Kistet në vezore, shenjat e tyre

Shëndetësia

Kistet në vezore, shenjat e tyre

Më: 3 nëntor 2020 Në ora: 16:15
Foto Ilustrim

“Vitet e fundit është shtuar numri i problemeve të diagnostifikuara me kiste dhe noduse në vezore dhe mitër. Arsyet shpesh gjenden te çrregullimet hormonale, që favorizohen shumë nga stresi dhe stili i jetës”.  Kështu shprehet mjekja obstrete-gjinekologe Kozeta Mustafaraj. Por cilat janë problemet më të shpeshta që prekin sistemin e riprodhimit të grave dhe vajzave të reja? Si mund të parandalohen dhe trajtohen ato? Kur duhet t’i drejtohesh mjekut për shqetësimet që ndjen?

Problemet më të shpeshta

Karakteristikë është që problemet janë të ndryshme në mosha të ndryshme dhe në varësi të grupmoshave bëjmë dhe një ndarje të tillë: Në adoleshencë më të shpeshta janë çrregullimet e ciklit menstrual, që shfaqen me cikle të çrregullta, hemorragji shpesh të zgjatur (që shpesh çon në anemi), vonesë të ardhjes së menstruacioneve (pas moshës 16 vjeç), ose ardhje para kohe të tyre, 9-10 vjeç.

Në moshë të rritur, më problematike janë sëmundjet infektive që prekin aparatin e jashtëm dhe që të lëna shpesh pa trajtim kalojnë në aparatin e brendshëm. Këto shfaqen me çrregullime të ciklit menstrual (të lidhura shpesh me zhvillimin e kisteve të vezoreve dhe përdorimin pa kujdes të kontraceptivëve të ndryshëm), zhvillimin e fibromiomave në mitër që shoqërohen me hemorragji, dhimbje, të cilat ndikojnë shpesh në fertilitetin e grave të prekura nga këto probleme.

Grupmosha e fundit është ajo mbi 45-50 vjeç, periudhë kur fillon menopauza, e cila shoqërohet me një numër të madh problemesh fizike, por edhe emocionale. Të shpeshta për këtë kategori janë dhe çrregullimet e urinimit.

Shkaqet kryesore

Kjo është një gamë e gjerë sëmundjesh dhe secila prej tyre ka veçantitë e veta, duke përshirë këtu dhe faktorët që çojnë në shfaqjen e sëmundjes. Por nëse do të flisnim për ato që i bashkojnë, do të thosha se shpesh pas këtyre shqetësimeve ndodhen çrregullimet e nivelit hormonal, që favorizohen nga stresi, lodhja e tepërt në punë, stili i jetës, duhani, etj.

Grupmoshat më të prekura 

Problemet që shfaqen sistemin e riprodhimit, prekin të gjitha grupmoshat, duke nisur që nga adoleshenca deri në menopauzë. Secila prej grupeve të sëmundjeve që përmendëm më lart kanë një grupmoshë risku të caktuar. Kështu, ato që lidhen me çrregullimet e ciklit menstrual përfshijnë periudhën e adoleshencës deri në menopauzë. Sëmundjet seksualisht të transmetueshme përfshijnë grupmoshën aktive, pra 18-30 vjeç, ndërsa çrregullimet hormonale përfshijnë grupmoshën nga adoleshenca deri në menopauzë, periudha që lidhen drejtpërdrejt me ndryshimet e nivelit hormonal në organizmin e femrës. Përsa u përket kisteve dhe moduseve, ato shfaqen kryesisht në rininë e hershme dhe periudhën 35-50 vjeç. Këtu vlen të theksohet se vitet e fundit, për shkak të modernizimit të mjeteve diagnostifikuese, është shtuar ndjeshëm numri i rasteve të evidentuara me kiste dhe noduse në vezore apo mitër te vajzat e reja.

Kur t’i drejtoheni mjekut

Simptoma më e parë dhe më e shpeshtë e këtyre problemeve janë dhembjet. Shpesh pas tyre fshihen patologji te ndryshme si infeksionet e aparatit genital, kistet në vezore, etj. Kur duhet t’i drejtoheni mjekut? Menjëherë sapo ato të shfaqen. Ato mund të nisin në fund të barkut, mund të jenë të vazhdueshme, rënduese, që shtohen gjatë ditës. Mund të ndihen gjatë aktit seksual, të shtohen gjatë tij e ta pasojnë atë. Pavarësisht se shpesh mund të konsiderohen deri diku normale, është mirë që sapo të ndjehen, t’i drejtoheni mjekut specialist, në mënyrë që të bëhet diagnostifikimi dhe trajtimi i duhur, mbi të gjitha në kohën e duhur.

Komplikacionet që sjellin kistet

Komplikacionet mund të jenë mjaft serioze. Ato mund çrregullojnë jetën e përditshme, cilësinë e saj, sepse shkaktojnë dhembje dhe çrregullime të humorit. Në të njëjtën kohë, mund të shfaqin probleme në çift pasi shkaktojnë çrregullime të marrëdhënieve seksuale. Por mund të jenë dhe serioze, pasi mund të shkaktojnë probleme të infertilitet dhe malinjizim të organeve të sistemit të riprodhimit.

PARANDALIMI

-Kontroll periodik te mjeku gjinekolog për të bërë një vlerësim të kuadrit klinik të përgjithshëm të gruas

– Vlerësimi me seriozitet i çdo lloj shqetësimi, pavarësisht se në dukje mund të duket normal

-Mjekimi dhe trajtimi në kohën e duhur

– Mënyra e jetesës së rregullt. Këtu përfshihen:

a) një regjim ushqimor i pasur, sidomos me vitamina

b) partner fiks

c) përdorimi i metodave kontraceptive të duhura

d) mospërdorimi i duhanit, alkoolit dhe drogave

e) higjienë personale maksimale

SIMPTOMAT

Dhimbje mesi dhe barku

Dhimbje gjatë aktit seksual

Ndryshime të pakuptueshme në peshë

Kur keni skuqje dhe kruajtje të organeve të jashtme

Nuk keni një fluks normal të ciklit menstrual

Keni vonesa të ciklit menstrual

SHQETËSIMET

Kur një grua duhet t’i drejtohet gjinekologut

Kur ndjen dhembje të fundit të barkut ose të shpinës

Kur ka dhembje gjatë aktit seksual ose pas tij

Ka hemorragji

Ka probleme të ciklit menstrual

Ka sekrecione

Rrjedhje të qumështit.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat