Kosova pa koronavirus, por Prishtina me kujdes të shtuar

Prishtina

Kosova pa koronavirus, por Prishtina me kujdes të shtuar

Më: 11 mars 2020 Në ora: 17:16
Lulzim Rexhepaj

Përkundër që Kosova ende nuk ka shënuar asnjë rast të prekur nga koronavirusi, në kryeqytet tashmë kanë nisur së zbatuari masat parandaluese karshi këtij virusi vdekjeprurës. Sonte duke filluar nga ora 22:00 do të fillojë dezinfektimi i autobusëve të “Trafikut Urban”, ndërsa edhe Qendrat Sociale për të Moshuarit në Prishtinë nga sot janë mbyllur. Këto dy veprime janë ndërmarrë pasi kështu ka vendosur i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike “Trafiku Urban”, Lulzim Rexhepaj ka deklaruar se sonte do nis dezinfektimi i të gjithë autobusëve publikë nga një kompani e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës.

Sipas tij, do të konsultohen me persona kompetentë se sa herë është e nevojshme të bëhet spërkatja e autobusëve.

Rexhepaj: Sonte fillon dezinfektimi i autobusëve

"Do të fill oj dezinfektimi i autobusëve të ‘Trafikut Urban’ sonte do të fillojmë dhe pastaj do të konsultohemi me profesionistë se si do jetë orari i dezinfektimeve në sa ditë, pasi sigurisht çdo natë nuk do ketë nevojë... Nga ora 22:00 gjatë natës do të dezinfektohen autobusët pas pastrimit të rregullt që e kemi do të vendosen preparatet dezinfektuese përmes pompave që do ta bëjë një kompani e specializuar për këtë e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës", tha ai.

Udhëheqësi i “Trafikut Urban” tha se si kompani kanë një mirëmbajtje të mirë të 51 autobusëve që posedojnë. Madje ai thotë se janë pajise me mjetet e nevojshme higjienike dhe kurdo që rekomandohet ato do të vihen në dispozicion.

Rexhepaj: Ne jemi të furnizuar me mjete higjienike të nevojshme

"Autobusët e ‘Trafikut Urban’ pastrohen çdo natë duke filluar nga mbledhja e mbeturinave, me fshesë elektrike ne detergjent të cilët i kemi furnizuar përmes procedurave të prokurimit… Nuk e shohim të arsyeshme të krijohet panik tek qytetarët, të udhëtojnë normalisht, t’i kryejnë obligimet ditore , pse mos t’i përdorim autobusët e ‘Trafikut Urban’ të gjithë autobusët tjerë nuk shohim panik. Kemi marr disa masa, jemi furnizuar me materiale higjienike në mënyrë që siç ka deklaruar kryetari i komunës të marrim masa preventive. Me procedura të prokurimit si ndërmarrje publike jemi furnizuar me maska mbrojtëse, me doreza laboratorike me dezinfektues dhe gjithashtu i kemi këshilluar shoferët që me rastin e ndezjes së autobusit të hapet ventilimi… Materialin e kemi në depo se nuk e shohim të arsyeshme, do e përcjellim situatën , kjo do bëhet në bazë të rekomandimeve që do na japin profesionistët e fushës”, theksoi Rexhepaj.

Përveç dezinfektimit të autobusëve të “Trafikut Urban”, Komuna e Prishtinë nga sot ka mbyllur edhe Qendrat Sociale për të Moshuarit. Mbylljen e këtyre qendrave për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësja e komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu.

“Të gjitha qendrat e pensioneve janë mbyllur sot në komunën e Prishtinës, ndërsa për dezinfektimin e autobusëve të trafikut urban tha se ky proces do bëhet gjatë ditës së sotme", tha Mullafazliu përmes telefonit.

E përkundër që janë mbyllur këto qendra, zyrat e Organizatës Komunale të Pensionistëve dhe Invalidëve në Prishtinë sot ishin të hapura.

Pensionisti Sylejman Hajdini tha se mirëpret masat për parandalimin e virusit COVID19, por që thotë se ende nuk ka rrezik prandaj nuk kanë marr asnjë vendim për mbylljen e zyrave të kësaj organizate të pensionistëve.

Hajdini: Ne ende nuk kemi marr vendim për mbylljen e zyrave të organizatës

“Tek ne ende asgjë nuk kemi, ne e kemi udhëheqësinë tonë kur të na thotë ne i përmbahemi asaj... Nuk është keq të merren ato masa, mirëpo tani për tani nuk ka rrezik”, thotë ai.

Krahas katër masave parandaluese rreth virusit COVID19 që janë ndërmarrë dje, kryetari i Komunës së Prishtinës gjatë ditës së sotme ka vendosur edhe pesë masa të reja, zbatimi i të cilave do nis nga nesër.

1.Gjatë vikendit do të dezinfektohen më detajisht hapësirat e ndërtesave të Komunës së Prishtinës ku ka sportele dhe shumë punë me palë.

2.Që nga nesër, të gjithë punëtorët e sporteleve të Komunës së Prishtinës do të pajisen me maska mbrojtëse, dorëza dhe dezinfektues.

3.Që nga nesër, shkollat dhe çerdhet publike do të furnizohen me material higjienik shtesë sipas nevojës deri në një vendim të radhës për çerdhet dhe shkollat.

4.Komuna e Prishtinës pezullon lejet për tubimet dhe evenimentet publike (promovime, tubime ne sh eshe) ku pritet pjesëmarrja e më shumë se 50 personave. Këtu përfshihen aktivitetet që kërkojnë leje nga Komuna për të zhvilluar aktivitetin.

5.Po ashtu njoftoheni se pezullohen takimet me palë në drejtoritë e ndryshme që nuk janë me urgjencë.

Ndërkohë, dje qeveria e Kosovës ka miratuar planin e veprimit për të përballuar me koronavirusin, derisa ka ndarë 10 milionë euro për ministrinë e Shëndetësisë për të zbatuar këtë plan.

Ky virus vdekjeprurës e ka prekur edhe Shqipërinë kur deri tani një person ka vdekur dhe 11 të tjerë janë të konfirmuar.

Koronavirusi është përhapur në mbi 100 vende të botës ndërkohë që qeveritë kanë ndërprerë fluturimet me vendet e prekura, dhe disa kanë mbyllur kufijtë për një periudhë të pacaktuar..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat