Deklarata e Kurtit për SHBA-në – analistët e mbështesin kryeministrin, komentojnë qasjet e ndryshme ndaj Kosovës dhe Serbisë

Politika

Deklarata e Kurtit për SHBA-në – analistët e mbështesin kryeministrin, komentojnë qasjet e ndryshme ndaj Kosovës dhe Serbisë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 2 prill 2024 Në ora: 08:01
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA janë të mira, thotë kryeministri Albin Kurti.

SHBA “po kërkon” shumë nga Kosova, madje vendi jonë është ende nën masa.

Kurse, për Kosovën Serbia gjithmonë do të jetë shtet agresor, gjenocidal, i cili ka kryer krime gjatë luftës, dhe akoma vazhdon me kërcënime, edhe pas 25 vitesh liri.

Kryeministri Kurti ka thënë se nuk pret nga Amerika ta shoh Serbinë sikurse e sheh Kosova, mirëpo sipas tij edhe pritjet e SHBA-së nuk duhet të jenë aq të larta.

“Amerikanët nuk duhet të presin që unë ta shoh Beogradin zyrtar me sytë e Departamentit të Shtetit. Unë kam qenë rob lufte, i burgosur politik dhe e di historinë e serbëve dhe shqiptarëve. SHBA dhe Serbia kanë njohje reciproke. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, SHBA janë dëshmitare, nuk janë viktima. Prandaj unë Serbinë e njoh më mirë dhe nuk mund ta kem as të njëjtin qëndrim e as ndjeshmëri sikurse Departamenti i Shtetit. Raportet tona duhet të jenë si të aleatëve por qëndrimet tona nuk duhet të jenë të njëjta”, ka deklaruar ai.

Ahmeti: Kryeministri Kurti ka të drejtë në këtë kontekst

Analisti Hidajet Ahmeti thotë se deklarata e Kurtit është e drejtë sepse nuk duhet që shtetet ndërkombëtare të ndërtojnë ura bashkëpunimi duke e harruar të kaluarën e hidhur.

Image
Analisti Hidajet Ahmeti

“Kryeministri Kurti ka të drejtë në këtë kontekst, pasi qëllimi i shteteve ndërkombëtare të ndërtojnë ura bashkëpunimi, por duke harruar të kaluarën e hidhur apo më mirë thënë me bë konsensues për hir të konsensusit”, shprehet ai.

Ahmeti nënvizon se Serbia është agresore e Kosova viktima, andaj derisa nuk diskutohet e kaluara, nuk mund të ketë paqe stabile.

“Mendoj se Serbia e Kosova nuk janë ekuivalente në të kaluarën dhe nuk mund të trajtohen me qasje të njëjtë nga ndërkombëtarët, pasi agresori është Serbia e Kosova është viktima. Përderisa nuk diskutohet për të kalurën, nuk dënohet Serbia me gjenocidin që ka bërë, dëmet materiale, nuk mund të ketë paqe stabile. Serbia përmes rolit të viktimës, po mundohet të harrojë të kaluarën kriminale. Prandaj, çdo tendencë e shteteve ndërkombëtare për të barazuar viktimën me agresorin është padrejtë, e pandershme, e cila mund të ndërtoj paqe të rrejshme, por edhe të përkohshme”, përfundon ai.

Mehmeti: Kësaj deklarate të Kurtit s’ke çfarë t'i heqësh apo t'i shtosh

Image
Faton Mehmeti

Edhe analisti Faton Mehmeti thekson se me këtë deklaratë Kurti ka thënë atë që çdo qytetarë e gjen veten në të.

“Kësaj deklarate të Kurtit s’ke çfarë t'i heqësh apo t'i shtosh, çdo qytetar i Kosovës e gjen vetën në këtë deklaratë. Sigurisht se ndjeshmëria nuk është si e atyre që kanë përjetuar tmerrin, luftën, maskarat si e atyre që nuk i kanë përjetuar këto, në veçanti Kurti që ka përjetuar dhunën e egër të regjimit të Millosheviqit, e fatkeqësisht pasardhësit e tij janë në pushtet me të njëjtën logjikë dhe agresion”, potencon ai.

Më tej, thotë se SHBA flet politikisht në raport me Serbinë duke thënë se edhe ata janë dëshmitarë të krimeve serbe ndaj shqiptarëve.

“SHBA flet politikisht në raport me Serbinë, ne s’mund ta bëjmë këtë si ata, deshtëm apo jo ndjeshmëria është ende dhe do të jetë prezente gjithnjë. Aleatët tanë janë dëshmitarë të krimeve më monstruoze të Serbisë ndaj shqiptarëve, për këtë edhe reaguan më 24 mars 1999, ata s’duhet të harrojnë se kush i ka kryer krimet e rrejdhimisht s’mund të dyja palët të trajtohen njësoj, derisa njëra ka kryer krime e tjetra ka qenë viktimë”, thotë Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat