Parkingu falas për veturën e parë, KMDLNj: Vlen vetëm për lagjet periferike, komuna e Prishtinës nuk i informoi qytetarët

Prishtina

Parkingu falas për veturën e parë, KMDLNj: Vlen vetëm për lagjet periferike, komuna e Prishtinës nuk i informoi qytetarët

Më: 26 dhjetor 2023 Në ora: 12:22
Parkingu

Komuna e Prishtinës ditë më parë bëri të ditur se është miratuar Rregullorja e re, përmes së cilës është eliminuar pagesa për parking për veturën e parë për banorët rezident në adresën e tyre në kryeqytet.

Në njoftim i tillë është bërë i ditur nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtori i Inspeksionit, Florian Dushi.

“Parkingjeve Publike në Kryeqytetin Prishtina. Në rregulloren e votuar është eliminuar pagesa për banorët rezident në adresën e tyre. Po ashtu, gjatë seancës u votua propozimi që të ulet çmimi i pagesës për parking për automjetin e dytë. Edhe kjo mjaft pozitive për banorët.

Është bërë zgjatja e orarit të punës së Prishtina Parking deri në orën 23:00 me qëllim që të sigurojë se në zonat rezidenciale hapësirat shfrytëzohen nga banorët rezident. Kësaj i është bashkangjitur edhe kufizimi i parkimit të vizitorëve në hapësirat rezidenciale me qëllim që prioritet të jetë banori i rrugës përkatëse.

Një punë e përbashkët nga të gjithë pjesëmarrësit, grupi punues, Prishtina Parking dhe kontributi përmes propozimeve/amandamentimeve nga anëtarët e Kuvendit Komunal, tashmë ka sjellë një rregullore që siguron funksionalitet dhe rregull në lagje dhe në parkingjet e Prishtinës”, kishte shkruar Rama.

E lidhur me parkingjet në kryeqytet sot ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

KMDLNj thekson se është informuar nga qytetarë të Prishtinës se lirimi i pagesës për veturë të parë vlen vetëm për hapësirat jokomerciale sikur që janë lagjet periferike, ndërkaq për lagjet me frekuentim të madh Rruga B dhe C, Vicianum dhe të tjera parkimi i veturës nuk zbatohet sipas Rregullores së re.

“Qytetarë të Prishtinës kanë informuar KMDLNj–në se lirimi i pagesës për veturë të parë vlen vetëm për hapësirat jokomerciale sikur që janë lagjet periferike ndërkaq për lagjet me frekuentim të madh Rruga B dhe C, Vicianum dhe të tjera parkimi i veturës nuk zbatohet sipas Rregullores së re.

Këtë fakt komuna e Prishtinës nuk ua ka bërë të ditur qytetarëve të Prishtinës prandaj po del se Rregullorja e re nuk ofron shumë privilegje për qytetarët e kryeqytetit”, thuhet në reagimin e Këshillit.

Sipas KMDLNj, sa i përket shqiptimit të dënimit del se “Prishtina Parking“ edhe në të ardhmen do të dënojë qytetarët, tash pak më butë duke i detyruar që për parkim të gabuar apo mospagesë të paguajë 20 euro edhe në rast se jeni parkuar vetëm një apo dy orë.

“KMDLNj mendon se ‘Prishtina Parking’ duhet të vendosë kamera në të gjitha hapësirat që i menaxhon ku saktë do të dihet se sa orë ka qëndruar vetura e parkuar në mënyrë jo të rregullt.

Qytetari duhet të paguaj për aq orë sa ka parkuar në mënyrë të parregullt dhe eventualisht të paguajë një dënim prej maksimumi 30 % e shumës së papaguar”, thuhet më tej në reagimin e Këshillit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat