Sepse kemi parë në këto vitet e fundit, kur marrëdhëniet midis të dy vendeve janë tensionuar për të njëjtën arsye dhe më pas marrëdhëniet janë avancuar më tej. Kështu ndodhi p.sh me konstituimin e kryetarëve të komunave në veri të vendit. Unë kam qenë kritik ndaj deklaratës së zotit Kurti në adresë të sekretarit Blinken asokohe. Megjithatë vetë Blinken u bë katalizator i marrëdhënieve më të ngushta. Deri aty sa sot është miratuar edhe në senat për armatosjen e ushtrisë së Kosovës.

Nëse kthehemi në kohën e para gjashtë muajve, asokohe thoshim se morën fund marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të. Por çfarë ndodhi? Këto marrëdhënie u zhvilluan shumë më me shpejtësi”, thekson ai.

Bytyçi rikujton se edhe atëherë politikanët e opozitës u sollën ashpër kundër Kurtit.

“Kërkuan që të tërhiqen kryetarët e komunave. E fajësuan qeverinë për gjithçka që ndodhi me dhunën e serbëve kundër KFOR-it. Ndërkaq ngjarjet morën tjetër rrjedhë. Kështu do të ndodhi edhe në këtë rast. Pikërisht këtë ka parasysh sekretari i Shtetit, Blinken, kur nuk u prononcua për çështjen e përdorimit të dinarit serb në territorin e Kosovës”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat