Si është të jesh fëmija më pak i preferuar në shtëpi? Histori që kanë lënë shenjë për gjithë jetën

Shëndetësia

Si është të jesh fëmija më pak i preferuar në shtëpi? Histori që kanë lënë shenjë për gjithë jetën

Më: 11 tetor 2019 Në ora: 18:17
Ilustrim

Si është të ndjesh se prindërit nuk të duan dhe nuk të trajtojnë njësoj si motrat apo vëllezërit e tjerë? Ata që e kanë provuar e dinë që jo vetëm që nuk është aspak një ndjesi e mirë, por është gjithashtu diçka që le shenja për gjithë jetën.

Nëse jeni prind duhet të kuptoni që diferencimi i fëmijëve është i gabuar. Historitë e mëposhtme të marra nga pernenat.al do t’ju bëjnë të kuptoni se diçka e tillë, në dukje e parëndësishme mund të ndikojë shumë në formimin e karakterit dhe në psikologjinë e fëmijës suaj.

Adia thotë se ajo kurrë nuk ka dyshuar se e ëma kishte një fëmijë të preferuar dhe se ky fëmijë nuk ishte ajo. Tashmë nënë e tre fëmijëve të vegjël, 27-vjeçarja kujton se i ati u largua kur ajo dhe e motra ishin shumë të vogla.

“Mbaj mend që babai im më mbrojti një herë kur isha rreth 12 vjeç, duke i thënë mamasë time se ajo nuk mund të zgjidhte të donte një vajzë më shumë se tjetrën. Kjo ishte hera e fundit që nëna ime e la të futej në shtëpi,” -tregon ajo.

Adia e cila për vite të tëra është konsultuar me psikologë për të ëmën, thotë se ende lufton që ta pranojë ndryshimin në mënyrën se si trajtohej ajo dhe e motra një vit më e madhe, nga nëna e tyre.

“Diferencimi vazhdon edhe sot e kësaj dite”, tregon ajo. “Nëna ime shpenzoi 6 mijë paund në dasmën e motrës sime dhe organizoi një festë të madhe ndërsa unë u martova kohët e fundit. Ajo pagoi vetëm gjysmën e fustanit tim të nusërisë dhe më dha një dhuratë disa javë më vonë. Nuk u përfshi fare në përgatitjet e dasmës pasi nuk gjente kohë”.

Frika më e madhe e Adias është se diferencimi dhe favorizimi kalon brez pas brezi.

“Nëna ime i ka zhgënjyer fëmijët e mi disa herë duke anuluar ardhjen në minutën e fundit në ditëlindjet e tyre, ndërsa tani motra ime është shtatzënë. Unë po pres të shoh nëse fëmijët e saj do të kenë më shumë vëmendje sesa fëmijët e mi. Nëse shoh se nëna ime sillet më mirë me fëmijët e saj, atëherë marrëdhënia ime me të do të përfundojë. Unë nuk do të lejoj që fëmijët e mi të ndiejnë dhimbjen që unë kam ndier”.

Megjithatë, Adia nuk është e vetmja. Në një studim të kohëve të fundit në Angli, 85% e të anketuarve besonin se nënat e tyre kishin një të preferuar midis vëllezërve dhe motrave të tyre. Zbulimi i gjetjeve pas shumë vitesh kërkime në lidhje me të favorizuarin e prindërve, ka zbuluar se shumë prindër e pranojnë që kanë një fëmijë të preferuar.

Por sipas profesorëve që e kanë studiuar favorizimi i një fëmije mund të sjellë probleme serioze. Kjo mund të ketë efekte të tmerrshme në vetëvlerësimin e tyre.

Sara u rrit duke ditur – dhe duke pranuar – se ajo ishte “delja e zezë” e familjes së saj; se motrat e saj ishin të dashura dhe se prindërit ato i donin më shumë.

Ajo është rritur në një familje që nga jashtë dukej shumë e lumtur, nëna e saj ishte infermiere, babai ishte mjek. Por më vonë Sara kuptoi dinamikën e fshehur të gjërave:

“Kam zbuluar kur isha 11 vjeç që isha jolegjitime. Nëna ime ishte shtatzënë dhe beqare kur takoi studentin e mjekësisë me të cilin u martua. Në mendjet e tyre unë nuk isha vajzë e një doktori si motrat e mia, por isha thjesht një pasardhëse e një njeriu çfarëdo", -thotë ajo.

Tani kur i ka kaluar të 50 vitet, Sara nuk ka dyshim se prindërit e saj e donin dhe e pëlqenin më pak se motrat e saj.

“Kur fillova shkollën mbeta vetëm dhe ndihesha vetëm. Nëna ishte krenare duke u thënë njerëzve se ajo mund të qëndronte në punë deri vonë, sepse unë vija vetë në shtëpi, gatuaja vetë ushqimin tim dhe flija vetë. Kur lindën motrat e mia, ato kishin një fëmijëri ndryshe nga unë. Kurrë nuk mbetën vetëm. Ato u favorizuan emocionalisht dhe financiarisht. Ato merrnin dhurata ditëlindjesh dhe unë jo.”

Një keqtrajtim i tillë i hershëm ka ndikuar te Sara gjatë gjithë jetës së saj, por favorizmi i tyre la shenjë edhe te motrat e saj:

“Motrat e mia ndihen fajtore për shkak të vëmendjes që morën nga prindërit e mi. Për shkak të mënyrës si u trajtuan që fëmijë, ato tani ndjejnë shumë përgjegjësi se nuk mund të bëjnë gabime dhe se duhet të jenë më të mira se njerëzit përreth. Si rezultat ato të dyja kanë pasur marrëdhënie shumë të këqija me burrat”.

Sara është e sigurt se është më keq të jesh në një familje që ka një fëmijë të preferuar sesa të jesh në një familje pa dashuri. Nuk është vetëm se fëmija “i pavlerësuar” ndjen se nuk e duan. Vëllezërit e motrat e tjerë ndjejnë shumë presion për të qenë të përsosur, dhe për të qenë kopje e prindërve gjatë gjithë kohës. Ata rriten me këtë frikë masive, që nënkupton se dashuria e prindërve të tyre mund të largohet ashtu siç ka qenë për motrat apo vëllezërit që janë më pak të dashur.

Studiuesit thonë se vëllezërit dhe motrat e favorizuar do të ndihen të kënaqur dhe të lehtësuar sepse janë të tillë, por nga ana tjetër, me ose pa vetëdije, ata do të ndiejnë faj dhe mungesë sigurie pasi e dinë se dashuria e prindërve të tyre nuk është e pakushtëzuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat