Lansohet projekti 'E-Shëndetësia', kërkohet të përmirësohet kujdesi shëndetësor

Prishtina

Lansohet projekti 'E-Shëndetësia', kërkohet të përmirësohet kujdesi shëndetësor

Më: 17 mars 2021 Në ora: 16:41
QKMF

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, është bërë lansimi i projektit “E-Shëndetësia”, që të ndihmojë në shmangien e kontakteve ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Këtu, po ashtu u tha se duhet të përmirësohet kujdesi shëndetësor.

UNFPA ka bërë dorëzimin e 186 tabletëve me qëllim të lansimit të E-Shëndetit për Shërbime Shëndetësore Esenciale në Komunën e Prishtinës.

 

Ky projekt është financuar nga Mbretëria e Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë, dhe implementohet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) në koordinim me ekipin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) MSh-në, IKShPK-në dhe AKK-në.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se do të dëshironte që pas një viti pandemi, situata të ishte ndryshe dhe të kishte normalizim të situatës.

Ahmeti tha se platforma E-Shëndeti do të ndihmojë në shmangien e kontakteve ndërmjet mjekut dhe pacientit.

“Është kohë që ka kërkuar qe mjekët të jenë në vijat e pra të frontit. Përkundër faktit që jemi ballafaquar me pacientë nervozë shumë shpesh kanë shprehur shqetësimin ndaj mjekëve jemi munduar që barnat t’i japim falas dhe analizat dhe detyra jonë si komunë është ajo e shërbimit dhe t’i gjendemi pranë qytetarëve. Sot do të isha i lumtur që të flas ndryshe dhe pa maska dhe jo për 600 raste në ditë dhe pra normalizimin e jetës. E-Shëndeti është që t’i shmangemi kontaktet të panevojshme ndërmjet mjekut dhe pacientit”, tha ai.

Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson, tha se familjet me ekonomi të varfra kanë pasur vështirësi në qasjen e shërbimeve shëndetësore dhe sociale.

Richardson tha se në Kosovë ka padrejtësi në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

“Për mua ju jeni heronj sepse bota po shikon në mrekullinë e punës që e kanë bërë profesionistët shëndetësorë. Ajo çfarë kemi parë me Covidin në botë është mbështetja dhe si familje e OKB-së kemi bërë shumë punë të rëndësishme së bashku. Shumë qytetarë jetojnë në ekonomi të varfëra familjare dhe këtë e kemi parë se ata kanë pasur një kohë më të vështirë në shërbime shëndetësore dhe atyre sociale. Unë shpresoj se do të kthehemi në një normalitet të ri. Në Kosovë është kujdesi shëndetësor që duhet të përmirësohet”, tha Richardson.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbot, tha se shkak i pandemisë shumë pacientë me probleme të tjera shëndetësorë nuk kanë mundur t’i marrin shërbimet e tjera.

“Që kur bota filloi të përballet me sfidën e shëndetit publik edhe në Kosovë po vazhdon me pasoja të rënda dhe ka ndikuar negativisht në shërbimet esenciale të shëndetësisë sepse shumë qytetarë nuk kanë pasur të marrin trajtimin e duhur dhe kjo është arsyeja që kemi bashkuar forcat ta ndihmojmë Kosovën kundër këtij virusi dhe që të ju bëjë ball krizave në të ardhmen”.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka folur për sfidat që kanë hasur stafi shëndetësor.

“Përballja me pandeminë është sfiduese edhe për sistemet më të zhvilluara se sa për ne dhe ndihma është e mirëseardhur. Në këtë rast dhe rajon ne do të fillojmë me konsultimet me qytetarët tanë”, tha Gashi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat