Këtë vit e zhdukëm gripin, a mund ta bëjmë sërish në të ardhmen?

Shëndetësia

Këtë vit e zhdukëm gripin, a mund ta bëjmë sërish në të ardhmen?

Më: 14 shkurt 2021 Në ora: 11:11
Ilustrim

Shumë nga masat tona mbrojtëse, distancimi social, mbyllja e bizneseve dhe masat e tjera, nuk kanë qenë të mjaftueshme për ta ndaluar përhapjen e Covid-19. Por kanë pasur një sukses të dukshëm:Ato kanë mjaftuar për ta zhdukur praktikisht këtë sezon virusin e gripit.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC)në SHBA, thonë se prej shtatorit 2020 deri më 30 janar 2021, ka pasur vetëm 1.316 raste pozitive me grip. Ndërkohë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ishin regjistruar 129.997 raste pozitive me virusin e gripit.

Sezonin e kaluar të gripit, CDC vlerësoi se virusi ishte përgjegjës për “38 milion të sëmurë, 18 milion vizita mjekësore, 405.000 shtrime në spital dhe 22.000 vdekje”.Tendencat e gripit këtë vit nënkuptojnë një mënyrë për të reduktuar potencialisht dhjetëra mijëra vdekje çdo vit, thotë Sema Lakdauala, studiuese e gripit në Universitetin e Pitsburgut.

Ky përbën një lajm shumë të mirë, por përmban edhe një paralajmërim. Lajmi i mirë është se kemi parë se sa efektive mund të jetë sjellja jonë kolektive në zvogëlimin e dëmit që shkakton gripi çdo vit. Dhe për shkak të kësaj përvoje, mund të jemi më të përgatitur për të ndalur një pandemi të gripit të ardhshëm.

Paralajmërimi:Meqë njerëzit këtë vit nuk po sëmuren nga gripi, kjo do të thotë që më shumë njerëz do të jenë të ndjeshëm ndaj tij vitin e ardhshëm. Fëmijët janë veçanërisht të prekshëm nga sëmundja e gripit, dhe vitin e ardhshëm do të ketë më shumë se kurrë fëmijë që janë prekur ndonjëherë nga gripi në jetën e tyre.

Kjo do t’i bëjë gjithashtu ata më të prirur për ta përhapur atë. Edhe disa të rritur mund të jenë më të prekshëm për t’u sëmurë me grip vitin e ardhshëm. Kujtesa imunologjike e virusit zbehet me kalimin e kohës, dhe kur të nisë sezoni i ardhshëm i gripit, do të ketë kaluar një vit që kur shumë të rritur morën vaksinën kundër gripit.

Ndaj për të zvogëluar barrën e përgjithshme të sezoneve të ardhshme të gripit, ne do të duhet të kujtojmë disa nga ato që kemi mësuar gjatë pandemisë. Pas zbehjes së pandemisë, nuk do të mund të mbahen të gjitha masat paraprake si ato kundër Covid-19. Por duhet të kalojmë ca kohë duke menduar me kujdes se çfarë ndryshimesh duhet të mbeten.

Për shembull, në të kaluarën, nëse do të ishit i ekspozuar ndaj dikujt me grip, apo ndoshta thjesht me ftohje, nuk do ta kishit vrarë mendjen shumë. Në të ardhmen, pas pandemisë aktuale, do të mendoheshit 2 herë t’i bashkoheshit miqve apo të shkoni në punë pas një ekspozimi virusal (gripi ka një kohë më të shkurtër inkubacioni sesa Covid-19, ndaj nuk do të keni nevojë për një karantinë të gjatë, me gjasë vetëm deri në 4 ditë).

Dhe do të ishit i sigurt po të mbani një maskë në publik. Gripi, ashtu si Covid-19, mund të përhapet në mungesë të simptomave, dhe njerëzit mund të infektojnë të tjerët para se të ndihen të sëmurë. Ne mund të dëshirojmë të jemi më të kujdesshëm gjatë sezonit të gripit, dhe të mbajmë maska​.

Edhe shkollat mund ta përdorin me më shumë mençuri mësimin në distancë. Nëse një shkollë vëren një shpërthim epidemik të gripit, ajo mund të kalojë përkohësisht në mësimin në distancë për të shmangur një shpërthim më të madh në komunitet.

Ne nuk na duhen bllokimet për të zbutur sezonet e ardhshme të gripit. Ata do të ishin me kosto shumë të mëdha në një sezon tipik të gripit. Por sërish do të na duhet një vigjilencë e mirë, veçanërisht sezonin e ardhshëm të gripit. Gjithsesi, shkencëtarët nuk janë ende të sigurt se si do të evoluojë gripi në përgjigje të këtij mjedisi të ri të çuditshëm./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat