Reportazh nga Hasi Lindor

Reportazhe

Reportazh nga Hasi Lindor

Nga: Haki Latifi Më: 31 tetor 2020 Në ora: 21:09
Hasi Lindor

Nëse dëshiron të jesh më afër Pashtrikut dhe më afër historisë kombëtare, duke filluar që nga mbledhësi i Kanunit të Lekë Dukagjinit e të tjerë, atëherë duhet të marrësh udhë për në Zym.

Shpesh ngjajnë befasi të këndshme, surpriza, të cilat të mbesin gjatë, shumë gjatë në kujtesën jetësore. Kështu më rastisi, si surprizë e bukur edhe udhëtimi në rajonin e Hasit gjatë qëndrimit tonë në vendlindje.

Qëllimi i vizitës me t’ime shoqe Nexhmijën, ishte rajoni i Hasit të That dhe deri sa ngisja makinën atyre leqeve malore, në një mot të bukur e me diell vjeshte, sipas dëshirës sonë, sepse ishim kureshtarë të dinim detajet më të reja vendore të asaj pjese kufitare, mes vëllezërve shqiptarë, të ndarë dhunshëm, për afër 60 vite. Kaluam katundin Gjonaj, i cili është i vendosur dhe shtrihet në formë të zgjatur nga Bregu i Drinit të Bardhë, në të djathtë të tij, përgjatë një fushë-lugine deri në kufi me fshatin Mazrrek. Pastaj për të marrë drejtimin që të qonë në Zym të Hasit.

Image

Kështu e quanin historikisht Hasin, për arsye të vuajtjes nga thatësia, vend shkëmbor. Por, ka pasë edhe një shtesë,”Hasi i thatë, me burra bujarë e trima”-thuhej përherë.

Unë dhe ime shoqe, ishim stepur duke shikuar bukuritë e atyre vendbanimeve, ato pamje aq piktoreske, ato kunora malesh rrezë Pashtrikut, pamjet e të cilave, të hidhnin në meditime të thella…

Nga kodra e Zymit shihej si në shuplakë të dorës, Anadrinia, Përdrinia , Rrafshi i Prizrenit dhe Vrrini. Hasianët janë njerëz të urtë, të mençur dhe mikpritës. Ata dinë t’a respektojnë e ta nderojnë mikun, në çdo kohë dhe situatë.

Kur arritëm në Zym, ngadalësova shpejtësinë e makinës deri në minimum. Ishim shumë kureshtar të mësonim për jetën e banorëve të kësaj ane, edhe pse duhet të pranoj, jam lindur dhe rritur matan Lumit Drini i bardh (në Piranë) edhe tokën e kemi të përbashkët me Hasjan por, sa herë kam udhëtuar në këtë zonë gjithmonë për qellime të tjera jetësore kam marrë rrugë, por asnjëherë nuk kam marrë rrugë për të vizituar dhe përjetuar dhe shijuar bukuritë e Hasit siç veprova tash. Etimologjia e emrit të vendit Zymit rrjedhë nga gjuha latine “Sumbi”, që në gjuhën shqipe do të thotë “Përhimët”, diçka që i përgjanë ngjyrës së Gurit.

Zymi përbëhet nga shtatë lagje: (Voshi, Çollaku, Kërhani, Lumezi, Prekpali, Berisha dhe Tomëreci), që shtrihet në shtatë kodrina. Në qendër të Zymit rrinë krenare me shikim nga lind dielli shtatorja e Gjergj Kastriot-Skënderbeut, për të thënë se këtu është dhe jetohet shqip. Shtatorja u vendos për nderë të 550-vjetorit të vdekjes së tij.

Kjo shtatore është financuar tërësisht nga qytetarët e Zymit, veçanërisht nga ata që veprojnë jashtë atdheut. Zymi i Hasit dikur ka qenë qendër lokale në Komunën e Prizrenit, tani përditë e më shumë po zbrazet nga banorët e shumtë që kishte dikur. Zeja e bukëpjekësit dhe nevoja për të ekzistuar i ka shtyrë zymjanët prej kohësh që të marrin rrugën e kurbetit. Kjo ka bërë që numri i banorëve në këtë katund rrëzë Pashtrikut të reduktohet gati në numër simbolik, baras me shtëpitë e ndërtuara. Zymi i Hasit ose Zymi historik që në gjirin e vetë ka shumë monumente historike të kulturës e trashëgimisë sonë kombëtare tashmë është i njohur si vend ku zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturo-artistike. Pranë shtatorës së Shtjefen Gjeçovit takuam nxënës të cilët bënin ushtrime të vallëzimi me dy mësueset e tyre. Shqetësim në vete eshtë se Shkolla ka mbetur me shumë pak nxënës për shkak të migrimit të qytetarëve. Ky trend po vazhdon dhe ka shkaktuar shqetësim për mësueset dhe banorët e Zymit.

Image

Në Zym është Famullia e Zymit, Kisha "Zoja e Hasit", ndërsa disa metra në drejtim të shkollës së Zymit gjendet edhe Guri i lapidarit me mbishkrimin e “Abetarës së Zymit” në të cilën u zbulua më 10 tetor 2007. Është Abetarja më e vjetër në territorin e Kosovës, e cila është gjetur në Prizren me 20 maj 1900, ajo përmbante gjithsej 80 faqe me 33 shkronja dhe tinguj, duke e bërë abc-ja më e vjetër që ne e ruajmë sot. Dorëshkrimi i Abetarës së Zymit është dhuruar nga profesor Luigj Shala, e që ruhet në arkvin shtetëtor të Republikës së Shqipërisë në Tiranë, e cila është botuar në ditën e Pashkëve të vitit 2013 nga Kisha Famullitare të “Ngritur të Zonjës së Bekuar në Qiell” në fshatin e Zymit në komunën e Prizrenit nën kujdesin e famulltarit Don Ndeu Ballabani dhe gazetarit Frrok Kristaj. Zymi i sotëm, i cili ka një peizazh mahnitës, ku afër shkollës ka amfiteatrin e ri “gjeçovian”, me dy shtatore që sikur flasin me njëra-tjetrën; e Shtjefën Gjeçovit dhe e Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, Kishën e Zojës, obeliskun e Abetares së Zymit, shkollën fillore, gjimnazin “Gjon Buzuku”, bibliotekën, muzeun etj.

Image

Aty pranë Lapidarit të Gjeçovit, gjendet edhe një lapidar tjetër në të cilën vite më parë, gjatë shënimit të “Ditëve të Diasporës” është përuruar , më 15 .08.1912 dhe i emërtuar; „ Guri i kurbetqarit“, që e simbolizon rrugën e kurbetit. Është pjesë e kujtesës popullore, pjesë e kujtesës së përjetimeve dhe e ngjarjeve që kanë ndodhur përtej fatit historik të atdheut, vetëm për ta mbijetuar situatën në mbrojtje të vetvetes, e për mbajtje të familjes.

Hasi është dheu i dinastisë së Bogdanëve: Andreas, Gjonit, Lukës dhe Pjetër Bogdanit, Palit të Hasit, Pjetër Mazrekut, Dërvish Salihut, At Shtjefën Gjeçovit, Anton Pashkut, Katerina Josipit etj. Duhet përmendur se vetëm Zymi ishte një miniqendër komunale ku kishte lidhje telefonike (që nga viti 1925), kishte shitore, furrë buke, Postë (PTT) Posta e Policisë, autobus, gazeta e ndojë tjetër.

Pas Zymit vazhduam rrugën për në Shëngjergj (Karashëngjergj). Vlen të përmendet se rruga rrethepërqark gjarpëron duke i lidhur në mes veti të gjitha këto vendbanime me makinë apo autobus, me mundimin më të vogël.

Image

Rrugës u ndalëm dhe bëmë fotografi për kujtim, por jo vetëm kaq, kishin edhe domethënjen e tyre ato foto të bukura.

Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat