Takimet e dështuara në Bruksel, çfarë do të ndodhë të enjten – paralajmërohet arritja e një marrëveshjeje

Politika

Takimet e dështuara në Bruksel, çfarë do të ndodhë të enjten – paralajmërohet arritja e një marrëveshjeje

Arife Morina Nga Arife Morina Më 2 prill 2024 Në ora: 18:33
Foto nga takimi mes Kosovës dhe Serbisë

Tash e një kohë çështja e dinarit vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara në vend.

Presioni i ndërkombëtarëve për shtyrjen/anulimin e vendimit që e ndalon përdorimin e monedhës dinar është tejet i madh.

Edhe në Bruksel ka pasur përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje mes dy shteteve sa i përket kësaj teme, por që kanë dështuar.

Disa takime u mbajtën në Bruksel, por nuk ishin të suksesshme.

Mirëpo, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak nuk ka hequr dorë.

Së fundi, ai njoftoi se krye-negociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq do të jenë në Bruksel këtë javë.

Lajçak ka thënë se të enjten shpreson se do të jenë në gjendje të kapërcejnë mosmarrëveshjet e mbetura.

Lajçak ka shkruar në Facebook se të hënën e kaluar ka pritur në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, zëvendëskryeministrin Bislimi dhe drejtorin Petkoviq.

“Vazhduam diskutimet tona për gjetjen e një zgjidhjeje të zbatueshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës. Në përgjithësi, ka qenë një takim i dobishëm. Të dyja palët patën mundësinë të shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre.

Në fund erdhëm në përfundim se do të nevojitet një takim tjetër. Të dy palët do të jenë në Bruksel këtë javë dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të kapërcejmë mosmarrëveshjet e mbetura të enjten”, ka shkruar ai.

Duke parë, takimet e dështuar në Bruksel, sa ka gjasa që një marrëveshje të arrihet mes palëve, mbetet të shihet!

Qarri: Në fakt Kosova nuk ka asnjë problem, sa i takon “dinarit”

Image
Gani Qarri

E në lidhje me këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.

Së pari, ai u shpreh se Kosova nuk ka problem me dinarin, por me emisarët ndërkombëtarë që po e kundërshtojnë vendimin e BQK-së për monedhën serbe.

“Në fakt Kosova nuk ka asnjë problem, sa i takon “dinarit”, madje nuk ka ankesa, as nga serbët lokalë, Kosova problem madhor ka me tendencat e emisarëve pro-serb euro-amerikan si Lajçak e Eskobar, të cilët duket se për pagat që marrin nga Serbia, janë hedhë publikisht në aksion të hapur dhe kanë vendosur të bëjnë luftë marramendëse për imponimin me çdo kusht, të ligjeve dhe influencës monetare e "institucionale" serbe, jo vetëm me dinarin, por edhe imponimin e komunave paralele dhe institucioneve ilegale të Serbisë në Kosovë, duke mos lejuar as spastrimin e objekteve të uzurpuara prej strukturave ilegale serbe”, deklaroi analisti.

Qarri kritikoi këtë qasje qortuese ndaj Kosovës, e cila ka të drejt ligjore për ndalimin e dinarit.

Sipas tij, po tentohet që t’i vendosen edhe më shumë kushtet shtetit tonë, kjo në mënyrë detyrimi, më saktë në formë diktati.

“Këto akte janë vërtetë të rënda, plotësisht kundër-produktive dhe tërësisht të paligjshme, kur dihet mirëfilli se Kosova, si çdo shtet tjetër i pavarur, ka të drejtë të pamohueshme kushtetuese dhe ligjore, që të vendos vet, se cila monedhë do të përdoret ligjërisht për transfere dhe pagesa në vend.

Problemi këtu qëndron në atë, se një emisar po tenton t’i vendosë Kosovës shumë kushte dhe të gjitha ato në mënyrë përnjëhershme, me detyrim dhe në formë diktati, duke filluar me tendencën koloniale, për imponimin e komunave ilegale, strukturave paralele të një shteti tjetër, dinarin dhe asociacionin një etnik serb, pa pyetur për mundësitë Kosovës.

Kjo nuk mund të quhet marrëveshje as diplomaci, por diktat, të cilat Eskobar, sado të fort ta ndiej veten, pa Kosovën edhe kështu të vogël e të "pafuqishme" si është, siç thotë ai me vetëm 1.5 milionë banor, nuk mund t’i zbatojë, pa marrë parasysh se sa para mund të ketë marrë ai dhe bashkëshortja e tij nga Serbia”, theksoi ai.

Krahas kësaj, analisti komentoi edhe qëndrimet e Escobarit dhe presionet që po ia bënë Kosovës.

Sipas tij, kjo nuk është e drejt, derisa shpresoi në largimin e Escobarit nga misioni i tij.

“Kosova nuk ka kushte as mundësi, t’u nënshtrohet diktateve të tij, as të pranojë, kushtet të cilat ai tenton t`ia imponojë vendit tonë, ngase kjo nënkupton shfuqizimin e shtetësisë, shkeljen e ligjeve e të Kushtetutës, dhe ndarjen e përgjegjësive me një shtet hegjemonist e armiqësor si Serbia, që nuk njeh, jo vetëm integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror por as bankat legale të Kosovës.

Eskobar duhet ta di, se është ndërmjetësues, apo emisar i përkohshëm, funksion të cilin pas disa muajsh, pra nga zgjedhjet e nëntorit të këtij viti në SHBA, mund të mos e ushtrojë më, gjë që edhe urojmë shumë të ndodhë sa më parë dhe të shkojë në ndonjë mision tjetër, në mënyrë që Kosova të lirohet nga sjelljet imponuese, arroganca e paprecedent dhe presionet aspak diplomatike të tij”.

Sa i përket takimit të ardhshëm në Bruksel, u shpreh optimist se mund të arrihet fare lehtë një marrëveshje, duke thënë se vetëm Serbia duhet ta ketë të qartë që parat t’i dërgojë në mënyrë transparente përmes bankave të Kosovës.

“Prandaj në kundërshtim me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, besoj se në takimin e së enjtes në Bruksel, mes kryenegociatorit të Kosovës Besnik Bislimi dhe atij nga Serbia Petar Petkoviq, mund të arrihet fare lehtë, të kapërcehet çdo diferencë, e ashtuquajtur "e mbetur", me kushtin e natyrshëm, që Serbia, t’i respektojë ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, nëse ajo dhe z.Eskobar vërtetë dëshirojnë ti ndihmojnë minoritarët serb, e jo të krijojnë tensione të reja.

Parat, Serbia duhet t’i dërgojë në mënyrë të rregullt, e transparente përmes bankave të propozuara nga Kosova!

Kjo është e tëra, nuk ka asnjë problem të patejkalueshëm këtu, nëse nuk ekziston ndonjë para marrëveshje me Eskobarin, Lajçakun & Co, që për një çështje kaq minore, ta ngarkojnë qëllimisht Kosovën me kërkesa të papranueshme antiligjore dhe kundër kushtetuese, për dërgimin përsëri, në mënyrë ilegale të parave me thasë”, nënvizoi analisti.

Në fund, ai potencoi problemin me paratë ilegale dhe financimin e grupeve kriminale e terroriste serbe përmes dinarëve të Beogradit.

“Dërgimi i parave me thasë për financimin e grupeve kriminale e terroriste serbe, si deri para disa muajsh, ka përfunduar dhe pas rivendosjes së rendit e të ligjit në veri, Kosova nuk mund të lejojë serish që terroristët e Radojçiqit, me parat e futura ilegalisht të Serbisë, ta përshkallëzojnë përsëri dhe pa asnjë nevojë, gjendjen politike, në mënyrë që Kosova, njëjtë si para disa muajsh, pa fajin e saj, të sanksionohet përsëri, për shkak të problemeve që shkakton Serbia në koketim me emisarët jo-diplomatik pro-serb, euro-amerikan”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

Halimi: Shpresoj të arrihet një marrëveshje për dinarin

Image
Jeton Halimi

Kurse, Jeton Halimi Drejtor Ekzekutiv ne Institutin për Studime Evropiane dhe Globale, në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se optimist për një arritje të një marrëveshjeje në Bruksel.

“Po unë shpresoj pas takimit te radhës, siç e ka thënë i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav mes Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviq do të arrihet marrëveshja për monedhën-dinarin”.

Ai tha se liderët e shtetit duhet të japin sinjale pozitive se mund të arrihet një marrëveshje.

“Zotimi i krerëve të shtetit si znj. Vjosa Osmani, z. Albin Kurti, Glauk Konjufca, se do ta themelojnë  “Zajednicën” tani me emërtimin e Kurtit “Vetë menaxhimin”, tregon sinjal pozitiv se mundet të arrihet marrëveshja, por vetëm duhet të lihen anash popullizmat dhe mos të mundohen t’i mbulojnë dështimet e tyre dhe të lënë krejt anash të kaluarën, kinse opozita na i ka bërë këto”, e përmbylli Jeton Halimi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat