Në rrugët e Athinës, ku gjallon kënga shqiptare

Reportazhe

Në rrugët e Athinës, ku gjallon kënga shqiptare

Nga: Albert Z. Zholi Më: 25 janar 2019 Në ora: 10:21
Albert Z. Zholi

Atë ditë Athina mu duk si Tirana. Kudo ndeshja vetëm shqiptarë... Ja më tej...Ndesha një orkestër të vogël me katër  vetë. Këndojnë dhe u  bien veglave  muzikore, duke i  rënë  cep më  cep  lagjeve  të  Athinës. Por  më shpesh i  gjen  nën këmbët  e Akropolit  e  në  lagjen “Plaka”, ku i gjetëm edhe ne  për  herë  të  parë …

Sa i  dëgjuam, menduam  se ishte  ndonjë kasetë  me  këngët e njohura përmetare. Së bashku me  një  shokun  tim, i afruam  këmbët  andej  nga  vinte ëmbëlsia  e  atyre  këngëve…

Ata  të katërt ishin pranë  murit  të një ndërtese. Të katër  esmerë, nga ata stërnipërit  e muzikantëve, që solli Pirroja  i madh nga Egjipti, që në Përmet  e gjetkë u  bënë djep- kënge. Sikur ishin vëllezër ngjanin. Klarinetisti ishte pak më i shkurtër …U binin veglave dhe këndonin  sic bëjnë grupet e herëshme përmetare, sidomos ai më famozi, grupi i Laver  Bariut. Ia kishin marrë vënçe një kënge  të vjetër, sikur të ishin në  grykën  e Këlcyrës e jo në këmbët  e Akropolit:

“Në qivur të shtrinë,

Të veshën si nuse.

Sa hije të kishin,

Të shkretat baluke!

Rreth këngës grumbulloheshin  e grumbulloheshin  shqiptarë e turistë  të ardhur  ‘pranë bukurisë  greke…Ne dëgjonim si pa  marrë frymë  e  ata këndonin :

“…Te gorica plakë,

Po ta bëjnë  varrë.

Pleqtë  po  rrëmojnë ...

Beqarët po qajnë ...

Edhe ne na mori  kënga  dhe thoshim nëpër  buzë :

“Pleqtë  po  rrëmojnë/Beqarët  po qajnë ...

Disa turistë nordikë, kështu dukeshin nga trupat  e gjatë  e nga tiparet e theksuara  të bardha, sic i  themi ne shqiptarët “të shpëlarë”, hodhën disa monedha në kapakun e violinës dhe ngatërruan disa fjalë, që donin të thoshoshin, “tjetër..tjetër”

Aq donin ezmerët:

 “...Kishe  dalë e rrije, afër trëndafilit,

Të digjej jeleku, nga zjarret e gjirit...”..Ah..zjarret...

Bravoo, bravoo!-folën dy nga “të shpëlarët”…

Neve sa nuk bëheshim me  krahë nga gëzimi  e krenaria. Në ato çaste

mu kujtua një thënie e një filozofi: “ Popujt që kanë këngë të bukura, kanë të ardhme ...” E kujtova këtë thënie  dhe psherëtiva. “Ku është e ardhmja  e këtijë populli  këngëbukur si i yni?!!...” dhe shoh me keqardhje bashkëatdhetarët  e mi të ikur tufa-tufa, nëpër udhët e botës.... Dhe këngëtarët derdhnin  shpirtin e tyre në këngë  për të kënaqur zotërinjtë  portë më portë  e lagje më  lagje. Dhe ata si ta kishin  lexuar  dhimbjen time, ia morën një këngë tjetër: Një këngë të dhimbëshme  kurbeti:

 “...Ç’ka që s’mbin bari në qafë ?

Nga lotët  që derdhnin gratë !

Marrin rrugën e kurbetit

Dhe s’e  dimë c’vjen prej detit ?

Rruga jonë, dreq o rrugë,

Zgjatet për një  copë bukë...”

Një vogëlushe  u lëshua nga dora e nënës  dhe i dhuroi një trëndafil  të kuq  atij me  klarinetë që po e magjepste me këtë kënge. Klarinetisti e vuri karafilin  diku, aty nga qante klarineta dhe filloi sërish:

“…Djemtë e burrat tanë, shpirt e zemër vrarë,

Arat po i lënë  pa i hedhur farë.

Arat po i lenë  po marrin kurbetin,

Ca mallkojnë tokën, ca mallkojnë shtetin…”

Ikëm me dhimbjen e gëzimit, që na kish mbushur  shpirtin dhe na derdhej  si kënga  pambarim e katër esmerve. Puna për  bukën e  buka për të jetuar ! Buka e artit është dhe një mesazh Shqipërie, për vendasit dhe kulturën ku ata jetojnë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat