Prishtina me probleme të shtigjeve për çiklistë dhe hapësirës për këmbësorë

Prishtina

Prishtina me probleme të shtigjeve për çiklistë dhe hapësirës për këmbësorë

Më: 18 shtator 2019 Në ora: 15:40
Foto nga takimi

Në kuadër të Javës Evropiane të Mobilitetit, kolegji ‘Tempulli’ gjatë ditës sotme ka mbajtur një tryezë mbi temën “Ecja, çiklizmi dhe transporti urban”. Me këtë rast u tha se duhet të punohet më shumë në krijimin e shtigjeve të reja për çiklizëm dhe hapësirës për ecje në Prishtinë, ndërsa për trafikun urban u theksua se është vendosur në binarët e duhur.

Drejtori i kolegjit ‘Tempulli’, Muhamet Krasniqi duke përmendur rëndësinë e kësaj jave të mobilitetit tha se duhet të krijohet vetëdija te qytetarët për të lëvizur pa makina.

Krasniqi: Telashe kemi sa i përket çështjes së çiklizmit dhe hapësirës së dedikuar për këmbësorë

“Trafiku urban është vendosur në binar të duhur dhe përditë e më tepër është i pranishëm te qytetarët me shërbimet e veta profesionale, por dhe miqësore te qytetarët e Prishtinës. Ndërsa, telashe ende kemi sa i përket çështjes së çiklizmit, apo me fjalë të tjera shtigjeve për çiklistë dhe hapësirës së dedikuar për këmbësorë”, tha ai.

Ndërkaq, asamblisti Adrian Berisha tha se është e rëndësishme promovimi i ecjes, çiklizmit jo vetëm në kryeqytet, por në gjithë Kosovën.

Për mos realizimin e disa projekteve karshi këtyre aspekteve, Berisha tha se ende nuk ka një mendësi objektive për të punuar për të mirën e qytetit.

Berisha: Nuk ka një mendësi objektive për të punuar për të mirën e qytetit

“Mungesa e resurseve humane, të cilën e kemi si institucione, nuk është një mendësi objektive për të punuar për të mirën e qytetit shpesh herë. Por e kemi këtë problemin e subjektivitetit në institucione”, tha ai.

Nga Komuna e Prishtinës, koordinatorja për Plan të mobilitetit, Vjollca Podvorica dha detaje më shumë për javën e mobilitetit që ka nisur me 16 shtator dhe do të përfundojë më 22 shtator.

Podvorica: Të dielën qendra e qytetit do të bllokohet për mjetet e motorizuara

“Java do të fillojë me ditën pa automjete që do të mbahet të dielën dhe ku qendra e qytetit do të bllokohet për mjetet e motorizuara prej orës 11:00 deri në orën 20:00...Aktiviteti kryesor do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti”, i kemi hartat e planit të mobilitetit, strategjitë që janë zhvilluar në bashkëpunim me shumë hisedar gjatë një viti e gjysmë. Janë strategji që janë zhvilluar për këmbësorë, çiklistë për transport publik” u shpreh ajo.

Ndryshe, Java Evropiane e Mobilitetit zhvillohet prej vitit 2002 në vendet perëndimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat