Katër ndryshimet e mëdha globale, që mund të shkaktojë coronavirusi

Shëndetësia

Katër ndryshimet e mëdha globale, që mund të shkaktojë coronavirusi

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 12:13
Foto ilustrim

Brenda disa muajsh, koronavirusi është përhapur nga Kina në pothuajse çdo cep të botës, dhe fatkeqësisht ka marrë deri tani jetën e mbi 720.000 njerëzve. Shumë analistë thonë se kjo pandemi i ka dhënë fund globalizimit dhe lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe investimeve në të cilat ai mbështetet.
Ndërkohë, disa të tjerë argumentojnë se kjo pandemi tregon pse kemi nevojë më shumë se kurrë më parë, për një bashkëpunim në shkallë globale për të ndaluar përhapjen e saj.
S’ka asnjë dyshim, se për shkak të kësaj pandemie, globalizimi do të evoluojë dhe do të transformohet, dhe ja cilat janë 4 ndryshimet e mundshme në rang global.

“Flluskat” pa viruse

Globalizimi sjell shumë përfitime, por ka edhe rreziqe të mëdha. Krizat lokale mund të përshkallëzohen shumë shpejt, dhe të ndikojnë mbi çdo anëtar të një sistemi të ndërvarur siç është ai aktuali. Për të rigjallëruar ekonominë, shumë vende po planifikojnë të rihapen. Por pyetja është:Në cilat shtete hapja është e sigurt?
Vendet që e kanë menaxhuar më mirë krizën, ndajnë disa tipare të caktuara. Disa u ndikuan nga një virus i ngjashëm, SARS-i në vitin 2002, dhe zhvilluan një kulturë të kontakteve fizike minimale fizike dhe mbajtjes së maskave. Disa kanë udhëheqës politikë, që e kuptojnë dinamikën e përhapjes së pandemisë, dhe i morën që herët masat kufizuese.
Midis vendeve të perceptuara si të besueshme, mund të krijohen disa zona të lira pa viruse (flluska), dhe disa iniciativa të tilla janë në proces, siç është “flluska” e udhëtimit të lirë midis Australisë dhe Zelandës së Re. Ndërkohë, kriza e koronavirusit mund të krijojë një variacion të globalizmit:një gjysmë-globalizim të ndërtuar mbi besimin.
Gjykimi është ende i lidhur me ngjashmërinë, jo me profilet demografike, por me nga cilat sisteme vijnë individët. Vendet që nuk arrijnë të bëhen të besueshme, do të përjashtohen nga “flluska”. Për shembull, Greqia e përjashtoi Britaninë nga një listë prej 29 vendesh që kishin të drejtë të hynin në vend në fazën e parë të rihapjes së udhëtimeve ndërkombëtare.

Një Bashkim Evropian i forcuar

Një variant tjetër i mundshëm i globalizimit, është forcimi i rajonalizimit, veçanërisht BE-së. Në fillim u duk se unioni do të merrte fund, kur në fillimin e pandemisë vendet mbyllën kufijtë e tyre kombëtarë, dhe refuzuan të mbështesin njëri-tjetrin.
Por me kalimin e kohës, koronavirusi mund të paraqesë një mundësi për anëtarët e BE-së që të punojnë edhe më ngushtë në të ardhmen e parashikueshme. BE-ja mund të kërkojë një ri-zhvendosje të pjesës më të madhe të fabrikave të saj nga Kina, që tani përbën 16 për qind të prodhimit global, 4 herë më shumë se sa në vitin 2003.
Me Kinën ekziston një lidhje e tepruar, prandaj bota preket nga problemet që e kanë zanafillën aty. Kriza e koronavirusit, mund t’i ndihmojë kompanitë të diversifikojnë bazën e furnizimit të tyre.
Për më tepër, teksa ekonomia e madhe e SHBA-së, ka nisur një luftë tregtare me Kinën, BE mund të tërheqë shumë biznese për të prodhuar mallra dhe shitur ato brenda kontinentit, duke krijuar një sistem të vetë-mjaftueshëm, dhe një rimëkëmbje më të shpejtë se ekonomitë e tjera.

Futja e sistemit të të ardhurave minimale universale

Diskutimi mbi këtë sistem, ishte i lidhur me faktin se si në të ardhmen Inteligjenca Artificiale dhe automatizimi, mund ta shkëpusin më tej fuqinë blerëse nga puna fizike. Pandemia mund ta përshpejtojë këtë proces, duke detyruar shumë kompani të futin që tani automatizimin, që mund të eliminojë shumë vende pune, pa i zëvendësuar ato me të tjera pas krizës.
Një automatizim në shkallë të gjerë, mund të thellojë pabarazinë sociale dhe tensionet sociale, duke krijuar një cikël të mbrapshtë:humbja e vendit të punës dhe pasiguria i bëjnë njerëzit të shpenzojnë më pak; fuqia e dobët blerëse e ngadalëson rimëkëmbjen e një ekonomie, duke e bërë qeverinë të paaftë të shlyejë borxhet.
Ndërkohë, kompanitë përballen më pas me një mjedis më armiqësor, dhe mund të kenë nevojë të largojnë nga puna më shumë njerëz. Një mënyrë për ta prishur këtë cikël, është të ndihmohen njerëzit në nevojë, duke futur sistemin e ardhurave themelore universale.
Kur të plotësohen nevojat me themelore të njerëzve, ka më shumë gjasa të rriten shpenzimet, gjë që nga ana tjetër e ndihmon ekonominë të rimëkëmbet më shpejt. Disa vende, si për shembull Spanja e kanë eksperimentuar këtë skemë.
Gjithsesi, një nga sfidat është se si do të financohet kjo skemë. Një zgjidhje e mundshme është zëvendësimi i taksës aktuale mbi të ardhurat, me një taksë progresive mbi konsumin, që do të mbledhë të ardhura shtesë, pa shkaktuar shumë rënie në mirëqenien e konsumatorit.

Përgatitja për krizën tjetër

Kriza tjetër globale, nuk ka gjasa të jetë një pandemi, duke pasur parasysh atë që dimë mbi sjelljet njerëzore. Kjo pandemi u parashikua nga shumë njerëz, por sërish shumë vende nuk arritën të ishin gati. Dhe kjo pjesërisht pasi një pandemi në këtë shkallë është diçka e rrallë, dhe ne priremi të nënvlerësojmë gjasat e saj se mund të ndodhë vërtet.
Gjithsesi, përvoja të tilla kanë prirjen t’i inkurajojnë politikanët që ta shohin si diçka normale rrezikun e pandemisë, dhe të angazhohen në investime mbi kapacitetet e sistemeve të kujdesit shëndetësor. Por investimet e tepërta në kujdesin shëndetësor, mund të krijojnë një ndjenjë vetë-sigurie tek brezat e ardhshëm deri në masën që një krizë tjetër, mund të na kapë sërish gafil.
Për të adresuar këtë krizë të pashmangshme në të ardhmen, nevojitet një solidaritet midis vendeve. Opsionet tona janë të thjeshta:a do të jenë marrëdhëniet ndërkombëtare pak a shumë ai ato pas Luftës së Parë Botërore, apo pas Luftës së Dytë Botërore? Në rastin e parë, pati
një partneritet ndërkombëtar të dobët dhe të brishtë, gjë që bëri të mundur ngritjen e nacionalizmit, proteksionizmit, depresionit ekonomik, dhe në fund të një lufte tjetër botërore.
E dyta kishte më shumë ndërkombëtarizëm dhe bashkëpunim, si Plani Marshall, Breton UDS dhe Kombet e Bashkuara. Historia ka tendencën të përsërisë veten, dhe ne vetëm mund të shpresojmë se do të zgjedhim shtegun e duhur të historisë, për ta përsëritur edhe këtë herë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat