Edhe sivjet mijëra qytetarë festuan 1 Majin në Gërmi

Prishtina

Edhe sivjet mijëra qytetarë festuan 1 Majin në Gërmi

Më: 1 maj 2019 Në ora: 16:45
Gërmia

Rruga që të shpie për në parkun e Gërmisë, gjatë ditës së sotme ishte e bllokuar nga veturat dhe qytetarët e Kosovës.

Të rinj, e të moshuar,  edhe sivjet sukurse viteve të kaluara Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve kishin zgjedhur këtë park, për të festuar. Disa duke lozur me top, karta, e disa duke pushuar. Secili në mënyrën e vet po argëtohej në këtë ditë.

Qazim Tahiri, parkun e  Gërmisë e ka gjithmonë destinacion në festën e 1 Majit. Tahiri thotë se numri i madh i vizorëve në këtë vend aludon me atë se ka shumë pak të punësuar.

Tahiri: Duhet të kërkohen të drejtat e punëtorit

“Sot mirë, kallabllak, poshtë e lartë...e kom dit që është plotë e thashë të vij, për ditën e punëtorit. Punëtori për të drejtat e veta duhet të dal, të kërkojë të drejtat, te na punëtorë ka pak, për atë krejt kanë ardh këtu, inshAllah bëhet mirë”, tha ai.

Tahiri mes tjerash shprehu pakënaqësitë e tij sa i përket drejtave të punëtorit. Sipas tij ato në Kosovë nuk respektohen fare.

Në parkun e Gërmisë së bashku me motra kishte ardhur edhe Lale Gashi.

Gashi: Kemi dal me u argëtu

“Pak me dal me shëtit, me dal pak mu argëtu.. Jo bash çdo herë por vijmë, sot kom ardh me dy motrat e mia, njëra ka ardhur nga jashtë, e tjetrën e kam këtu”, tha Gashi.

Naze Sahiti, e cila ka ardhur për pushime nga Belgjika në Kosovë thotë se të drejtat e punëtorëve në krahasim me vendin ku jeton, kanë dallim të madh.

Sahiti: Papunësi shumë e madhe në Kosovë

‘’Si krejt papunësi, papunësi shumë  e madhe, gjynah, shumë dallim i madh me Belgjikën, në të gjitha aspektet”, tha Sahiti.

Blerina Gashi  kishte dalë në Gërmi sot për të shitur ushqime të ndryshme. Pavarësisht se është ditë feste, ajo ka shfrytëzuar ditën kur ka më shumë njerëz. Megjithatë, ajo thotë se shumë pak ka fituar gjatë ditës së sotme.

Gashi: Nuk kemi pasur shumë shitje

“Jo edhe aq shumë, po dihet që sot krejt kanë dalur, varfëri, më shumë rinia kanë dal, familjarë jo shumë, e prej rinisë më pak po ka, por mirë nuk është keq, por jo edhe shumë”, tha Gashi.

E, pavarësisht reshjeve të shiut, parku i Gërmisë nuk u zbraz as pasdite, nga qytetarët e të gjitha vendeve të Kosovës.

Gjatë ditës, në parkun e Gërmisë, u panë edhe njësi policore, autoambulanc, dhe nga Insepktorati komunal.

Ndryshe gjatë ditës në kryeqytet janë mbajtur disa protesta, si ajo e Sindikatës së Sektorit Privat, dhe Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës, në të cilat morën pjesë një numër i vogël i qytetarëve.

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat