"Haradinaj të shpallë Ushtrinë përkundër deklaratës së Stoltenberg"

Politika

"Haradinaj të shpallë Ushtrinë përkundër deklaratës së Stoltenberg"

Nga: G. B. Më: 7 dhjetor 2018 Në ora: 09:42
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Më 14  dhjetor është caktuar seanca për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri përmes tri ligjeve që pritet të miratohen në Kuvend.

Por, sipas NATO-s, tani nuk është koha e duhur për formimin e ushtrisë dhe nëse ndodh kjo, Kosova do të përballet me pasoja serioze.

Të martën sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se  ky proces po udhëhiqet “në një moment mjaft të papërshtatshëm, pa u respektuar procedurat” dhe nëse ndodh kjo, NATO-ja do ta shqyrtojë angazhimin e saj rreth Kosovës”.

“Kjo shkon përtej këshillimeve të shumë zyrtarëve të NATO-s dhe mund të ketë pasoja serioze për integrimin e ardhshëm të Kosovës në proceset euroatlantike”, tha Stoltenberg.

I pyetur se për çfarë pasojash bëhet fjalë, Stoltenberg tha se vendimet i takojnë Këshillit të Aleancës Veriatlantike, si organi më i lartë i NATO-s.

Lidhur me këtë çështje, kryeministri i Kosovës ka thënë se formimi i ushtrisë është proces i brendshëm dhe në përputhje me Kushtetutën, në atë mënyrë që nuk rrezikon marrëdhëniet me NATO-n.

Ai ka zhvilluar një bisedë telefonike me Stotlenberg, ku i ka thënë se ushtria do të formohet me 14 dhjetor dhe se FSK do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon, derisa e ka falënderuar për kontributin e NATO-s për Kosovën.

Ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në një intervistë ekskluzive për RTK-në ka thënë se evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura është hap pozitiv dhe është më se i natyrshme për Kosovën si vend sovran dhe i pavarur, që të ketë aftësi vetëmbrojtëse.

Për formimin e ushtrisë dhe kundërshtimin e NATO-s, profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, ka thënë për gazetën “Bota sot” se deklarata e Stotlenberg tregon mos koordinimin brenda  NATO-s, derisa shton se kundërshtimi nga NATO ka ardhur nga presionet e vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, sidomos Serbia dhe Rusia.

Image
Avni Islami

“Deklarata e Stotlenberg duke iu drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës se nuk është situata dhe momenti që të formohet ushtria e Kosovës, vë në pah brishtësinë dhe moskoordinimin e vendeve anëtare të NATO-s për sigurinë dhe çështjeve globale. Pra problemet e brendshme, tregojnë se nuk ka unitet jo vetëm për çështjen e Kosovës por edhe çështje tjera dhe kjo tregon me anë të deklaratës së Stotlenbergut i cili bie në kundërshtim me vetë deklaratat e NATO-s, e cila ditë më parë e ka përsëritur se ushtria e Kosovës do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n dhe se nuk paraqet rrezik për asnjë vend dhe se koha në të cilën do të bëhet ushtria, do të kalojë nëpër faza për rreth 10 vjet. Dhe tash pas presioneve të vendeve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, pastaj Serbisë dhe Rusisë siç duket ato kanë bërë që Stotlenberg të dalë me një deklaratë kundërthënëse”, është shprehur ai.

Andaj, sipas Islamit, Qeveria duhet ta formojë ushtrinë, duke respektuar fqinjësinë e përjetshme me SHBA-në e cila përkrah formimin e saj, duke shtuar se ushtria nuk do të jetë rrezik për askënd, por prodhuese e paqes dhe sigurisë.

“Unë mendoj se Qeveria Haradinaj duhet, pavarësisht deklaratave të Stotlenberg, duke e respektuar në maksimum fqinjësinë e përjetshme me SHBA-të që kanë dalë hapur për formimin e ushtrisë, me 14 dhjetor ta shpallë datën e formimit të ushtrisë së Kosovës, e cila do të jetë multietnike, për mbrojtje dhe të shërbejë në Kosovë dhe Ballkan për ruajtjen e paqes dhe sigurisë si dhe do të jetë e gatshme për misione paqeruajtëse. Pra, ushtria e Kosovës asnjëherë nuk do të paraqes rrezik për dikë, përkundrazi do të jetë prodhuese e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe Ballkan”, ka deklaruar profesori Avni Islami për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat