​Komuna e Prishtinës gjatë 2023-së shpenzoi vetëm 50% të buxhetit për investime kapitale

Prishtina

​Komuna e Prishtinës gjatë 2023-së shpenzoi vetëm 50% të buxhetit për investime kapitale

Më: 5 janar 2024 Në ora: 16:03
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj

Komuna e Prishtinës në vitin 2023 ka arritur të shpenzojë vetëm 50 për qind të buxhetit për investime kapitale. Krahas sukseseve të arriturave, zyrtarë komunalë thonë se ende nuk janë në nivelin e dëshiruar, teksa shoqëria civile e opozita kritikojnë komunën për planifikim të prokurimit dhe projekte të dështuara.

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj thotë për KosovaPress se viti 2023 për komunën ishte më e mirë sesa 2022, por ende nuk janë në nivelet që ata dëshirojnë, teksa përmend mos shpenzimin e gjithë buxhetit për investime kapitale.

Zogaj: Kemi shpenzuar 50 për qind të buxhetit për investime kapitale

“Në vitin 2023 kemi qenë shumë më mirë sesa në vitin 2022. Pra, kemi pasur një përmirësim që për ne është shumë i rëndësishëm. Akoma nuk jemi në nivelet që dëshirojmë të jemi, sepse buxhetin në tërësi nuk kemi arritur ta shpenzojmë te pjesa e investimeve kapitale, i jemi afruar 50 për qind, por po përmirësohemi dhe kjo është shumë e rëndësishme,” tha Zogaj.

Zogaj shtoi se projekte të dështuara gjatë vitit 2023 ishin ai i strehimores së qenve endacakë që nuk është lejuar nga Ministria e Mjedisit, duke thënë që nuk është e paraparë në plan zhvillimor komunal.

Ai përmend edhe mos nisjen për realizimin e unazës së jashtme të kryeqytetit, për të cilin thotë se komuna do të bëjë çmos të realizohet si projekt përgjatë vitit 2024.

Zogaj: Projekte të dështuara janë strehimorja për qenët endacakë dhe unaza e jashtme

“Projektet të dështuara në tërësi kemi pasur disa që nuk kanë filluar. Një prej projekteve të dështuara është ai i strehimores së qenve endacakë, por edhe ky dështim lidhet me bllokadat e Qeverisë, pasi që na u është kthyer mbrapshtë. Ne e votuam lokacionin për ndërtimin e strehimores të madhe të qenve endacakë, kurse Ministria e Mjedisit e ktheu mbrapa vendimin tonë, dhe thotë nuk keni të drejtë të ndërtoni pasi nuk e keni të paraparë në plan zhvillimor komunal, i cili në fakt është shkruar në vitin 2013. Atëherë, me të vërtetë nuk është paraparë, por tash është emergjencë. Ekziston një jo fleksibilitet, i cili pastaj po na dëmton. Një tjetër projekt i madh që na ka dështuar që lidhet me pronat, me marrëdhënien tonë dhe Qeverinë, është edhe unaza e jashtme e Prishtinës, për të cilin projekt, ne në vazhdimësi po e shtyjmë përpara, që mendohet të ndodhë, sepse është projekt kombëtar kapital i madh. Ne do të bëjmë çmos edhe gjatë vitit 2024 që ta shtyjmë atë projekt tutje,” tha ai.

Hulumtuesi nga Iniciativa për Progres (INPO) Valmir Ilazi u shpreh për KosovaPress se kanë pasur vërejtje gjatë votimit të buxhetit në shtator, i cili nuk ishte në përputhje me rregulloren ligjore, dhe gjithashtu Zyra e Kuvendit të Prishtinës nuk ka mbajtur konsultime publike.

Ai shton se punët në terren janë një “lëmsh i vërtetë”, ku kryetari i Komunës të Prishtinës, Përparim Rama ka dhënë mbi 200 premtime, por mbetet shqetësuese realizimi i tyre.

Ilazi: Realizimi i premtimeve të Përparim Ramës mbeten sfidë

“Në muajin shtator kemi pasur një vërejtje kur është votuar buxheti, gjithashtu këtë vërejtje ia kemi përcjellë secilit asamblist. Ka qenë fjala për miratimin e buxhetit. Ky ishte një buxhet, i cili nuk ishte në përputhje me rregulloren ligjore dhe si i tillë ka kaluar në asamble. Kryesisht, kemi hasur që Komuna e Prishtinës, më saktësisht zyra e kuvendit nuk ka mbajtur konsultime publike, e cila është e dëmshme për mënyrën e qeverisjes... Përparim Rama ka mbi 200 premtime... Por mbetet shqetësuese realizimi i premtimeve të tij. Janë disa premtime të cilat nuk varen vetëm nga Rama, të cilat janë në kompetencë me disa organe të tjera, por megjithatë ne shpresojmë që edhe pse do të jetë shumë e vështirë deri në fund të mandatit të tij të përmbyllë të paktën 2/3 e premtimeve. Megjithatë do të jetë sfidë për të, por mbetet të shihet,” tha Ilazi.

Ai shtoi se INPO ka pasur vërejtje të vazhdueshme, sepse Komuna e Prishtinës nuk duhet të ketë numër të madh të kontratave për procedurë të negociuar.

Ilazi: Mbi 1 milion euro aktivitete të paplanifikuara

“Komuna e Prishtinës është duke iniciuar shumë kontrata për procedurë të negociuar. Ne kemi pasur vërejtje të vazhdueshme, sepse Komuna e Prishtinës nuk duhet të ketë kaq shumë kontrata... Komuna e Prishtinës qëndron keq edhe me planifikimin e prokurimit. Në një raport të publikuar në vitin 2023 deri në qershor ka pasur mbi 1 milion euro aktivitete të paplanifikuara, andaj si e tillë mos vazhdimi me planin e prokurimit mund të dërgojë në cilësi të dobët ose mos kryerjeve të punëve... Gjatë vitit 2023, në raport kemi se janë anuluar 23 aktivitete të prokurimit. Kjo është shqetësuese, sepse qytetarët nuk arrijnë të përfitojnë nga këto shërbime ose nga këto investime kapitale,” theksoi ai.

Ankesat ndaj Komunës së Prishtinës nuk kanë munguar as nga opozita. Asamblisti nga Lëvizja Vetëvendosje, Besart Krasniqi kritikon komunën për projekte të dështuara. Ai thotë se këto vendime nuk ka qenë të duhura si bllokimi i rrugës “Xhorxh Bush”, problemi me mbeturina dhe qentë endacakë.

Krasniqi: Vendimet për 2023 nuk kanë qenë të duhura për qytetarët

“Unë mendoj që vendimet që janë marrë për vitin 2023, nuk kanë qenë vendimet e duhura për qytetarët, vendimet që janë marrë si bllokimi i rrugës “Xhorxh Bush” ka hasur probleme të shumta, sepse vetëm e ka arritur kaosin e trafikut në kryeqytet, po ashtu rregullorja e mbeturinave, aty kemi rritje të faturave të mbeturinave nga 4 euro e 70 centë, tash është 6 euro e 20 centë, por nuk kemi përmirësim të pastrimit të mbeturinave. Kemi probleme te punëtorët e pastrimit, sepse nuk ka rritje të pagave, nuk ka kushte të përmirësueshme për ata punëtorë ... Po ashtu, ka pasur probleme me qen endacakë, por nuk ka pasur një përmirësim. Ende kemi rrezikshmëri te qytetarët,” u shpreh Krasniqi.

Ndryshe, buxheti komunal i Prishtinës për vitin 2024 do të jetë 123 milionë, 699 mijë e 998 euro. Kryetari Përparim Rama pati deklaruar se si pjesë e këtij buxheti për transformimin e kryeqytetit janë ndarë 40 milionë e 500 mijë euro për investime kapitale, ku përfshihen ndërtimi i shkollave dhe çerdheve, Spitali i Prishtinës, ndërtimi i tunelit “Agim Ramadani”, ndërtimi i Unazës Qendër, Salla e Koncerteve, Salla e madhe multifunksionale, revitalizimi i Tullëtores. Gjithashtu, në buxhetin 2024 parashihet edhe shtimi i parqeve, menaxhimi i mbeturinave, transporti publik, ndërtimi i thertores për kafshë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat