Paralajmëron eksperti i sigurisë: Çdo shkëmbim apo ndryshim kufijsh mund të sjellë trazira

Politika

Paralajmëron eksperti i sigurisë: Çdo shkëmbim apo ndryshim kufijsh mund të sjellë trazira

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 24 gusht 2018 Në ora: 00:22
Thaci- Vuciq

Çdo shkëmbim apo ndryshim të kufijve mund të sjellë trazira apo çrregullim të situatës politike, thonë ekspertët e sigurisë pak ditë para mbajtjes së takimit Thaçi- Vuçiq.

Takimi i radhës në mes të presidentit Hashim Thaçi dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq në kuadër të fazës së fundit të dialogut Kosovë- Serbi, do të mbahet gjatë muajit shtator në Bruksel.

Ndonëse, të dyja vende tashmë kanë hyrë në fazën finale, një marrëveshje gjithëpërfshirëse pa kompromise të dhimbshme, sipas të dyja palëve është e pamundur.

Ideja për shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh nuk ishte përjashtuar nga presidenti Thaçi, mirëpo kundër ai ka hasur te pala ndërkombëtare të cilët thonë se nuk do të ketë ndryshim të kufijve në Ballkan.

Mirëpo, gjatë ditës së enjte Presidenti Thaçi, ka rikthyer vëmendje për këtë çështje.

Thaçi e citoi një deklaratë të Presidentit Ibrahim Rugova të vitit 1994, por pa e përmendur burimin e kësaj deklarate, se ku apo për kë e kishte thënë Rugova këtë fjali.

Ai pretendon se Ibrahim Rugova kishte deklaruar; “Jo ndarje të Kosovës, por po shkëmbimit të territoreve”.

Këtë deklaratë nuk e ka dëgjuar më parë, profesori universitar dhe njëri nga themeluesit e LDK-së, Milazim Krasniqi.

Ai për medie, ka thënë se nuk e mban mend që Rugova të ketë deklaruar ndonjëherë se është pro shkëmbimit të territoreve me Serbinë.

“Jo, nuk e mbaj mend ndonjë deklaratë të tillë nga Rugova”, tha Krasniqi.

Ndërsa, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, duke folur rreth takimit të radhës Thaçi- Vuçiq në shtator, thotë se deklaratat se pajtimi do të jetë i dhimbshëm nënkuptojnë atë se çfarë e pret Kosovën.

“Shtatori është paralajmëruar si muaj i bisedimeve mes kryetarit të Serbisë Vuçiq dhe kryetarit të Kosovës Thaçi, për çështjen përfundimtare të pajtimit mes këtyre dy shteteve dhe të njohjes reciproke mes veti. Në këtë situatë të tanishme, kur dihet se shtatori është shumë afër, dhe situata politike e tensionuar jashtë mase, sidomos me prononcimet të here pas hershme si të Vuçiqit ashtu edhe të Thaçit, se pajtimi do të jetë i dhimbshëm si për njërin ashtu edhe për tjetrin shtet, na jep të nënkuptojmë atë çfarë e pret Kosovën”, ka deklaruar Tërnava.

Varianti i Thaçit i cili thotë se do të ketë korrigjim të kufijve, sipas Tërnavës është më i butë apo i lakueshëm, gjë që me këtë gjasat janë se Kosova do t’i falë tokë Serbisë.

“Edhe varianti tjetër për bisedimet që tani Thaçi po e përdorë si variant më të butë apo më të lakueshëm, se do të ketë korrigjim të kufijve, gjithashtu na jep të nënkuptojmë se një pjesë e Kosovës do t’i falet Serbisë, e të gjitha gjasat janë se kjo pjesë, do të jetë veriu i Kosovës me katër komunat e saj”.

Image
Hajrullah Tërnava

“ Është për t’u habitur fakti kur kihet parasysh se shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, është shpallur në kufijtë e kushtetutës 1974, e si bazament është marrë edhe sikur tjera gjashtë shtete që ishin në një përbërje të ish- Jugosllavisë dhe e kanë shpallur pavarësinë e saj në kufijtë e tyre të po të njëjtës kushtetutë. Njohja e pavarësisë deri më tani është bërë nga 116 shtete, edhe Gjyqi Ndërkombëtar i Drejtësisë (GJND), ai e ka konfirmuar si të bazuar shpalljen e kësaj pavarësie, edhe që vetë Serbia e ka inicuar në këtë gjyq këtë çështje. Serbia në këtë luftë është llogaritur si agresore dhe me marrëveshjen e Kumanovës e ka nënshkruar kapitullimin e saj dhe humbjen e Kosovës. Pas këtyre bisedave, e sidomos prononcimit të Vuçiqit dhe Thaçit se dhimbja do te jetë e rëndë për dy shtetet, reagoi faktori ndërkombëtar sikur Amerika, Gjermania, Anglia dhe thanë se nuk duhet të këtë ndryshim të kufijve sepse me këtë shkaktohet efekti domino në Ballkan dhe luftërat do të jenë të pamohueshme”, është shprehur Tërnava.

Ai ka bërë ndërlidhjen e bisedimeve me Gjykatën Speciale, duke shtuar se Thaçi është në gjendje të bëjë çmos për ta shpëtuar veten.

“Edhe Thaçi u mundua ta zbutë qëndrimin e tij dhe sikur u pajtua me këto qëndrime të miqve tonë, por vetëm për një kohë të shkurtë dhe vetëm sa e ndryshoi retorikën se Kosovës do t’i bashkangjitet Presheva dhe pjesët tjera të banuara me shqiptarë, kurse veriu do të jetë pjesë përbërëse e Kosovës. Krejt kjo retorikë e tij është e dyshimtë, sepse ky që t’i shpëtojë përgjegjësisë së tij në Gjyqin Special të Hagës, është në gjendje të bëjë çmos vetëm ta shpëtojë veten. Këtë qëndrim të Thaçit e kanë kuptuar edhe politikanët tjerë të Kosovës dhe kanë filluar distancimin e tyre nga politika e tij, por megjithatë ky është i paparashikueshëm dhe shumë i rrezikshëm dhe dëshiron t’i arrijë qëllimet e tij pavarësisht çmimit”, ka pohuar Tërnava.

Sipas tij, nuk do të ketë ndonjë skenar që do ta cenonte pavarësinë e Kosovës dhe kjo sepse ndërkombëtarët ia kanë ndryshuar kahjen bisedimeve.

“Është për t’u habitur fakti pse ky kryetar ngulë këmbë e dëshiron vetëm ky t’i negociojë këto bisedime kur kjo çështje e bisedimeve sipas kushtetutës është kompentencë e Kryeministrit. Bisedimet që do të ndodhin në shtator vështirë se do të arrihet një marrëveshje në këto rrethana tani të krijuara, e sidomos kundërshtimeve të të gjitha partive politike ndaj qëndrimit të Thaçit, si ato pozitë, si ato opozitë, kur madje edhe miqtë tanë na tërheqin vërejtjen që të mos ketë ndryshim të kufijve. Nëse miqtë tanë sikur që i ceka më lart, na qëndrojnë afër me qëndrimet e tyre, sikur u prononcuan dhe iu ndryshuan kahjen e bisedimeve të Vuçiqit, Ramës dhe Thaçit, besoj se nuk mund të ketë ndonjë skenar që do ta cenonte pavarësinë e Kosovës në këtë fazë”, ka nënvizuar ai.

Tërnava ka theksuar se, në bisedime mund t’i kushtohet vëmendje e posaçme asociacionit të komunave serbe, mirëpo pala e Kosovës nuk duhet të dalë përtej kompentencave kushtetuese.

Ndërkaq, sipas Tërnaves, çdo shkëmbim apo ndryshim të kufijve mund të ketë trazira apo çrregullim të situatës politike.

“Ndoshta në këto bisedime do të tentohet që vëmendje e posaçme t’i kushtohet asociacionit të komunave serbe dhe rreth kësaj të tentohet që Serbia të përfitojë diçka më tepër se që parasheh kushtetuta e Kosovës, por është çështje tjetër se cili do të jetë qëndrimi i Kosovës, sesa janë në gjendje që të mos bëjnë favore jashtë kompentenca kushtetuese të Kosovës. Çdo shkëmbim apo ndryshim të kufijve në disfavor të kushtetutës sonë, gjithsesi mund të ketë trazira dhe çrregullim të situatës politike në përmasa të mëdha, prandaj përfaqësuesit tonë duhet të jenë të vëmendshëm në këto bisedime, nëse dëshirojnë të qëndrojnë edhe më gjatë në skenën politike, por edhe mos të shpallen tradhtarë”, ka përfunduar Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat