Flet sociologu: Kjo është arsyeja pse ndodhin vrasjet ndaj grave, ja si duhet të veprojë shteti

Politika

Flet sociologu: Kjo është arsyeja pse ndodhin vrasjet ndaj grave, ja si duhet të veprojë shteti

Nga: Naile Ejupi Më: 16 prill 2024 Në ora: 23:02
Foto ilustrim

Dita e mërkurë do të jetë ditë zie në Kosovë, kjo në kujtim të të gjitha grave dhe vajzave të vrara në Kosovë si rezultat i dhunës në baza gjinore.

Ky vendim i marrë nga presidentja, Vjosa Osmani, vjen pas vrasjes së Gjyljeta Ukellës në ditën e sotme nga bashkëshorti i saj, Edmond Lajqi.

Lajqi është arrestuar nga policia, po ashtu është konfiskuar edhe arma e krimit dhe me këtë rast prokuroria do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit.

Në paraburgim për arsye të njëjta (vrasje të gruas), është edhe 36- vjeçari Valon Aliu, ai të shtunën ka vrarë gruan e tij, 21 vjeçare në objektin e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.

Vrasjet e shtuara ndaj grave shihen alarmuese dhe konsiderohen çmenduri nga sociologët.

Sociologu Bekim Selishta në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se fajtori qëndron te mos profesionalizmi në qendra të punës dhe mirëqenies sociale.

Ai ka kërkuar që sociologjia të jetë prezentë në shkolla fillore dhe të mesme.

“Unë nuk kisha thënë se është rend, por kjo që po ndodh është çmenduri. Si sociolog vazhdimisht e kam ngritur zërin, jo vetëm sot, por edhe shumë herë tjera në Qendra të punës dhe mirëqenies sociale, aty mungojnë shumë sociologë profesionistë, nga ajo mungesë sot e kemi marrë një rezultat, domethënë ka së paku që 10 vite që paralajmëroj që profesionistët sociologë duhet të jenë në krye të detyrës dhe jo të anashkalohet komplet, domethënë në qendra për mirëqenie sociale, në këshillim ku duhet të këshillohet çdo i ri nuk ka punëtorë as social, as sociolog dhe këtë punë kryesisht e bën ekonomisti apo juristi, apo dikush tjetër. Për mua kjo është çmenduri, unë këto 10 vite të fundit vazhdimisht kam thënë se lëndët e orientimit shoqëror, domethënë sociologjia duhet të jetë edhe më prezentë në shkolla fillore dhe të mesme, por te ne thuajse është larguar e gjitha, flas këtu për shkolla profesionale, kjo është çmenduri”, deklaron Selishta.

Për vrasjet e grave, të martën është mbajtur edhe një konferencë për media nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, konferencë kjo pas takimit të gjithanshëm të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për veprim të menjëhershëm. Haxhiu ka theksuar se "mosveprimi dhe neglizhenca e vazhdueshme nga ana e institucioneve të drejtësisë po çon në transformimin e dhunuesve në vrasës."

Ministrja ka shtuar se do të bëhet një rishikim i politikave ndëshkimore dhe është paralajmëruar ngritja e një institucioni të ri për rehabilitimin e personave me probleme nga abuzimi i substancave narkotike. Po ashtu, ajo ka theksuar se "femicidi", akti i vrasjes së grave bazuar në gjini, do të klasifikohet si një vepër penale e veçantë.

"Dhuna në familje dhe femicidi janë armiku i brendshëm me rrezik të madh për Kosovën," ka thënë Haxhiu, duke vënë në dukje se që nga viti 1999, 99 gra janë vrarë nga partnerët e tyre.

Ajo ka kritikuar ashpër përdorimin e gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale dhe ka kërkuar monitorim më të rreptë.

Në anën tjetër, sociologu Selishta thotë se shteti nuk duhet të jetë tolerant ndaj rasteve të tilla.

Sipas tij, shumë policë janë vrarë gjatë intervenimeve për dhunën në familje dhe për këtë nuk është alarmuar.

“Shumë vite paraprake nuk ka funksionuar ligji, por ka funksionuar një ligj tjetër dhe nëse ka pasur dhunë, ose ke vrarë një grua, apo diçka unë po e quaj në thonjëza “të ka kapur një mallkim i popullit”, mallkimi i popullit është se të ka dënuar gjithë shoqëria, ke qenë i përjashtuar, tani te ne e kemi edhe ligjin, edhe je i dënuar, domethënë je me dy dënime funksionale, domethënë edhe dënimin e parë që e përmenda, edhe dënimin e ligjeve të shtetit, domethënë shteti nuk duhet të jetë tolerant, nuk kanë rëndësi raportet mes çiftet, nuk ka rëndësi sesi kanë qenë relacionet pasi kemi viktima, a është dashur të bëhet më shumë, a ka pasur mundësi të bëhet më shumë, besoj që ka pasur mundësi, por kjo është në mungesë të kujdesit edhe të profesionalistëve në pikat ku duhet të jetë. Në vitet më të hershme numri i policëve që janë vrarë për intervenim në dhunën në familje, janë vrarë mbi 8 apo 10 policë, domethënë këto shifra tregojnë sa është i rrezikshëm si fenomen, ky numër i policëve të vrarë gjatë intervenimeve për dhunën në familje nuk është alarmuar shumë, nuk është publikuar shumë nuk e di pse, por kjo tregon që rruga nuk është e lehtë për t’u ndjekur”, thekson Selishta.

Ai “zgjidhjen” e sheh në këshillimin e të rinjve para martesës.

“Tani neve na duhen profesionistët në krye të detyrë, jo ekonomisti, juristi, apo asistenti për ta kryer punën e sociologut, duhet çdo çifti i ri të ketë një sociolog, apo punëtor social që ta kryjë punën e këshillimit, domethënë nuk është e lehtë, të ndryshohet një status nga beqari në i martuar, për atë duhet këshillim për të ardhmen”, përfundon sociologu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat