Nga marsi, në Prishtinë u konfirmuan 3103 raste me COVID-19 – më të prekurit ata të moshave 35 deri në 44 vjeç

Prishtina

Nga marsi, në Prishtinë u konfirmuan 3103 raste me COVID-19 – më të prekurit ata të moshave 35 deri në 44 vjeç

Më: 6 gusht 2020 Në ora: 19:13
Foto Ilustrim

Komuna e Prishtinës me ditë të tëra i ka prirë listës së komunave me më së shumti raste të personave që janë infektuar me COVID-19, ku nga marsi deri më tani janë konfirmuar gjithsej 3103 raste.

Sipas statistikave të publikuara në faqen zyrtare të komunës, në Prishtinë janë aktive edhe 1536 raste, pastaj janë 1533 raste të shëruara dhe zyrtarisht të konfirmuara 34 raste që kanë përfunduar me fatalitet.

Më së shumti të prekur me coronavirus në kryeqytet janë personat e moshave nga 35 deri në 44 vjeç, të cilët përbëjnë 24 për qind të të gjitha rasteve të infektuar në këtë komunë. Nga 758 persona të kësaj moshe të infektuar, 376 janë ende aktiv, 376 janë shëruar, ndërkaq 6 e kanë humbur betejën me COVID-19.

Ajo që bie në sy në këto të dhëna është edhe numri i të miturve që është prekur nga virusi, ku janë 40 raste të cilët janë të moshës nga 0 deri në 4 vjeç dhe 78 janë nga 5 deri në 14 vjeç.

Ndërkaq 238 të infektuar janë nga 15 deri në 24 vjeç, shumica e të cilëve janë të shëruar tashmë.

Në Prishtinë janë regjistruar 653 raste të të infektuarve me COVID-19 të moshës nga 25 deri në 34 vjeç, prej të cilëve 300 janë ende raste aktive, 347 të shëruar dhe 6 të vdekur.

524 raste janë të moshave 45 deri në 54, prej të cilëve të shëruar janë 239, aktiv janë 284 dhe një rast me fatalitet, kurse për moshat 55 deri në 64 vjeç janë regjistruar gjithsej 469 raste, prej të cilëve 240 janë ende aktive, 223 janë shëruar dhe 6 nuk kanë arritur të mbijetojnë.

Sa i përket gjinisë, në Prishtinë 52 për qind e të infektuarve janë meshkuj, ndërkaq 48 për qind janë femra.

Ndërsa, sikur edhe për gjithë Kosovën, korriku ishte muaji me më së shumti raste të infektimit të qytetarëve.

70 për qind e infektimeve nga fillimi i pandemisë e deri më sot në Prishtinë ishin konfirmuar gjatë muajit korrik, gjithsej 2178 raste.

Ndryshe, Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 475 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 196 raste pozitive.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat